Edoardo Reja, ish trajneri i Shqipërisë, në një intervistë për “Il Mattino”, analizoi garën për titull në Serie A. Reja është një personazh i veçantë pasi këtë sezon tre nga ish ekipet e tij, Atalanta, Napoli dhe Lazio po zhvillojnë një kampionat shumë të mirë pasi ndodhen mes ekipeve favorite për ti shkuar deri në fund këtij sezoni, mbi të gjitha Napoli dhe Atalanta:

“Napoli i ka të gjithë kushtet për t’ia dalë. Që të mos keqkuptohemi, në letër Inter është më i fortë, ndërsa Atalanta është më e organizuar, por “azzurrët” janë më të fortë nga pikëpamja fizike dhe mendoj se mund ta arrijnë këtë objektiv. Përshtypja është se Conte ka ndërtuar një grup shumë të fortë, kjo është një vlerë e shtuar. Napoli ndodhet për momentin pas Atalanta-s dhe për mua ky është një avantazh. Kur je në krye, si në rastin e Atalanta-s, ke më shumë përgjegjësi.

Për momentin shoh të avantazhuar Inter, Napoli dhe Atalanta, mendoj se titulli do të diskutohet mes këtyre tre ekipeve, por llogaritë do të bëhen në fund të shkurtit në fillim të marsit. Tani është pak e vështirë të parashikosh”, u shpreh Reja për Il Mattino.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb