Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj, fuke folur në “News 24” në lidhje me situatën aktuale ekonomike në vend, u shpreh se ky është një vit i vështirë për financat, kryesisht për shkak të koronavirusit.

“Ky është një vit i vështirë. Kemi mbyllur një 8 mujor për një total prej minus 48 miliardë lekë dhe sigurisht një ulje që mund të vijojë deri në fund të vitit. Ne kemi parashikuar një recension ekonomik në minus 4.5 për qind. Në raport me shpenzimet, kemi shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe kemi shtuar investimet kapitale, sidomos për situatën nga tërmeti”, tha Denaj.

Anila Denaj pranoi se është rritur numri i të papunëve gjatë pandemisë, kurse shtoi se shumë prej atyre që kanë humbur vendin e punës, tashmë janë punësuar në kompani të tjera.

“Bizneset kanë pasur reduktim të të ardhurave. Kjo nuk erdhi vetëm për shkak të pandemisë. Për turizmin, pritet që të ketë lajme pozitive. Për papunësinë, ne kemi krijuar një agjenci ku mund të gjendet punë. Ka pasur rritje të të papunëve në kohën e pandemisë. Por, kthimi në punë pas pandemisë nuk mund të injorohet. Ne do ta marrim veten gradualisht. Taksa progresive po jep rezultatet e veta në mënyrë pozitive. Ne po mbështesim bizneset po ashtu”, vlerësoi Denaj.

Më tej, Denaj theksoi se ka kohë që është diskutuar për rritje pagash për mjekët dhe arsimtarët.

“Ka 3 muaj që diskutojmë çështjen e rritjes së taksave. Është diskutuar për rritje të pagave dhe të arsimtarëve. Mjekët sigurisht do të kenë rritje pagash, pasi po përballen me një sëmundje jo të lehtë. Nuk do të doja të përmend rritjen, pasi kjo i takon kryeministrit. Unë duhet të flas pas vendimit të VKM-së”, vlerësoi Denaj.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb