Sot nuk ishte dita e ekipeve shqiptare. Teksa shiheshin si skuadra pretendente, ekipet tona sot u eliminua nga Conference League.

Fillojmë me Vllazninë. Shkodranët besuan se mund t’ia dilnin me entuziazëm ndaj Universitatea Craiova, por kjo nuk mjaftoi. Djemtë e Josës pas barazimit 1-1, sot u mundën 3-0.

Laçi bëri një paraqitje fantastike në Moldavi ndaj Petrocub, duke ruajtur portat e paprekura, edhe pse ishte me një lojtar më pak. Sot, në Shqipëri, u mund 1-4.

Dështon edhe Tirana. Bardheblutë ishin mposhtur 1-0 në kryeqytetin tonë nga Zrinjski, sakaq 90 minutëshi i sotëm përfundoi 3-2 në disfavor të tyre. Në fushë ishin po të njëjtit lojtarë që luajtën edhe ndaj Dudelange, në Champions League.

Skuadra që bëri krenar shqiptarët është Shkëndija. Të besuarit e Shaqirit vijojnë ëndrrën Europë, pasi tashmë e shohin veten në turin e 3-të të Conference League. Kjo e drejtë u jepet pas fitoreve 2-1 dhe 3-1 ndaj letonezëve të Valmierias.

Ballkani ishte me fat në turin e dytë të Conference League. Fati u rezervoi një kundërshtar si La Fiorita dhe ndaj modestëve të San Marinos, kualifikimi ishte diçka rutinë. Skuadra dardane fitoi 10-0 me rezultatin e përgjithshëm.

 

(BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb