TIRANE- Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorëve, Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka organizuar nëpërmjet Drejtorisë së Tregut të Brendshëm, një aktivitet të gjatë të shtrirë përgjatë gjithë ditës.

Në ora 9.00 janë ngritur 4 stenda të përqëndruara në sheshin Skenderbeu, Pedonale, rr. Elbasanit dhe ish-blloku.

Ministrja Ekonomi ka qenë sot e pranishme në një nga strendat e organizuara në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit duke dhënë dhe mesashin e saj: “E rëndësishme sot që duhet ndarë në këtë ditë është se tashmë është miratuar ngritja e Inspektoratit të Tregut, i cili ka për qëllim të rregullojë marrëdhënien mes atyre që janë konsumatorë dhe atyre që japin produktet për konsum në treg” ka thënë ajo duke venë theksin se “konsumatori duhet të ndërgjegjësohet për të drejtën që ka”.

Vizitat e qytetarëve në këto stenda kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar, duke shënuar dhe numrin më të lartë të vizitorëve në një aktivitet si ky për Mbrojtjen e qytetarit. Numri i qytetarëve ka kapërcyer mbi 1160 vetë, të cilët janë pajisuar me broshura, fletëpalosje, me të gjitha informacionet e nevojshme që duhet të dijë qytetari me qëllimin se si të ndërgjegjësohet për të drejtat që ka si konsumator.

Informacioni i shpërndarë përmbante të drejtat bazë themelore sipas legjislacionit të mbrojtes së konsumatorit, mbi kushtet e padrejta të kontratave standarte; si kredia konsumatore, paketat e udhëtimit, internetit, telefonisë fikse, etj.

Në orën 3 sot, do të zhvillohet dhe një tryezë me gjithë aktorët që janë pjesë të këtij proçesi që synon mbrojten e konsumatorit. Të pranishëm do të jenë Shoqatat e Konsumatorëve, biznesit, institucione shtetërore, entet rregullatore, etj

Më poshtë do të gjeni mesazhin e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi

Mesazhi i Ministres Ekonomi për mediat:

Sot është Dita Ndërkombëtare e të drejtës së Konsumatorit, i cili duhet të mbrohet dhe duhet të respektohet për të gjitha llojet e konsumeve që ai bën në tregun vendas. Ne sot kemi dalë me disa stenda për të bërë një sensibilizim të kësaj dite ku mesazhi është shumë i qartë për konsumatorët: “Njihuni me të drejtën tuaj për t’i shërbyer vetes më mirë”. Ndërkohë, janë dy ngjarje të rëndësishme që kanë ndodhur në këtë ditë. E para, që ky lloj projekti ndërgjegjësimi po zhvillohet jo vetëm në nivelin qëndror, por edhe në nivel lokal. Sot, në 61 bashkitë e vendit, ka një njësi të vogël që merret me të drejtat e konsumatorit. Gjëja tjetër e rëndësishme që duhet ndarë në këtë ditë është se tashmë është miratuar ngritja e Inspektoratit të Tregut, i cili ka për qëllim të rregullojë marrëdhënien mes atyre që janë konsumatorë dhe atyre që japin produktet për konsum në treg.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka për detyrë të mbrojë për konsumatorin për të gjithë ato lloj produktesh që hidhen në treg, që janë produkte jo ushqimore. Pra, produktet që kanë të bëjnë me të mirat afatgjata dhe me shërbimet. Kështu që, për këtë detyrë që ne kemi, jemi të angazhuar të informojmë gjithmonë e më mirë konsumatorin shqiptar.

Ju faleminderit dhe besoj se do të keni dhe ju shansin për tu njohur me broshurat dhe me informacionin që vjen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Dua të theksoj edhe një herë faktin se kjo është një ditë ndërkombëtare. Sot në të gjithë botën ka një iniciativë për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit lidhur me produktet që ai konsumon në jetën e tij të zakonshme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: