“Facebook”-u dhe “Twitter”-i nisën të censurojnë mesazhet e Presidentit Trump. Nuk më intereson përmbajtja e kumtit presidencial. Të njëjtën gjë kanë nisur ta bëjnë vazhdimisht, madje edhe me postime nga shqiptarë, duke vlerësuar sipas dëshirës së tyre çfarë është fakt dhe çfarë gënjeshtër.

Mendoj se kjo është një goditje e rëndë për lirinë e shprehjes në botë. Jo si akt me pasoja të prekshme, por si dukuri dhe mendësi. Të dyja platformat u janë nënshtruar kërkesave në rritje për të ndërtuar një gjuhë “politikisht korrekte”, që në fakt nënkupton një gjuhë të imponuar kryesisht nga mjediset liberale të majta në SHBA, por jo vetëm dhe nxitur edhe nga tharmi marksist i lëvizjeve si ‘Black Lives Matter’. Më kujtohet rasti i një pedagogeje në SHBA, që kërkonte që në lëndën e Historisë të vendoset barazi mes autorëve të bardhë dhe me ngjyrë. Apo rasti i disa shkollave në Suedi, ku fëmijëve u mësohet përdorimi i një përemri vetor me gjini asnjanëse të shpikur për të hequr qafe përemrat vetorë “ai” dhe “ajo”. Apo propozimi francez për të zëvendësuar emrat “nënë” e “baba” me “prindi 1” e “prindi 2”.

Me shumë gjasa, kjo politikë censuruese e platformave në fjalë do të nxisë krijimin dhe fuqizimin e platformave të reja që do të ofrojnë komunikim pa censurë. Problemi i vërtetë do të shfaqet nëse censurën nuk do ta bëjnë vetë platformat, por autoritetet publike, siç ndodh aktualisht në vende si Kina apo Turqia. Shembujt e mësipërm tregojnë se ky tundim mund të joshë edhe autoritetet publike në Perëndim.

Ajo që po ndodh është parashikuar 200 vjet më herët nga Alexis de Tocqueville. Të ushqyer me nektarin magjepsës të egalitarizmit, njerëzit do të rreken gjithnjë e më shumë drejt barazisë në kurriz të lirisë, drejt uniformitetit në kurriz të individualitetit. Një shumicë e rrjedhshme kërkon imponimin e vlerave të veta si vlera të përbotshme ndaj gjithë shoqërisë, duke u shndërruar në një tirani të shumicës. E meqenëse liria i tremb turmat, barazia do të jetë vlera madhore. Barazia në viktimizim e mediokritet. Prapë nga Tocqueville: nëse në modernitetin perëndimor popujt ishin servilë ndaj qeverive, tashmë janë qeveritë servile ndaj popullit. Rrjedhimisht, roli i udhëheqësit rrezikon të shndërrohet në noter të tiranisë së shumicës. Kjo shpjegon ngarendjen e vendimmarrjes shtetërore drejt politikave populiste, që jo vetëm rrënojnë ekonomitë, por përkeqësojnë konfliktet shoqërore dhe krijojnë akoma më tepër nevojë për “ndërhyrjen e shtetit”. Siç thoshte Hajdegeri, dëshira për kontrollin e plotë të qenies pjell nevojën për një pushtet absolut e totalitar. Për ta plotësuar pastaj amerikançe: një pushtet që ka mundësinë të bëjë gjithçka për ty është në fakt një pushtet, që ka gjithashtu mundësinë të bëjë gjithçka me ty. Por nëse Hajdegeri kishte parasysh Fyhrerin, në ditët e sotme rreziku totalitar vjen nga shumica tirane.

Në rrënjët e kësaj dëshire është bindja politike se shteti ka për detyrë të plotësojë të gjithë nevojat (e pambarimta) të individit. Fakti i thjeshtë i burimeve të kufizuara nuk merret parasysh. Unë dua, pra unë duhet ta marr nga të tjerët, sidomos nëse tjetri ka më shumë se unë. Mbi të gjitha, tjetri nuk duhet të ketë më shumë se unë. Gjithashtu, shoqëria duhet të shmangë çdo prekje apo cenim të rehatit shpirtëror (përkthyer aktualisht në ideologjik nga e majta), përfshirë edhe me koston e kufizimit të lirisë së shprehjes: ti nuk ke të drejtë të thuash diçka që mua më bën të mos ndihem mirë, madje pavarësisht qëllimit tënd. Problemi themelor është natyrisht kufizimi i lirisë së shprehjes. Problemi i dytë është se thesi i ndjeshmërisë së individëve ndaj fyerjes apo cenimit të njëmendtë a të përfytyruar është më i thellë se pusi i Danaideve.

Në thelb, përtej përmbajtjes, mendësia që i ndalon dikujt të thotë mendimin e tij, qoftë ky Trumpi, qoftë Sadiku i Qefseres, është e njëjtë me mendësinë që i ndalonte Galileos të thoshte se Toka rrotullohet, At Zef Pllumit të thoshte se komunizmi është një farë e keqe, apo ty e mua që nesër të dalim kundër një shkrimi idiot, por “politikisht korrekt” të Ermal Hasimes.

Bota mund të përshtatet me këtë katrahurë, por edhe mund të prodhojë reaksionin e kundërt: regjime totalitare e autoritare, të cilat thjesht do t’i japin mundësinë një pjese të shoqërisë, pakicë ose shumicë, për t’i imponuar ideologjinë e vet shoqërore e politike pjesës tjetër.

Yryshi i hareshëm i shoqërisë civile shqiptare për të përqafuar shembujt e lartpërmendur na vendos në bisht të kavallit dhe jo në pararojë të ndonjë iluminizmi të rishpikur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb