AUSTRI – Ekipi amerikan i skive po mban zi për dy anëtarë të tij, të cilët humbën jetën nga një ortek në Austri. Incidenti ndodhi në qendrën austriake të skive Soelden, ku zhvillohen garat vjetore të hapjes së Kampionatit Botëror të Skive.

Gjashtë anëtarë të ekipit amerikan po bënin ski në grup, kur u goditën nga orteku. Katër prej tyre mundën të shpëtojnë por 20-vjeçari Ronnie Berlack dhe 19-vjeçari Bryce Astle mbetën të vdekur. Në momentin kur ndodhi fatkeqësia me skiatorët nuk ndodhej asnjëri prej trajnerëve. Drejtuesi i ekipit amerikan të skive, Patrick Riml tha se ekipi i tij është tronditur nga kjo fatkeqësi.

Në qendrën austriake të skive Soelden ishte paralajmëruar për rrezikun e orteqeve, pasi prej disa ditësh vijojnë reshjet e dëborës, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: