9 fitore dhe 1 barazim në 10 ndeshjet e fundit kanë bërë që tifozët e Tiranës dhe i gjithë ambienti bardheblu të ëndërrojnë dhe të kërkojnë titullin kampion. Të gjithë presin që Tirana ti marrë maksimumin edhe sfidës kundër Kukësit, por ndryshe nga tifozët dhe opinioni, Egbo thekson se kjo sfidë i ka të tre rezultatet. Egbo e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë Tirana për të fituar këtë takim ndërsa mohon në mënyrë kategorike që presidenti Halali apo dikush tjetër të ketë ndikim në formacion që ai hedh në fushë:

Ndeshjet direkt me Kukësin, tifozët presin fitore?

“Tifozët janë tifozë, ne jemi sportistë. Nuk duhet të mendojmë si tifozë. Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% tonë. Të treja rezultatet janë brenda. Do tentojmë të japim maksimumin dhe shpresojmë në fund të marrim atë që duam”.

Gjendja gripale, a do rikuperohen lojtarët e tjerë, pasi Ngo ishte disi më mirë?
“Edhe tre të tjerët kanë bërë pak vrapim sot, mendoj që nesër ata do jenë gati për ndeshjen”.

Çfarë ka Tirana më shumë se Kukësi?
“Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë, atë duhet të bëj ekipi im. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim”.

Ku do ta godisni Kukësin?

“Ne e dimë si skuadër se çfarë do të bejmë. Nuk kam për të nxjerrë strategjinë time për nesër, ajo do duket në fushë”.

Presion nga deklaratat e presidentit?
“Nuk ka asnjë presion. U takuam dhe u sqaruam. Ai ka reaguar pas ndeshjes, e kuptoj çfarë ka thënë. Ai nuk është se ka folur keq. Është çdo gjë brenda familjes, nuk ka asnjë presion dhe asnjë problem”.

Kukësi dhe Partizani, javë vendimtare për sezonin?
“Kemi ndeshje me Kukësin, pastaj do flasim për ekipin tjetër. Nuk e di fare me kë e kam ndeshjen tjetër, kur të mbarojmë këtë me Kukësin, do shohim kalendarin dhe do të përgatitemi”.

Kritikat e presidentit do ndikojnë në formacion?

“Nuk kam parë asnjë kritikë, nga ato që ka thënë presidenti. Jemi të qetë, dhe jemi një klub i qetë. Duke filluar nga presidenti deri të punëtori i fushës, jemi të qetë. Në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë tona”.

9 fitore dhe 1 barazim, a është motivim?
“Normalisht, që janë të njëtët lojtarë që kanë marrë këto rezultate dhe kjo ka bërë të rritet: uniteti, harmonia, vetbesmi, uria. Ekipi ka krijuar një identitet që dhe barazimin e quan një rezultat jo të mirë. Kam besim te grupi, dhe çdo lojtar që futet kam besim se do japë maksimumin. Me ndihmën e Zotit do marrim atë që meritojmë”.

Kë do i hiqnit Kukësit?
“Nuk dua të përmend emra fare. Unë si trajneri i Tiranës flas për ekipin tim”.

A ju ndërhyn Halili në formacion? “Jo”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: