NGA ORNELA MANJANI*

TIRANE-Tregjet reflektojnë krizën ekonomike, duke shënuar rënien e konsumit në nivelin më të ulët që nga viti 2003. Qytetarët po shpenzojnë vetëm për të blerë produktet e domosdoshme të jetesës. Ky fakt pasqyrohet në normën e inflacionit, i cili në muajin shkurt arrit nivelin më të ulët në 13 vitet e fundit, në 0.2%, nga 2.3% që ishte një vit më parë. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave në raportin “Indeksi i çmimeve të konsumit shkurt 2016” pasqyrojnë një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit, e cila shoqërohet me një rënie të ndjeshme të produkteve joushqimore dhe transportit.

Raporti
Në raportin e INSTAT-it mësohet se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan”, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” etj., e krahasuar kjo me shkurtin e vitit të shkuar. Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27,8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 9,6%. INSTAT-i raportoi se, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë e vezë” u ulën me 6,1%, pasuar nga nëngrupet “bukë e drithëra” me 2,4%, dhe mishi me 1,3% etj. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet edhe në grupet “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 2,2% etj. Krahasuar me muajin janar 2016, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 3,3%. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,3%. Ndërsa, krahasuar me muajin shkurt 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6%, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,2% etj. Sipas raportit, brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 27,8%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 9,6%, nëngrupi “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 1,5%, nëngrupi “vajra dhe yndyrna” me 0,2% etj. Rritja vjetore në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,78 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me + 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me + 0,02 pikë përqindje.

Rënia e çmimeve
Në raport mësohet se çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me -0,27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,14 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar respektivisht me -0,09 dhe -0,03 pikë përqindje.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: