TIRANE – Autoritetet egjiptiane arrestuan një ditë më parë Adel Mohamed Salam, i cili dyshohet për marrjen peng të anijes “Çelepia 2” si dhe të dy marinarëve shqiptarë, Dhimitër Malja e Luan Mema.

Lajmi për vënien në pranga të Salam u konfirmua për Policinë e Shtetit rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Sipas komunikimit nëpërmjet Interpol Tirana, mësohet se 30-vjeçari Salam ishte kapur nga policia lokale në Aleksandri. Burimet policore deklaruan se tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e Adel Mohamed Salam në Shqipëri.

Ndërkohë në profilin e tij në “Facebook”, pengmarrësi Adel Mohamed Salam ka bërë disa postime, rreth orës 10.00 të kësaj të mërkure. Postimi i fundit i tij ishte më datë 18 qershor, kohë kur rrëmbeu anijen me dy marinarët shqiptarë për t’u larguar në Egjipt.

Por pas lajmit për arrestimin e tij dhe gjetjen e anijes, në faqen e tij shfaqen postime të reja. Postimet janë të ndryshme por nuk mund të kuptohet nëse ato janë bërë nga vetë ai, apo dikush tjetër që menaxhon faqen e tij. Ashtu sikurse dhe kjo pengmarrje që nisi 10 ditë më parë, shumë gjëra në këtë ngjarje mbeten ende të pazbardhura.

Anija “Çelepia 2” u zhduk më 18 qershor, ndërsa në komunikimin e parë egjiptiani, i dyshuar për rrëmbimin e saj i ka kërkuar punëdhënësit të tij, Florian Çelepia 70 mijë euro, pasi në rast të kundërt do të fundoste anijen së bashku me dy marinarët.

Por, një ditë më pas, marinari egjiptian në një komunikim tjetër ka pohuar se anijen ua ka shitur për 100 mijë euro disa personave për të transportuar klandestinë. Përgjatë 10 ditëve, pengmarrësi egjiptian ka shantazhuar Çelepinë duke i kërkuar paratë, ndërsa i ka dërguar edhe foto të anijes në flakë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb