Sipas një anëtari të lartë të grupit palestinez Fatah, Egjipti është duke kërkuar të mbajë një konferencë ndërkombëtare të donatorëve për rindërtimin e Rripit të Gazës.

“Një konferencë ndërkombëtare e donatorëve do të mbahet me ftesë të Egjiptit”, tha anëtari i Komitetit Qendror të Fatah-ut, Azzam al-Ahmed.

Ai, megjithatë, tha se data e konferencës së planifikuar nuk është caktuar ende. “Autoriteti Palestinez tashmë ka filluar të vlerësojë koston e dëmit të shkaktuar nga agresioni izraelit në Gaza”, tha Al-Ahmad.

Të dielën, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, u takua në Ramallah me shefin e inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, për bisedimet mbi armëpushimin në Gaza midis Hamas-it dhe Izraelit dhe rindërtimin e territorit palestinez. Vizita erdhi derisa ministri i Jashtëm izraelit, Gabi Ashkenazi, mbërriti në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë.

“Bisedimet midis Abbas-it dhe Kamel-it u ndalën në forcimin e armëpushimit në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kuds, duke përfshirë dhënien fund të dëbimit të familjeve (palestineze) nga lagjet Sheikh Jarrah dhe Silwan”, tha al-Ahmad.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti që hyri në fuqi në orët e para të 21 majit i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Sulmet izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor vranë së paku 289 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, duke lënë edhe gjurmë shkatërrimi.​​​​​​​//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb