EGJIPT- Të paktën 18 të vdekur është bilanci i një shpërthimi në një lokal në kryeqytetin egjiptian, Kajro. Një bombë ka shpërthyer në një klub nate në Kajro duke sjellë vdekjen e 18 personave dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Sipas burimeve të sigurisë, një koktej molotov është hedhur në lagjen e El Agouza.

Sipas autoriteteve lokale, pjesa më e madhe e viktimave janë punonjës të lokalit. Agjencia Mena raporton se “tre persona me një motor kanë hedhur molotovin, që ka shkaktuar një zjarr të madh në lokal dhe më pas janë arratisur”.

Portali i të përditshmes Alyoum7 ka publikuar fotot e para të sulmit dhe një video ku duket lokali nga jashtë në flakë dhe zjarrfikësit që përpiqen të shuajnë zjarrin. Lokali është shkatërruar tërësisht.

Dyshohet se autorët kryen sulmin pas refuzimit të tyre për të hyrë në klubin e natës. Një dëshmitar tha se viktimat nuk arritën të shpëtonin për shkak të hyrjes së ngushtë të lokalit. Të plagosurit janë transportuar në spital me ambulanca, ndërsa disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb