TIRANE – Muajt e stinës së verës shoqërohen me rritje temperaturash si dhe me dëshirën tonë të madhe për t’u ekspozuar sa më shumë në diell. Ne mund të ndihemi mirë në diell, sidomos kur kemi dalë nga stina e dimrit. Por kujdes! Qëndrimi i gjatë në diell mund të sjellë pasoja dhe probleme të shumta për shëndetin. Kur temperatura e ambientit është më e lartë se temperatura e lëkurës, djersitja është i vetmi mekanizëm efikas ftohës në dispozicion të trupit të njeriut. Në kushtet e temperaturave të larta, shumë të larta apo ekstreme të mjedisit, ky mekanizëm nuk është i mjaftueshëm. Gjithashtu ka edhe disa faktorë të tjerë që e reduktojnë mundësinë për djersitje dhe shkaktojnë mbinxehje të trupit. Faktorë të tillë janë: mosha, mungesa e lëngjeve (dehidratimi), përdorimi i veshjeve jo të duhura, disa lloje sëmundjesh kronike si dhe përdorimi i disa medikamenteve mjekësore. Në Shqipëri rrezatimi diellor është më i fortë midis muajve maj dhe gusht, prandaj këshillohet që gjatë kryerjes së aktiviteteve tuaja të përditshme të mos abuzohet me ekspozimin në diell dhe të tregojmë kujdes ndaj temperaturave të larta. Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Ndikimi i temperaturave të larta në shëndetin tonë varet nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit dhe intensiteti i ekspozimit. Goditja nga dielli vjen si rezultat i qëndrimit të gjatë në diell dhe shkakton rritje të temperaturës së trupit, zgjerim të enëve të gjakut, rënie të rrahjeve të zemrës, dhe si pasojë shoqërohet me: djersitje të madhe, të përziera, dhimbje koke, marrje mendsh, ulje të presionit të gjakut, turbullim të shikimit etj. Shpesh goditja nga dielli kërkon ndihmë të specializuar.

Pasojat më të shpeshta që vijnë si rezultat i temperaturave të larta janë:
– Goditja nga dielli
– Goditja nga nxehtësia
– Dëmtimet në sy apo lëkurë

–  Infeksionet dhe intoksinacionet për shkak të ushqimeve, të cilat manifestohen me diarre.
– Rëndimi i disa sëmundjeve të zemrës dhe tensionit.
Të gjithë janë të rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta, por ka disa grupe individësh që janë më të rrezikuar ndaj temperaturave të larta për arsye se aftësia për të rregulluar temperaturën është më e kufizuar, pra djersitja është më e pakët.
Cilët janë personat më të rrezikuar nga temperaturat e larta

– Foshnjat dhe fëmijët: janë të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave të larta për shkak se metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e pakët, masa e trupit është e vogël.
– Të moshuarit: përbëjnë grupin më të madh të përcaktuar si grup në rrezik për shkak të nxehtësisë. Te të moshuarit ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndihet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.
– Individë me sëmundje kronike: Pothuajse të gjithë personat me sëmundje kronike paraqesin një rrezik për përkeqësim të sëmundjes kronike apo për vdekje për shkak të nxehtësisë. Sëmundjet që paraqesin më shumë rrezik janë hipertensioni, sëmundje të zemrës, astma bronkiale, bronkiti kronik, pneumopatia obstruktive kronike, diabeti, insuficienca e veshkave, çrregullimet psikiatrike si skizofrenia, depresioni, demenca, gjendjet febrile etj.
– Personat që janë përdorues të rregullt të medikamenteve të ndryshme mjekësore. Shumë ilaçe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mekanizmat qendrorë e periferikë të termorregullimit, duke ndikuar në djersitje, në zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, në rritjen e punës së zemrës dhe eliminimin e nxehtësisë.
– Personat që punojnë në vende me temperatura të larta ose në ambiente të hapura (jashtë). Kushdo që punon jashtë në një mot të nxehtë, pa mbrojtjen e duhur, sidomos nëse ka edhe aktivitet fizik të rëndë, është në rrezik për shkak të efekteve të të nxehtit në shëndet.
– Personat që bëjnë aktivitet fizik të rëndë.
– Njerëzit që jetojnë në apartamente në katet e sipërme.
– Grupet e popullsisë me kushte sociale jo të mira, individë të pastrehë etj.

Disa rregulla të
zakonshme dhe
parandaluese
Nëse këto rregulla do t’i bënim pjesë të jetës sonë të përditshme, ato mund të na ndihmojnë për të reduktuar efektet negative të temperaturave të larta në shëndet.

Si të mbroheni nga temperaturat e larta apo të nxehtit

– Evitoni, nëse është e mundur, daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11:00 – 17:00.
Rregulla të thjeshta, por të nevojshme për të gjithë
– Vishuni lehtë, me veshje pambuku, me rroba të gjera dhe ngjyra të hapura, si në shtëpi, ashtu edhe kur dilni nga shtëpia.
– Mbani në kokë kapele, çadër dhe syze kur dilni jashtë.
– Mbani shtëpinë sa më të freskët. Hapni dritaret herët në mëngjes dhe në mbrëmje vonë. Mbajini mbyllur dritaret gjatë ditës.
– Temperaturat në shtëpi duhen mbajtur deri në 25-27 gradë dhe asnjëherë jo më shumë se 5-6 gradë më pak se ambienti jashtë. Evitoni korrentet e mundshme.
– Freskohuni herë pas here me ujë të freskët, duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit, në krahë, qafë dhe ballë.
– Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme të paktën deri 2 litra në ditë.
– Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë.
–  Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate e fruta.
–  Gatuani dhe ruajini ushqimet të sigurta.
–  Evitoni aktivitetet e forta fizike, sidomos në orët e nxehta të ditës, 11:00 – 17:00.
– Tregoni kujdes për fëmijët, të moshuarit, personat e sëmurë apo edhe të vetmuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb