Nga MARSELA KARAPANÇO*

TIRANE – Komisioni i Ekonomisë kishte sot pikë të parë të rendit të ditës, ligjin për privatizimin e INSIG, por mosparaqitja në orar e përfaqësuesve të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, bëri që kryetari Erjon Braçe ta shtyjë në një seancë tjetër. Reagimi i opozitës ka ardhur përmes ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, sipas së cilit, qeveria e ka bërë rrugë mosdhënien e llogarisë në komisionet parlamentare, ndaj i ftoi deputetët të zbresin nga kati i katërt e t’i bashkoheshin protestës së opozitës.

Por një orë më pas, është shfaqur në komision zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit Ervin Mete, i cili komentoi privatizimin e INSIG.

Sipas Braçes, privatizimi i kësaj kompanie tashmë e destinuar të mbulojë vetëm 3% te tregut, nuk duhet të shërbejë për të pasuruar takëmin e atyre që e kanë drejtuar ndër vite, mes të cilëve ka edhe persona që kanë kryer vepra penale. Ky projektligj u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

BRAÇE: ATA QE SHKAKTUAN KRIZEN E SISTEMIT ENERGJITIK, PARA DREJTESISE

Ligji mbi “Pagesat e vonuara te kontraktimeve tregtare” u ndal sot në Komisionin e Ekonomisë, pas diskutimit që iu nënshtrua një dite më parë në komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, borxhet që kompanitë publike i kanë operatoreve tregtarë privatë, ia faturoi qeverisë së kaluar.

Ndërsa për kreun e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, shkaktarët e gjendjes alarmante ku ndodhet sistemi energjitik duhet të shkojnë përpara drejtesisë. Edhe ky projektligj u miratua në komision vetëm me votat e mazhorancës.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb