Pak pikëpyetje kishte para kuvendit të PD-së se ç’do të ndodhte me propozimet e rivalëve të Bashës për ndryshimet rrënjësore në statutin e partisë. Gjithashtu të pakta ishin pikëpyetjet për të ardhmen e tyre politike në rradhët e PD-së. Pikëpyetja e madhe ishte se çfarë qendrimi do të mbante kuvendi, e në veçanti Basha, pas shpalljes se Berishës person non-grata nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Një distancim i hapur publik ndaj Berishës në kuvendin e PD-së do të paralajmëronte përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në shtator, gjë që do ta linte atë si një deputet të vetmuar…

Por mënyra triumfale sesi u prit Berisha në kuvendin e PD-së dhe ngrohtësia e pamatë që shfaqi Basha ndaj tij e davaritën çdo dyshim për të ardhmen politike të Berishës. Mesazhi nga ai kuvend ishte se PD-ja është grusht çeliku e bashkuar rreth dyshes Basha-Berisha, ndërsa kritikët e Bashës përbëjnë vetëm një bezdi të rradhës për partinë e mësuar me bezdi të tilla ndër vite…

Në qoftë se e kundërta do të kishte ndodhur (pra nëse do të ishte mbajtur një qendrim i ftohtë ndaj Berishës dhe do të ishin pranuar disa nga propozimet e rivalëve të Bashës), elektorati i PD-së rrezikonte të ndahej përgjysëm në shtator. Në fakt, nga një sondazh kombëtar që zhvillova pas kuvendit të PD-së, më rezultonte se numri i atyre që preferonin Bashën si politikan ishte pothuaj i barabartë me numrin e atyre që preferonin Berishën. Me fjalë të tjera, një përplasje e hapur mes Bashës dhe Berishës mund ta ndante elektoratin e PD-së në dy pjesë pothuaj të barabarta. Ndërsa duke vazhduar bashkë, partia bëhet më e fortë.

Por a është aktualisht më e madhe përkrahja ndaj PD-së në elektorat?
Në sondazhin e sipërcituar, rezultonte se vetëm treçereku i të anketuarve që kishin votuar për PD-në më 25 prill zgjidhnin Bashën ose Berishën si politikanin më të preferuar të tyre. Ndërkohë, çereku tjetër i votuesve të PD-së nuk preferonte asnjërin nga 6 politikanët kryesorë të Shqipërisë (ku përfshiheshin Rama, Veliaj, Balla, Basha, Berisha e Meta).
Treçereku i atyre që votuan për PD-në më 25 prill janë shumë pak për dyshen Basha-Berisha, për të filluar betejën e gjatë me Ramën dhe lejtnantët e tij, që i kanë ruajtur kuotat e tyre elektorale…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: