Në Egjipt u zhvillua të shtunën dita e parë e votimeve për ndryshime kushtetuese që do t’i jepnin Presidentit Abdel Fattah el-Sissi mundësinë të mbajë pushtetin deri në vitin 2030.

Nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, autoriteti i presidentit do të zgjerohej dhe prania e ushtrisë në komunitete do të shtohej. Mandati presidencial do të zgjatej nga katër në gjashtë vjet dhe zoti El Sissi do të kishte të drejtë të konkurronte për një mandat të tretë në 2024.

Përkrahësit e referendumit e kanë përshëndetur këtë mundësi si një detyrë kombëtare, por kritikët e cilësojnë votën një taktikë për kapjen e pushtetit në një vend ku disidenca politike është zhdukur nga skena.

Opozita e organizuar pothuajse nuk ekziston dhe shumë figura të njohura publike, biznese dhe grupe mediatike ndjekin me kujdes linjën qeveritare.

Zyrtarët thonë se rezultatet do të bëhen publike deri më 27 prill, duke u zotuar se nëse miratohen ndryshimet kushtetuese, ato do të futen në zbatim me shpejtësi.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb