Pakënaqësi, protestë, revoltë, përplasje, armë, luftë civile janë pak sekuenca nga çfarë u përjetua nga shqiptarët në vitin e mbrapshtë 1997. Të gjendur në udhëkryqet që tranzicioni solli, shqiptarët duhet të vendosnin, të qëndronin apo të largoheshin, të jetonin pranë luftës apo të luftonin gjetiu për të jetuar. Kjo është historia e Silvana Doganit, nje emigrante shqiptare me origjinë nga Vlora, që së bashku me familjen e saj në vitin 1997 u largua drejt Italisë, për të ndërtuar një jetë më të sigurt. Bashkë me braktisjen e vendit, Silvana la pas edhe punën e saj si mësuese, pasi në vendin pritës i duhej të punonte gjithëfarëlloj punësh, për të siguruar të ardhura për veten dhe familjen.

Teksa u nis vetëm me një valixhe të vogël drejt Italisë, Silvana nuk harroi të merrte me vete gjënë më të rëëndësishme për të, pasionin për mësuesinë. Vetëm pak kohë pasi u vendos në shtetin fqinj, e frymëzuar nga historitë e familjeve italiante për të cilat punone, mes pasigurive të mëdha, në vitin 1999 ajo çeli shkollën e parë shqipe në Itali.

Në vitin 1999 lufta në Kosovë po arrinte shkallën më të lartë të agresionit. Shumë shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga vatra e luftës, duke kërkuar strehim kudo, edhe në Itali. Në punën e saj të përditshme tashmë si mësuese, Silvana u njoh me një numër të lartë kosovarësh, prej nga ku i lindi nevoja për unifikimin e teksteve shkollore, kryesisht i abetares.
Pasioni i saj për të ruajtur dhe trashëguar gjuhën shqipe te fëmijët e emigrantëve nuk mbeti pa kurrëfarë shpërblimi. Përpjekjet e Silvanës u vlerësuan nga institucionet italiane, duke i ofruar asaj mundësinë për të punuar në Zyrën e Migracionit, ku ndihmon dhe orienton emigrantë nga e gjithë bota të integrohen në shtetin italian.

Vitet kaluan duke formësuar dekada të tëra, bashkë me to u përmirësuan edhe pozitat e shqiptarëve në dheun e huaj. Të rimëkëmbur, shumë prej tyre vendosën të riktheheshin në Shqipëri dhe me paratë e kursyera nga puna në emigrim, investuan në biznese të ndryshme. Silvana rrëfen se kthimi në Shqipëri për shumë emigrantë u shndërrua në zhgënjim.
Ndër të tjera, mësuese Silvana pohon se dëshira për të qëndruar në Shqipëri është e madhe, por shumëçka këtu është në ngërç, duke filluar nga arsimi e deri te shëndetësia.

Kjo është historia e Silvana Doganit, e gruas që me pasionin për mësuesinë u dha mundësinë fëmijëve shqiptarë në Itali, të mëson dhe trashëgonin gjuhën amë. Këta fëmijë teksa lexojnë plot pathos vargje nga poezia shqipe, dhurojnë një përshëndetje për të gjithë ne.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb