Mijëra shtëpi u shkatërruan pas dy tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter që goditën Turqinë dhe Sirinë.

E ndërsa ka më pak shpresa se shpëtimtarët do të gjejnë të mbijetuar të tjerë nën rrënoja, pamje të pabesueshme vijnë nga qyteti i Gaziantepit.

Agjencia Anadolu raportoi se ekipet e shpëtimit në qytetin turk të Gaziantep gjetën rreth 2 milionë dollarë nën rrënojat e një shtëpie dhe ia dorëzuan ato policisë së Anadollit.

Ekipet e shpëtimit, të cilat nxorën një person nga rrënojat e banesës së Ayşe-Mehmet Polat, panë paratë.

“Në total, burri kishte me vete 2 milionë dollarë, shpëtuesit ia dorëzuan paratë forcave speciale. Burrat tanë shpëtojnë jetë mbi të gjitha, por edhe sendet me vlerë i dorëzohen policisë, ky nuk është një rast i izoluar”, tha shefi i brigadës së zjarrfikësve në Gaziantep, Cafer Yılmaz.

Më herët, Ministria e Situatave të Emergjencave të Rusisë raportoi se shpëtimtarët nga Federata Ruse gjetën 150 mijë dollarë cash nën rrënojat e një ndërtese banimi në Turqi, fondet iu transferuan policisë lokale.

Më 6 shkurt, tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 kanë ndodhur në Kahramanmaraş në intervale prej 9 orësh. Lëkundjet u ndjenë në 11 provinca të vendit dhe vendet fqinje, përfshirë Sirinë. Sipas të dhënave të fundit në Turqi dhe Siri kanë humbur jetën mbi 45 mijë persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb