Kandidatja që garon për kreun e PD-se, Edith Harxhi, ka zbritur në Qarkun e Beratit në disa takime me anëtarësinë e PD-së, ku nuk munguan debatet dhe shprehjet e mosbesimit nga salla. Në takimin e saj të radhës në qytetin e Beratit, Edit harxhi ka qenë e shoqëruar nga ish-Presidenti Bujar Nishani dhe nga Ibsen Elezi.

Në fund të fjalimit të saj, u vijua me pyetje nga salla ku u kalua në debate dhe akuza mes palëve për humbjen e zgjedhjeve. Në debat e sipër Edith Harxhi u shpreh “Unë i pranoj zgjedhjet”, ndërsa është kundërshtuar nga salla. Në fjalën e tij, ish-presidenti Bujar Nishani është shprehur se duhet një analizë e detajuar për rezultatin zgjedhor.

“Partia Demokratike është shumë e madhe është më e madhe sesa anëtarët e saj. Suksesi i PD-së, fitimi apo humbja, e tashmja dhe e ardhmja e PD-së nuk mbaron në 13 qershor. PD do ketë diskutim gjerë e gjatë pa ndërprerje dhe pa asnjë synim negativ. Ky grupi që ju mendoni që është i stisur nga PD nuk është strukturë, as paralele dhe as tentativë shkëputjeje. Bujar Nishani nuk punon kurrë jashtë partisë por si anëtar i PD-së”, ka thënë Nishani.

Kandidatja garuese, Edit Harxhi, në fjalën e saj është ndalur në atë çfarë duhet të ishte bërë dhe në çfarë ajo propozon. “Unë garoj në mënyrë të pabarabartë, por nëse zgjedhjet do të ishin pas dy muajsh do të kishim mundësi për reflektim për tu përgatitur. Arsyeja e pjesëmarrjes sime është se kam një grup i cili më shoqëron dhe janë grup me vlera intelektuale. Partia jonë është kthyer në një grup monolit, i centralizuar që shumë rrallë bëhen takime ose edhe ato takime që bëhen janë shumë farse. Në vitin 2017 propozuam ndryshime statuore në një mënyre të re të politikë-bërjes, ndryshime statuore që nuk u pranuan, madje unë kam ngulur këmbë, por nuk u mor parasysh. Sidomos në pikën ku kryetari i Partisë duhet të bëjë dorëheqje, nëse humbet zgjedhjet”, është shprehur Harxhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb