Nga: ERJON SKENDAJ*
TIRANE – Nga spitali i Traumës ku po mjekohet, ish-i përndjekuri politik, Edmond Vokshi, ka ripërsëritur se është kushëriri i parë i deputetes demokrate Albana Vokshi. Sipas tij, deputetja Vokshi nuk është asnjë ditë e persekutuar, ndryshe nga ai që i ka kaluar dy vitet para shembjes së diktaturës në burgun e Spaçit, me akuzën e arratisjes. Ndaj sipas 48-vjeçarit Vokshi, dosjet duhen hapur, duke nisur nga dosja e kushërirës së tij.
“News24” ka intervistuar Edmond Vokshin, pak minuta pas mbërritjes në spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore.
“Hapni dosjet e të gjithëve. Albana Vokshit të parës. Hapni dosjet se do shpëtoni që të gjithë”- deklaron Vokshi.
Historia e persekutimit të Edmond Vokshit nga regjimi komunist, treguar nga ai vetë, nis në vitin 1988, kohë kur Edmondi dhe bashkëshortja tentojnë të arratisen nga Shqipëria. Bashkëshortët kapen pa arritur të kalojnë kufirin dhe ai vetë përfundon në burgun e Spaçit. Pak muaj më vonë, Vokshi tenton t’i japë fund jetës duke u vetëvarur, por akti i tij mbeti në tentativë, pasi shokët e tij i heqin lakun nga fyti.
“Burrë e grua kemi qenë të dënuar për arratisje në Spaç. Aty tentova të var veten. Nuk e shof dot Albana Vokshin në televizor që na del demokrate, ajo komuniste. Kërkoj të hap dosjet. Nuk kam marrë asnjë këst, asgjë në botë.”- shprehet Vokshi.
Në dëshminë tronditëse që bëhet publike për herë të parë në “News24”, Edmond Vokshi deklaron se ka qenë dhëndër në shtëpinë e deputetit socialist Gramoz Ruçi, por është ndarë nga e fejuara për bindje politike të kundërta.
Aktualisht në moshën 48-vjeçare, baba i dy fëmijëve të moshës 15 dhe 16 vjeç, ish i burgosuri politik Edmond Vokshi rrëfen se ka qenë ai që në vitin 1990 hyri me forcë me automjet, në ambasadën greke në Tiranë, në tentativën e tij të dytë për tu arratisur jashtë vendit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: