Nga: ERJOLA JATA*

TIRANË- Mes debateve Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi ashpërsimin e gjobave ndaj bizneseve që bëjnë evazion fiskal. Por duket se neni, i cili ka ngjallur më shumë debat dhe është rrëzua nga ky komision, është neni 6, i cili parashikon që klienti të mos paguajë kur nuk i japin kupon tatimor.

“Ky ligj është demagogji, ku shkon ky ligj? Në një Kod Civil dhe marrëdhëniet midis individëve për të tilla konflikte janë në përputhje me Kodin Civil, çfarë janë këto kinezërira civile?”,- tha Ridvan Bode.

“Propozojmë që ky nen të hiqet, është një moment më shumë juridik dhe një marrdhënie mes tre palësh që është shumë e vështirë të zgjidhet në terren. Do ketë shumë raste dhe do ketë mjaft problematika”, – tha Përparim Spahiu.

Për zv.ministren Irena Beqiraj ky nen është i nevojshëm.

“N.q.s një individ e do kuponin tatimor i lind e drejta që ta kërkojë dhe i lind e drejta që mos e paguajë nëse shitësi me vetëdije nuk ia jep kuponin tatimor”,- tha ajo.

Një pikë tjetër e debatuar në Komisionin e Ekonomisë ishte ajo e gjobës 10 mln lekëshe për çdo biznes që kapet me mall të padekumentuar. E kjo masë për opozitën është e pajustifikueshme dhe rëndon aktivitetin e biznesit ndaj ajo propozon një amendament.

“Për të gjithë tatimpaguesit e biznesit të vogël deri në kufirin 8 mln lekë, të cilët aktualisht nuk disponojnë fatura të rregullta tatimore për mallin që kanë në gjendje në njësinë e tyre brenda datës 31.12.2015 të bëjnë vetëdeklarimin e tij. Paguesit e biznesit të madh me xhiro vjetore mbi 8 mln lekë të fusin në koherencë gjendjen e mallrave fizike me gjendjen kontabile të tyre”,- Igli Cara.

“Ju më thoni apo thotë zotëria që po i marr frymën, jo mos s’po i marr frymën, po i them rri i ligjshëm. N.q.s rri i ligjshëm dhe nuk më vjedh, natyrisht nuk të kushton gjë të bëhesh, i paligjshëm do të kushtojë”,- tha Erjon Braçe.

Pritet që projektligji për procedurat tatimore të kalojë për miratim në seancën plenare të kësaj të Mërkure.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: