Eksperti i Ekonomisë Dritan Shano në një intervistë në “News 24” deklaroi se në këto dy muaj pandemi, ekonomia shqiptare është dëmtuar shumë rëndë.

Shano tha se qeveria nuk ka shpërndarë “pagë lufte”, sic i pëlqen ta quajë, por “pagë zbori”, edhe atë jo për të gjithë, duke nxitur, sipas tij, varfërinë.

“Unë mendoj se ekonomia shqiptare në këto dy muaj është dëmtuar shumë rëndë. Kjo sepse ne vijmë nga një situatë shumë pa avantazh, pas atij tërmeti, që krijoi frenim ekonomik. Ekonomia personale dhe ajo e bizneseve është ulur. Jemi në një situatë aspak të këndshme. Dihet se Shqipëria është ekonomia më pak produktive në të gjithë kontinentin, që do të thotë se aftësia e saj për t’u ripërtërirë është tepër e vogël.

Qeveria ka mbyllur ekonominë, ka ndaluar cdo gjë, ka thënë se do japë ata që i quan paga lufte, por unë i quaj paga e zborit, se është zbor dhe ata nuk janë marrë shumica. Edhe Rama ka thënë se paketat kanë pasur probleme. Gjithë situata është mbajtur nga kursimet që kanë pasur shqiptarët e jo nga qeveria. Qeveria iu ka marrë 2.1 miliardë euro shqiptarëve dhe nuk iu ka kthyer as 100 milionë në këtë moment vështirësie të krijuar nga vetë ajo”, tha Shano.

Dritan Shano theksoi se bizneset e qytetarët kanë mbajtur koston më të madhe të kësaj situate, ndërsa qeveria vetëm ka nxitur varfërinë.

“Shqiptarët dhe bizneset kanë mbajtur koston e kësaj situate të pazakontë. Ekonomia shqiptare është në një situatë të rëndë. Qeveria duhet të ndihmojë biznesin, pasi biznesi mund të ripërtërijë ekonominë. Hipoteza e qeverisë se ndihma ndaj njerëzve është e mirë, është gabim. Kete gafë pseudo ideologjike më duket se qeveria e ka bërë me qëllim. Qeveria dha koncesion në Porto Romano, ku një privat mori të drejta për pronë që iu takon shqiptarëve.

Kjo është sjellje që rëndon në kurriz të shqiptarëve. Kjo tregon se qeveria nuk është me bizneset e me popullin shqiptar. Qeveria është treguar tinzare ndaj bizneseve. Me garancinë sovrane, qeveria ka nxitur varfërinë. Mbi 70 përqind e bizneseve dhe njerëzve nuk kanë marrë asgjë”, u shpreh Shano.

Më tej, Shano vlerësoi se masat e marra nga qeveria shqiptare janë diktatoriale.

“Idro Montanelli thotë se socialistët i duan kaq shumë të varfërit, sa shtojnë të varfërit. Dua thjesht që unë e kushdo që mendon si unë që të kem të drejtë të mos bëj vaksinën. Shoqëritë totalitare normalisht nuk kanë qejf të tilla teza. Është shumë e thjeshtë: kush të dojë të bëjë vaksinën, kush të dojë të mos e bëjë.

Suedia ka ndjekur qasjen më të mirë, me fare pa panik, duke drejtuar strategjinë që duhet të ndiqet ndaj cdo virusi, që propozon distancë fizike me higjenë. Këto janë masa që vetëm një qeveri diktatoriale mund t’i marrë. Kam qenë kundër mbylljes sepse mbyllja nuk sjell ndonjë gjë. Mirëqenia e suedezëve nuk është e prekur. Nëse ka qeveri që thotë se e mposht vdekjen, atëherë kjo është qeveria më sharlatane në botë. Qeveria ka dështuar politikisht duke varfëruar totalisht njerëzit. Ajo që ka ndodhur është se globi sot është më i varfër se dje”, vlerësoi eksperti i ekonomisë Shano.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb