Shqipëria na dhurojë emocione të forta, bashkoi të gjithë zemrat kuqezi në një ëndërr të madhe e cila fatkeqësisht u zbeh pas humbjes me Poloninë. Tani vetëm matematika dhe përllogaritë imagjinare na mbajnë në lojë por e sigurt është që na pret një e ardhme e bukur dhe shumë shpresëdhënëse.

Altin Lala, ish kapiteni i famshëm kuqezi, ishte i pranishëm në “Air Albania” ku shijojë live spektaklin e tifozëve por që fatkeqësisht fundi ishte i hidhur, jo vetëm për humbjen që pësuan, por dhe për atë episod pas golit të polakëve që solli ndërprerjen e sfidës për 15 minuta.

I ftuar special në “News24”, në emisionin “Sport News”, të moderuar nga Enxhi Biba, Altin Lala analizoi këtë përballje dhe çfarë pret nga dy ndeshjet e mbetura në kualifikueset e botërorit. Për herë të parë Lala foli edhe për Armando Brojën, një sulmues për të cilin flet me fjala të mëdha, i befasuar, por më shumë se sa paraqitjet e sulmuesit 20-vjeçar, Lala u befasua nga vendimi i teknikut italian për të lënë në stol Brojën:

“Kur ke mungesa, nuk ke zgjedhjen më të mirë të mundshme. U ndje mungesa e Gjasulës, kurse në mbrojtje u zgjidh disi problematika e Gjimshitit. Para ndeshjes ishte edhe për mua një dilemë me gjithë atë eksperiencë që ka në Champions e është rritur si lojtar.

Por Kumbulla e ka zgjidhur jashtë mase mirë. Jo vetëm Kumbulla, por edhe Veseli e Ismaji. Besoj se ky nuk ishte problemi ynë në këto ndeshje. Ky është futbolli, kur luan në grupe që ke vetëm një herë shansin, ky ishte shans i artë.

Por pavarësisht asaj, edhe nëse fitonim do ishte shumë e vështirë të shkonim në Botëror. Por do të vazhdonte ëndrra, entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm. Kur pashë lojën, them se ajo mund të fitohej dje.

Në pjesën e parë ishte një shans i vetëm, kur Manaj zgjodhi të godiste portën dhe nuk e pa Uzunin që mund ta shërbente. Nuk është e thënë që mund të shënonte edhe nëse pasonte.

Pastaj në pjesën e parë disa aksione qe kemi kthyer në mesfushë, ka munguar pasi në mesfushë, një pas më i saktë kur kishim hapësira në kundërsulme, mund t’i godisnim më shpejt.

Kumbulla është një lojtar me kualitet, ai nuk aktivizohet te klubi i Romës aktualisht dhe është problematikë në ekip kombëtar. Në këtë ndeshje e ka zgjidhur shumë mirë, mund të them se ishte për notën 10.

Nuk ka gabuar asnjëherë, nuk ka gabuar pasime, e veçantë po të luash kundër Levandovskit. Të tre e zgjidhën mirë, por Kumbulla në qendër me pëlqeu jashtë mase. Duke parë që mbrojtja punoi aq mirë, është shije e hidhur që nuk u fitua kjo ndeshje.

Hysaj luan mbrojtës i djathtë te Lazio e më parë te Napoli dhe këtu luan në sistem tjetër 3-5-2. Ai është i saktë në veprime edhe pse te ky gol mund t’i “mbetet faji”. Por ato topa nuk mund t’i mbrosh me atë harkim.

Është e vështirë ta mbrosh atë situatë dhe qëlloi mesfushori i majtë, edhe Berisha tentoi, por ato gjëra ndodhin. Ai është konstant gjithmonë në lojë dhe mendoj që edhe një herë si mbrojtës e mesfushor, ke volum loje. Ai di të mbrojë e vendoset shumë mirë, për mua ishte ndeshje e mirë.

Broja në stol? Besoj se nuk kemi si ai. Unë këtë gjë akoma nuk e kam kuptuar, kjo do ishte pyetja e parë që do i bëja trajnerit. Unë që para ndeshjes edhe me Hungarinë e shihja që Broja është lojtar shumë i talentuar dhe dëgjoja që donte ta ruante.

Por edhe Messi ka luajtur 17 vjeç, jo se dua ta krahasoj me Ronaldo e Messin. Por nuk kemi luksin të lëmë një si Broja në pankinë, edhe në sfidat e fundit ka bërë jashtëzakonisht mirë, ka shënuar gola. Ka një start në një kundër një që është i frikshëm, i rrezikshëm për kundërshtarët.

Kjo na mungoi dje dhe këtë nuk e kuptova, nuk është logjike. Mund të luante e humbnim gjithsesi, por mund të kishim gjasa më shumë me shpejtësi e thellësi. Është gjynah ta lësh atë djalë në pankinë. Unë nuk e kuptoj, aq më tepër Polonia kishte një lojtar mbrojtës në moshë, kishte hapësira. Ai është rritur në Angli, është në Premier League dhe nuk ka arsye pse të mos luajë.

Unë vetëm Panajot Panon nuk e kam parë, e kam parë në filmime, që thonë është më i miri i gjithë kohëve. Por Broja për mendimin tim, me gjithë respektin për sulmuesit që kanë luajtur, është nder një ndër më të mirët, edhe pse nuk ka lidhje që t’i bëjmë qejfin Brojës apo jo, por është lojtar që e meriton të luajë, nuk e kam kuptuar, dje isha disi… nuk është logjike, për mua është e pajustifikueshme.

A do thyejë rekordet? Patjetër. Ai vetëm të ketë shëndetin, të vazhdojë me këtë intensitet siç luan, ka një farë karakteri dhe në veprime, duket sikur është i ftohtë e pastaj është vrasës, ka diçka të lindur në instinktin si luan futboll, shpresoj në të ardhmen të jetë lojtar formacioni. Ai ka fizikun, është mësuar e rritur atje në Angli. Është mirë, është liga më e mirë në botë, besoj që të jetë edhe atje që aktivizohet vazhdimisht, por me kombëtaren është nga fillimi”, – tha Lala.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb