TIRANE

Ky sezon i Superligës do të kujtohet gjatë, si rrallë herë në vitet e fundit, dy java përpara përfundimit gjithçka është e hapur, mbi të gjitha gara për titull.

Katër ekipe mbeten ende në valle për trofeun më të rëndësishëm, një detaj ky që ka sjell edhe polemika në distancë ndërmjet aktorëve. Partizani rrëmbeu kreun në transfertë kundër Teutës, një ndeshje që bëri jo pak zhurmë ku në qendër përfundoi drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama.

Në një intervistë ekskluzive për “News24”, Rama nuk nguroi ti kthejë një përgjigje presidentit të Laçit, Pashk Laska, apo të gjithë atyre që aludojnë se në këtë sezon të kuq kanë pasur aleatë.

Rama preku edhe shumë çështje të tjera, çfarë pret nga dy sfidat e së premtes, Partizani-Vllaznia dhe Teuta-Laçi, apo impakti që mund të ketë ky titull në të ardhmen e klubit të kuq:

OBJEKTIVAT NË FILLIM- Nuk do kisha menduar që në fillim këtë lloj gare. Pritshmëria ime ishte qe t’i merrnim maksimumin lojtarëve. Gjatë kampionatit ka pasur momente, sidomos në fazën e fundit, mund të ishim shkëputur. Është bërë gara më tërheqëse. Ne nuk e vendosëm objektiv titullin, pasi kur rifreskon stafin, vendosëm objektiva të tjera, të fillonim të ndërtonim një ekip me harmoni. Bllokimi i merkatos ishte një vështirësi e madhe.

NDESHJA NË DURRËS- Me Teutën ishte një sfidë, që ishte përgatitur vetëm për t’u fituar. Opsioni ishte që të dilnim me 3 pikë nga Durrësi. Po luanim ndaj një ekipi që ishte me meritë aty ku ishte. Diskutimi me gjyqtarin? Kam marrë edhe një paralajmërim nga Disiplina dhe tani duhet të jem i kujdesshëm. Raportet e ndeshjeve unë i kam kërkuar disa herë, por më kanë thënë që nuk bëhen publike. Nuk i kam parë ndonjëherë. Nuk e dija që vëzhgues në këtë ndeshje, ishte i njëjti që ishte në Laçi. Në raportet e Laçit, duhet të ishin me pamje filmike për dëmtime ndaj Partizanit.

AKUZAT NGA LAÇI- Di që gjoba ndaj Laçit për tifozët ka qenë 1 milionë lekë. Më vjen mirë që të ketë transparencë. Më vjen mirë që Komisioni i Disiplinës të japë vendimet ashtu siç duhet. Të jetë njësoj për të gjithë. Unë do e pranoj atë që është vendosur për mua. Unë kam detyrë për mbarëvajtjen e ekipit dhe garës. Për atë episod në Durrës i kam kërkuar gjyqtarit vetëm drejtësi dhe të mbajë lojën drejt. Nëse do ketë penallti reale, ta jepte pas asnjë hezitim edhe kundër Partizanit. Gjici i ktheu përgjigje vetë Laskës. Gjicit i kam thënë faleminderit për fjalë. Dhe më tha që mesa kishte parë ne bëjmë lojën më të mirë. Kukësi është rivali jonë. Kanë qenë gjithmonë rivalët tanë. Respekti për Gjicin, që tha se Partizani ka treguar supermaci. Fitorja ndaj Kukësit ishte e merituar në fushë. Kishte akuza nga Laçit për piktorë, por unë i thashë se nuk jam piktor me profesion, jam arkitekt.

E SHKUARA– Në emigrimin tim të hershëm në Amerikë, kam punuar për qejf banakier dhe kamarier. Nuk kam punuar kuzhinier. Kjo ka qenë një periudhë e jetës sime. Karriera ime ka qenë me kërkime shkencore.

TEUTA-LAÇI DHE DEKLARATA E GURISHTËS– Unë pres që të dyja palët të luajnë siç luajnë ndaj nesh. Unë nuk merrem me SMS që jepen, prandaj kërkova ta shikoja vetë deklaratën e Laskës, por nëse do ishte ashtu, duhet të ishte objekt i hetimeve të Prokurorisë. Gurishtën nuk e kam dëgjuar. Unë mendoj se ky kampionat është më i luftuari, si te pjesa e sipërme, ashtu edhe poshtë. Për këtë nuk e shikoj se mund të ketë vend për aleanca.

ALEANCA- Ne si ekip për kampion, kemi humbur pikë me 3 vendet e fundit. Lufta ka qenë maksimale për të gjitha ekipet e tjera. Nuk besoj se ka pasur kombinime rezultate. Unë flas vetëm për ekipin tim, që punon me ndershmëri. E ka bërë Demi dhe ata që kanë qenë para. Sa të jem unë dhe Demi këtu do ketë vetëm ndershmëri. Ju siguroj, se unë nuk shqetësohem, pasi dëgjoj gjëra më të zeza. Nuk shqetësohemi për akuzat e kundërshtareve. Le të vazhojnë t’i fryjnë mullinjve të erës, por ata nuk lëvizin me frymë. Tifozët? Partizani ka treguar “Fair Play” me vepra.”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb