Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi sot raportin e politikës monetare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp të së mërkurës tha se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 0.5 %”.

Sejko theksoi se mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1 % dhe 0.9 %.

Kreu i Bankës Qendrore vuri në dukje se, “politika monetare mbetet e përshtatshme për mbështetjen e rritjes ekonomike në horizontin kohor afatmesëm, në funksion të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv 3% në vitin 2022”.

“Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi raportin 3-mujor të politikës kombëtare. Informacioni i ri i marrë në analizë tregon se ekonomia shqiptare po vijon të rimëkëmbet nga goditjet e marra nga tërmeti dhe pandemia. Kjo ecuri vihet re në rritjen e vëllimit të aktivitetit ekonomik, në zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave, në përmirësimin e bilanceve financiare në sektorin privat si dhe në rritjen e qëndrueshme të kredisë bankare.
Informacioni i ri tregon rritje të inflacionit si në ambientin e huaj ashtu dhe në ambientin e brendshëm. Rritja e inflacionit u diktua kryesisht nga goditjet e ardhura si pasojë e disbalancës së kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse në rritje, presionet e brendshme për rritjen e pagave, punësimit dhe të inflacionit janë ende të moderuara. Ekonomia shqiptare do vazhdojë të rritet në horizontin afatmesëm e mbështetur nga stimuli monetar, duke krijuar premisa për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit objektiv brenda vitit të ardhshëm.
Inflacioni erdhi duke u rritur në 3-mujorin e tretë, në masën 2.4%. Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit 0.5%
Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se materializimit i skenarit bazë, i forimit të rimëkëmbjes do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë 3 muajve në vijim”, deklaroi Sejko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: