Egnatia tregoi “muskujt” ndaj Partizanit kampion në fuqi, duke marrë një barazim 1-1 në transfertë dhe konfirmuar se është një prej skuadrave që do të pretendojë vendet e para edhe këtë sezon. Të besuarit e Edlir Tetovës i kishin të gjitha mundësitë për të mundur të kuqtë, por sulmuesi më i mirë i tyre, Rafael Duamena, shpërdoroi një penallti, paçka se meritë për këtë ka portieri Alban Hoxha.
Stafi teknik kishte menduar që në 24 orët post ndeshjes me Partizanin, skuadra të pushonte, ndërsa do t’i kthehet sot stërvitjes në kompleksin stërvitor në Lekaj. Rrogozhinasit kanë fituar tashmë besim dhe siguri për vazhdimësinë, në një kohë që skuadrat duket më në formë se kurrë dhe e blinduar në të gjitha repartet. Nga sot do të nisin përgatitjet për Laçin, teksa të shtunën në orën 15:00, Egnatia pret kurbinasit në stadiumin e Rrogozhinës në kuadër të javës së tretë. Kurbinasit vijnë në këtë përballje pas dy fitoreve radhazi, respektivisht me Teutën dhe Vllazninë, ndërsa kanë 7 pikë, po aq sa Egnatia, por me një golavarazh më të mirë.
Ajo që bën më tepër optimistë te rrogozhinasit për të kaluar me sukses këtë përballje është fakti se Laçi mbetet një prej skuadrave që Egnatia mposht më shumë se këdo tjetër në Superiore. Në kampionatin e kaluar, skuadra e Tetovës arriti të fitonte katër herë me Laçin, pikërisht tri ndeshje të vlefshme për kampionat dhe një për gjysmëfinalen e kupës. Në total u luajtën gjashtë përballje mes tyre dhe në dy të tjerat pati barazime, duke e bërë Egnatian të pathyeshme ndaj Laçit. Megjithatë, kjo është vetëm një statistikë dhe në kampin rrogozhinas e kanë të qartë se i pret një ndeshje e vështirë. Aktualisht mbrojtësi i majtë, Emiljano Musta, është i vetmi futbollist që nuk është në dispozicion të Tetovës për shkak dëmtimi. Në ndeshjen ndaj Partizanit nuk ishte pjesë e stolit të rezervave as mesfushori Alesandro Ahmetaj. PanoramaSport