Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim nga Durrësi deklaroi se me ardhjen e partisë së saj në pushtet Shqipëria do të kthehet në ‘shtëpinë e investimeve’.

Gjatë fjalës së saj teksa u prezantua programi i LSI për qytetin bregdetar, Kryemadhi tha se investitorët e huaj janë përzënë nga Shqipëria, ndërsa shtoi se përgjatë këtyre viteve të qeverisjes nga Rama nuk ka pasur investime të reja. Ajo theksoi se porti i Durrësit do të jetë një stacion lider në rajon.

Ndër të tjera Kryemadhi tha se ekonomia shqiptare është ‘marrë peng’ nga kjo qeveri.

“Ndjekja juaj e këtij projekti, duke parë me të mirat dhe të këqijat, kemi një produkt që është i prekshëm. Tashmë këtu në Durrës puna është gati. S’mund të themi se këtu nuk ka njerëz, por projekti është gati. Është me rëndësi që mos të krijojmë hapësira që elitën e Durrësit, mos ta largojmë. Në mënyrë të tillë që të nxisim zhvillimin. Ky projekt për zonat e lira e kthen Durrësin në një qytet lider në rajon. Durrësi me një port të tillë, e bën atë lider në rajon. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë mundësi për të paguar, ne kemi mundësi që të kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e investimeve, jo vetëm të huaj, por dhe vendase. Ekonomia është tregu i lirë dhe një ekonomi e çliruar nga monopolet do të ishte një avantazh për të krijuar investime dhe punësim të mire paguar. A është e vërtet që në Shqipëri s’ka investime të huaja madhore? Përveç TAP dhe disa investimeve të tjera, investimet e tjera janë zero. Kjo është e vërtetë, mjafton që të shohim se çfarë ka ndodhur me rastet e investitorëve të huaj. 25 prilli do t’i japë fund kësaj lloj sjellje me investitorët. Duke krijuar një hapësirë me zonat e lira, do krijojmë këtë proces, për të mos përplasur investitorët me pronarët fiktivë apo ata të ligjshëm. Janë me mijëra vende pune që nuk janë hapur. Të gjithë e mbajnë mend premtimin për 300 mijë vende të lira punë, që s’u mbajtën, por janë 600 mijë shqiptarë të larguar. Ne përmes 5 pikave kemi marrë angazhimin tonë, që Shqipëria të jetë jo vetëm shtëpia e investimeve, por të japë hapësira. Siç është marrë peng ekonomia e Durrësit, është marrë dhe ekonomia e të gjithë shqiptarëve.”, tha Kryemadhi.

Fjala e Kryetares së LSI Monika Kryemadhi në prezantimin e programit në Durrës
Doja t’ju falenderoja për këtë prezantim të detajuar, përsa i përket zhvillimit të zonave të lira porsa i përket krijimit të një vizioni për zhvillimin e Durrësit. Për ju si durrsakë që punoni dhe jetoni, është më i besueshëm së sa shumë programe politike që nganjëherë janë edhe demagogjike për vetë biznesin dhe profesionistët e fushës. Por angazhimi juaj, ndjekja juaj e gjithë këtij projekti prej disa muajsh duke e parë me të mirat dhe të këqijat, avantazhet dhe disanvantazhet kemi sot një produkt që është real, i prekshëm, i drejtpërdrejtë dhe krijon hapësirë jo vetëm për punësimin e të rinjve por dhe rritjen profesionale te tyre por dhe një impakt të jashtëzakonshme të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë por dhe me paga të mirëpaguara. Pra doja të thoja që puna këtu në Durrës është gati. Njerëzit janë gati. Nuk mund të themi që nuk ka njerëz, nuk mund të themi që nuk ka ide. Durrësi ka ide, ka njerëz, ka vizion, ka djem dhe vajzat e tij që janë prezente për të marrë përsipër sfidat e tyre dhe për ta drejtuar Durrësin në atë drejtim që Durrësi ka nevojë. Kjo duhet të jetë barrikada e parë ndaj shpopullimit të Durrësit sepse është shumë e domosdoshme që ne mos  krijojmë hapësira që vajzat dhe djemtë e shkolluar, elita e Durrësit të largohet nga Shqipëria për shkak të mungesës së zhvillimit jo vetëm të ekonomisë së Durrësit por dhe zhvillimit të ideve dhe vizioneve të cilat janë të domosdoshme.

Ky projekt për Zonat e Lira Ekonomike, siç u prezantua sot, e kthen Durrësin në qytet lider në rajon për tërheqjen e investimeve. Zonat e lira të Maqedonisë pa pasur port, pa pasur dalje në det kanë një hapësirë të jashtëzakonshme apo në Serbi, Bosnje Hercegovinë. Ndërsa Durrësi i cili ka një port të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që mund të krijojë zhvillime dhe kontakte të pafundme me rajonin, botën, Europën e bën atë lider. Por vetëm vullneti politik dhe dëshira e mirë e qeverisë apo e politikës krijon hapësira pafundësisht. Ky projekt krijon jo vetëm mundësinë e punësimit të mirëpaguar por do të sjellë dhe investime për të arritur aty ku ne duam ta kthejmë Shqipërinë në “Shtëpinë e Investimeve” siç duam ta bëjmë Shqipërinë, shtëpinë e shqiptarëve. Ne kemi mundësinë për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë e investimeve, jo vetëm të huaja por dhe vendase. Ka shumë shtetas  shqiptare me nënshtetësi amerikane që duan të investojnë në Shqipëri apo që kanë emigruar dhe jetojnë në Francë, Gjermani, Angli kudo të cilët duan të investojnë por hapësirat janë shumë të vogla dhe e bëjnë të pamundur prezencën e tyre. Ekonomia është Tregu i Lirë, është ekonomia e çliruar nga monopolet, do të ishte avantazh i jashtëzakonshëm për të krijuar një klimë biznesi në mënyrë  të tillë jo vetëm për të krijuar sa sa më shumë investime të huaja por edhe për të krijuar një punësim të mirëpaguar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb