NGA: ERJOLA JATA* TIRANE- Ministria e Ekonomisë ka filluar procedurën e anulimit të lejeve të dhëna nga qeveria e mëparshme për ngritjen e parqeve industriale në Zonat Koplik, Shëngjin, Spitall, Vlorë. Në komisionin parlamentarë të ekonomisë ministri Arben Ahmetaj tha se për zonat që gjenden në Durrës, Koplik dhe Vlorë tenderi pritet të zhvillohet brenda dy muajve ndërsa kompania fituese do të shpallet gjatë muajit Tetor ose Nëntor.

“Ministria e Ekonomisë ka filluar procedurën për anulimin e atyre lejeve që kanë fjetur me vite Koplik, Shëngjin, Spitall, Vlore. Është e rëndësishme ta kalojmë sa më shpejt këtë ligj në mënyrë që përpara fillimit të verës të kemi hapur garën ndërkombëtare në tetor apo në nëntor i cili mund të bëhet gati në 2016.”, tha Arben Ahmetaj.

Ish-ministri i financave Ridvan Bode e cilësoi këtë ligj si një lojë fjalësh dhe një përpjekje për tu thënë investitorëve se do t’ju falin 50 % e tatim-fitimit.

“Ky ligj ka ekzistuar që në fillimin e viteve 90 thelbi i këtij ligji është thjesht lojë fjalësh dhe një përpjekje për të thënë që do t’ju falim 50 % të tatim fitimit. Në një vend ku situata politike juridike e kontratave është zero sepse vetë qeveria behet faktori i këtij destabiliteti dhe mungesës së garancive. E konsiderojmë thjesht një demagogji të radhës”, pohoi Bode.

“Ti e ke zakon Z.Bode që vjen flet dhe ikën,unë e kam dëgjuar disa herë sigurinë juridike për kontrata investimesh të rëndësishme që qënkan prishur apo qenkan cënuar në këtë vend, por për hir të së vërtetës ato kontrata që duheshin prishur nuk janë prishur ende. Është kontrata e koncensionit të markimit të karburanteve e cila pavarësisht se është ne kushte monopoli skandaloze e cënuar edhe nga autoriteti i konkurrencës është firmosur individualisht nga Z.Bode, është kontrata e koncensionit të kontenierëve me kosto të jashtëzakonshme mbi çdo sipërmarrje”, tha Erjon Braçe.

Kompanitë në këto zona përjashtohen nga 50 % i normës së tatim fitimit për 5 vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre në zonë, përjashtim nga TVSH-ja dhe taksa e infrastrukturës.
 (ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: