Një shfaqje kundër autoritarizmit dhe duke shpërfillur rregullat qeveritare anticovid në Presidencë. Monodrama e Edmond Budinës, “Profeti i kokoshkave”, u vu të martën në sallën “Skënderbeu” në institucionin e kreut të shtetit.

Me publik të zgjedhur e me ftesa, çfarë të diktohet nga vetë ambienti, salla qe e mbushur me artistë, politikanë dhe qytetarë të Aleancës për teatrin. Ndonëse me maska, vetë ambjenti nuk jepte mundësi distance, ndërsa “profeti” i Budinës, bëhet kështu premiera e parë që vihet në një ambjent të mbyllur që prej nisjes së pandemisë.

Njëherësh, presidenca shndërrohet për herë të parë në një sallë të improvizuar teatri. Pasi iu mohua sheshi i teatrit ndonëse pati një kërkesë publike për leje drejtuar kryeministrit, regjisori që ishte autor dhe aktor i pjesës, i dha jetë profetit duke sjellë para publikut një pasha në jermi.

Teksti i referohej një populli të nënshtruar, ndërsa terma të veçantë e lidhnin profetin me ligjërime publike të politikanëve aktualë, çka linte të kuptohej, se monodrama kishte edhe objektiva konkretë.

Presidenti Ilir Meta e cilësoi atë shfaqje të jashtëzakonshme teatrale, e lindur si protestë kundër shkatërrimit brutal të Teatrit Kombëtar. Sipas tij, Profeti është një pjesë artistike kundër dhunës në përgjithësi e asaj të pushtetit në veçanti.

Në fund të pjesës, Edmond Budina e rrëzon nga froni, profetin a pashain, duke i rezervuar atij, fatin fatal të diktatorëve. Një kryqëzim duarsh lë shteg për pranga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb