Në futbollin shqiptar rastet e emërimit dhe shkarkimit të trajnerëve janë nga më të çuditshmit. Dhe Egnatia, që mbijetoi në Superiore, ka bërë lëvizje surprizuese në pankinë këtë sezon.

Së pari, largoi trajnerin Gugash Magani, i cili e kishte ngjitur në Superiore ekipin dhe ishte brenda objektivave. Në krye u emërua trajneri Zekirja Ramadani, i cili vuajti shumë në ndeshjet e para.

Megjithatë, trajneri shkupjan mori rezultate të mira më pas, për ta çuar Egnatian në ndeshjen shtesë dhe të fitonte edhe në play-off me Korabin. Por duket se drejtuesve rrogozhinas nuk u pëlqen kur trajneri ka sukses dhe emërojnë tjetrin menjëherë.

Kështu, Edlir Tetova do të jetë trajneri i ri i Egnatias. Një bast i fortë, pasi durrsaku do të drejtojë për herë të parë në elitën e futbollit shqiptar. Si futbollist, Tetova ka fituar trofe të rëndësishëm, me Elbasanin dhe Teutën.

Tetova

Si trajner, ka kryer të gjitha specializimet për fushën e trajningut, duke e pajisur me licensat e duhura. Më pas ka pasur detyra si zëvendës trajner te Skenderbeu, Tirana e Teuta në klub dhe te moshat, ndërsa së fundmi ishte trajner me Ulpianën në kampionatin e Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb