Partizani po përgatit me qetësi ndeshjen e radhës, atë ndaj Egnatias, në Rrogozhinë, me stafin teknik që e sheh një sfidë direkte me një rival. Këtë e përmendi edhe vetë trajneri Kolela gjatë një një interviste për News 24, teksa e cilësoi Egnatian kandidate për titull, pasi është vetëm gjashtë pikë larg.

Për fatin jo të mirë të Partizanit, në fazën e katërt, që nis të hënën me përballjen në Rrogozhinë, do të duhet të luajë më shumë transferta se ndeshje në shtëpi. Të kuqtë kanë pesë ndeshje jashtë dhe 4 brenda, por kjo, sido që të shkojnë gjërat në fund, nuk do të përdoret si alibi. Për më tepër që në Rrogozhinë, Egnatia nuk do të ketë edhe tifozët si pasojë e dënimit.

Në pozitat e komanduesit të Superiores, Partizani ka vijuar stërvitjen, me shpresën që gjithçka do të shkojë mirë deri të hënën kur përballet Egnatian. Në dispozicion të stafit teknik kanë qenë të gjithë lojtarët.

Telushi dhe Maget i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit, ndërsa Matondo, i cili u la pushim të martën, është kthyer normalisht në ushtrime me grupin. Nga ana tjetër, edhe Atanaskoski u rikthye në stërvitje për herë të parë. Ai po i nënshtrohet një programi personal rikuperimi, por është shumë e vështirë që të jetë gati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb