Një arratisje me mikeshat në stilin “Sex and the city”, për të festuar ditëlindjen, duke eksploruar Amsterdamin dhe duke provuar ekstazën e tymosjes së barit. Einxhel Shkira në këtë sezon pauze në televizion rrëfen për gazetën “Panorama” udhëtimin aventuresk, eksperiencën e parë me hashashin si një lloj rebelimi ndaj paragjykimeve në Shqipëri dhe viteve që ikin…

Fotot e ditëlindjes tënde me mikeshat bënë xhiron e rrjeteve sociale. Si festove?
Festova ashtu siç e kam pasur ëndërr gjithmonë dhe mezi e realizova. Të udhëtoja me shoqet e ngushta për ditëlindje ishte ëndrra ime dhe s’e di pse sivjet m’u fiksua Amsterdami. Kështu mblodha vajzat, premë biletat për katër ditë rezervuam një hotel dhe në fakt këto janë bërë në moment të fundit (se ndonjëherë kur mendohesh shumë gjatë s’e bën fare). Kështu, vetëm kur e gjetëm veten në Amsterdam. (qesh)
545787845748754578
Dihet që Amsterdami është qyteti ku njerëzit janë të lirë të tymosin. Mund të na zbulosh itinerarin e festimeve të tua për të kënaqur veten dhe mikeshat?
Blemë bluzat me Amsterdam, bar e me “redlight distrikt”, pasi ky ishte dress code(qesh).Dolëm, festuam të gjitha netët në mbrëmje, ndërsa gjithë ditën nëpër qytet duke eksploruar, e duke provuar atraksionet e Amsterdamit. Nuk ishte siç e prisja qyteti, por besoj të gjithëve u shijon prej barit.(qesh) Unë s’pi bar kurrë, e as e kam qejf dhe prandaj s’kisha shkuar kurrë atje se thosha ç’do bëj unë atje! Por zbulova që keku i ditëlindjes ishte “space cake”, pra kek me hashash. Kështu nami të bëhej do ta provoja edhe barin, dhe as nuk ndihesh keq aty duke qenë se po bën gjënë më normale aty dhe më të ligjshmen. Me pak fjalë ishte ditëlindja më e bukur që kam kaluar ndonjëherë me të gjitha festimet që bëra atje dhe këtu.

Çfarë shije të la tymosja e barit, duke qenë se e kishe për herë të parë?
Mua era e tymit të barit më jep dhimbje koke dhe kjo është një ndër arsyet që s’e kam as qejf, sepse s’duroj dot kokën pastaj. Por në këtë rast është ndryshe. Ti shkon në Amsterdam dhe sheh të rinj ose jo, që shijojnë ditën, momentin, jetën dhe kalojnë bukur. E më pas na sheh ne të ndrojtur, të kompleksuar, të shtypur nga fjala “turp” se na shohin… Ndaj unë jo më kot e zgjodha këtë qytet, sepse më ka ardhur në maje të hundës çdo njeri që flet për mua, e çdo njeri që flet për jetën e të tjerëve, ndaj doja t’u tregoja që s’kam asgjë për të fshehur. Unë e jetoj jetën time siç dua unë, për aq kohë sa faturat dhe pasojat i paguaj vetë. Bari ishte një formë rebelimi ndaj njerëzve, ndaj moshës dhe sigurisht dëshira për eksperienca të privuara vetes. E shijova jashtë mase shumë, dhe do të doja që njerëzit të kishin më shumë informacion për këtë lloj bime, jo që ta pinë, se as unë vetë s’jam konsumatore, por që të lënë rehat të tjerët ta shijojnë, nëse kjo është zgjedhja tyre.
45487879696958585896584
Më parë ke moderuar një program për muzikën hiphop. Ka ndodhur që je paragjykuar vetëm nga stili i veshjes apo prezantimit?
Gjithë jetën më kanë akuzuar për barin, sepse u dukesha tip shumë “high”, dhe thoshin që do më shkonte shumë prej hip-hop-it, kur bëja emisionin. Kështu thashë ta shikoja një herë a më shkonte apo jo? Ka pasur raste që ma kanë thënë me sigurinë më të madhe që unë e pi, dhe janë habitur kur kanë mësuar që s’e kam pirë asnjëherë. S’e di, është pak e çuditshme kur ti jeton në një vend ku bari trajtohet si krim dhe dënohesh, dhe diku tjetër është gjëja më e zakonshme ta pish, dhe madje cigarja normale ishte më problem se bari, pra nuk e ndjen më veten tende që po bën diçka të ndaluar. Dhe kur sheh djem të rinj që dënohen me vite burg për këtë gjë, e ndërkohë të tjerë janë kriminelë të mirëfilltë, dhe nuk marrin aq vite burg, të duket një superparadoks.

Patët ngacmime nga djemtë në Amsterdam, dhe do të jetoje në atë qytet?
Djemtë atje ishin shumë paqësorë. Nëse shfaqje interes vazhdonin bisedën, nëse jo, atëherë vazhdonin rrugën e tyre e shikonin punët e tyre. Madje edhe te rruga më e rrezikshme atje, s’patëm asnjë lloj problemi apo ngacmimi. Qyteti kishte shume turistë si ne, e të gjithë të interesuar për të parë qytetin e për të bërë qejfin e tyre prandaj ishim mesë të qeta. Sa për të jetuar atje, besoj se nuk do të jetoja dot kurrë në Amsterdam. Besoj që gjithë bukuria dhe lezeti i atij qyteti është që të jesh thjesht kalimtar aty, që ai të bëjë magjinë e tij. Ndryshe do të ishte qytet shumë i zymtë, me shi, i ftohtë dhe me pak orë diell. Dhe e sigurt që po të jetoja aty, një ditë do më shtypte biçikleta, sepse e kisha të pa mundur të ambientohesha me gjithë ato biçikleta dhe me korsinë e tyre. Dukej sikur kishte korsi për gjithçka, përveçse për këmbësorë.

Duke qenë se festove me mikeshat, kjo do të thotë që ditëlindja të gjeti single?
(Qesh)Po të isha çift, do kisha bërë ndonjë foto nga Kulla Eifel për ditëlindje.

Dikush mund të pyesë si ka mundësi një vajzë yll si ty single?
Single sepse kam nevojë ende të kem gjithë kohën për veten time dhe një hapësirë timen që të mos e ndaj me askënd. Sepse për momentin jam vërtet shumë e zënë dhe në një stad të jetës, ku s’duhet të shpërqendrohem nga asnjëlloj marrëdhënie, veç asaj me veten dhe qëllimet e mia.

Është e vështirë të mbash lidhje si duhet kur s’ke kohë, duke qenë se ka nga ata që mendojnë se gjendet koha për gjithçka kur do?
Është e vërtetë që gjendet koha, po kjo koha që gjendet është ajo që hiqet nga vetja, e për ta bërë këtë do të duhet të jetë dikush që dua më shumë se veten, gjë që s’e kam në plan për momentin. S’më duken më të lumtura se unë ato që s’janë single. Kështu që do të doja që lidhjen ta krijoja në një moment, ku do të isha e gatshme dhe e disponueshme për atë që dua, pa pengesat e ngarkesat që kam në këtë periudhë.

Pas moderimit të “Miss Shqipëria 2017”, me çfarë po angazhohesh këtë periudhë?
Për momentin po përgatis të hap dyqanin me veshje, dhe ndoshta së shpejti dhe një koleksion timin, për të cilin jam akoma duke punuar dhe ideuar. Por si fillim dyqani. Sa për televizionin, pata oferta këtë sezon dhe shumë persona më shtynë të rikthehesha, por s’e kisha me shumë qejf. Po e shijoj këtë pauzë, dhe ndoshta rikthimi do të ndodhë në kohën e vet.

Nga eksperiencat e tua në media, çfarë të pëlqen dhe çfarë s’të pëlqen në punën në televizion?
Më pëlqen sepse është diçka që e kam pasion dhe besoj që deri diku Zoti më ka dhënë dhe aftësinë për ta bërë realitet… Por Zoti s’kishte marrë parasysh realitetin shqiptar. Nuk mendoj që media te ne është në momentet e saj më të mira, me programe aspak interesante dhe personazhe akoma më pak interesantë. Nuk e pëlqej këtë situatë, dhe nuk do të doja ta prishja rehatinë e punës, ku je vetë shkop e vetë zot.
Burimi:http://www.panorama.com.al/einxhel-shira-iken-nga-shqiperia-hashash-dhe-festa-te-cmendura-ne-amsterdam/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: