Zgjedhje model. Zero incidente gjatë procesit të votimit, asnjë qytetar që nuk gjen emrin për të votuar në listë, asnjë komisioner që largohet duke marrë vulën në shtëpi, asnjë cub i lagjes që kërcënon votuesit para qendrës së votimit dhe në fund numëruesit që pa bujë, sherre e telefonata me shefat e partive nxjerrin rezultatin në cdo qendër votimi. Por nuk mbaron me kaq.

Ndërsa në Shqipëri është bërë traditë që pas mbylljes së kutive të votimit, nis festa për të gjitha palët, në Prishtinë ishte Kryeministri në detyrë Abdulla Hoti që pranoi humbjen dhe i uroi fitoren kundërshtarit politik. Më pas i njëjti gjest nga Isa Mustafa, i cili dha dorëheqjen nga kryesimi i LDK. Fituesi foli i fundit pa tone triumfale. Një leksion ky që e marrim nga Kosova, një shtet i cili festoi sot 13-vjetorin e Pavarësisë.

Por, zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë nuk ishin triumfi i një lëvizjeje apo dy emrave. Ato ishin rikonfirmimi i pavarësisë dhe shpirtit thellësisht demokratik të shqiptarëve të Kosovës. Në kontrast me traditat jo-demokratike të krejt rajonit të Ballkanit dhe vetë Shqipërisë, triumfi i zgjedhjeve demokratike në Kosovë me të drejtë është sot kryelajm i mediave tona.

Po bëhet tanimë e qartë që këto zgjedhje nuk tronditën thjesht realitetin politik të vetë Kosovës, pasi ofruan një pasqyrë përpara të cilës del në pah edhe shëmtia e realitetit të zgjedhjeve në Shqipëri. Përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve në kohë rekord, duke përfshirë edhe të drejtën e votës për diasporën, ishin vetëm sinjali i parë i një fitoreje demokratike në dallim nga kalvari i mundimshëm i organizimit të votimeve në Shqipëri.

Asnjë asocim mes krimit dhe zgjedhjeve, kriminalitetit dhe vullnetit të manipuluar zgjedhor të votuesve, bandave dhe flirtimit të politikës me krimin e organizuar, në dallim si nata me ditën prej Shqipërisë.

Ky organizim paralajmëroi edhe tablonë e pangjarë të anës sonë, ndërsa në anën tjetër të kufirit pamë të projektohej qartë nga numërimi fituesi legjitim vetëm 4 orë pas mbylljes së kutive të votimit, pa kontestimin e palëve humbëse të cilat e pranuan rezultatin humbës përpara se pala fituese të shpallte fitoren. E gjitha në kushtet ekstreme të motit me temperatura nën dhjetë gradë poshtë zeros, por pa asnjë incident dhe mbi të gjitha pa asnjë kontestim nga palët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb