Ndërsa Kosova ngjan se ka hyrë në dialog intensiv me Serbinë, ‘kokat e elitës’ politike të Kosovës, dikur komandantë të UÇK-së gjenden në Hagë, në një gjykim ndërkombëtar, miratuar me ligj të Kosovës.

Njëri prej komandantëve të Zonës Operative të Llapit, dikur dhe deputet, flet për këto procese ku ka hyrë Kosova, me pjekuri të pazakontë. Ai konsideron se e vërteta për krimet e luftës të pretenduara në Raportin e Dik Martit, mbi të cilin u ngrit kjo Gjykatë në Hagë, do të dalë në shesh.

Rustem Mustafa, udhëheqës politik i PDK flet për “NEWS 24” në këtë bisedë ekskluzive dhe të rrallë për analistin Mentor Nazarko, për gabimet e Kosovës dhe bën thirrje për pajtim midis krahëve politikë të Kosovës sot.

Ai thotë se mungesa e traditës shtetërore ka përcaktuar në mungesën e dënimeve te krimeve të luftës nga Serbia. Komandant Remi, hedh një urë pajtimi me kryeministrin Kurti duke e quajtur njeri te luftës, duke provokuar pakënaqësinë e bashkëluftëtarëve të vet.
Rustem Mustafa i përgjigjet pyetjes së veçantë:

“Pse Kosova nuk mund ta përdorë në favor të vet, njëjtë si Kroacia, faktin që drejtues të saj janë në gjykim ndërkombëtar. Ai lëshon dhe mesazhe të koduara për politikën dhe jashtë saj, në lidhje me Hagën, dialogun, etj në një rrëfim interesant…”

Ai tregon se si u përfshi në UÇK dhe mori rolin e komandantit për Prishtinën pas rënies së Zahir Pajazitit. Si një prej komandantëve të paakuzuar për krime lufte, Mustafa, thotë se janë prodhuar akuza për të degraduar figurat e UÇK-së, akuza që janë rrekur të përfshijnë dhe NATO-n e Shqipërinë.

Për fat të keq, vëren ai, shpesh janë vënë shqiptarët në shërbim të kësaj propagande ndërsa e gjykon se Gjykata Speciale është e vështirë, megjithëse ai nuk ka besuar se komandantët do ishin në qeli pa prova. “Ne e votuam gjykatën speciale por askush nuk ka qasje në dokumente dhe ne nuk kishim shumë gjëra në dorë. UÇK nuk kishte kapacitete për të bërë krimet që pretendohet. Mendoj se Gjykata speciale duhet të ketë edhe shqiptarë. Duke qenë se nuk ka asnjë provë për akuzat që ju bëhen komandantëve, nuk duhet keqpërdorur jeta e njerëzve për dëshmi të rreme”, tha Mustafa.

I pyetur nga Nazarko disa herë se pse ish komandantët që drejtuan shtetin pas lufte, nuk arritën në mbledhin prova për krimet e serbëve në Kosovë, Mustafa foli për mungesë kapacitetesh njerëzorë dhe tha se shumë prej prokurorëve dhe gjykatësve ishin me mendësi të shkuar.


Sa i takon padisë që shteti i Kosovës do të bëjë ndaj Serbisë për gjenocid, Mustafa thotë se e mbështet, sepse konsultimet që ai ka bërë me juristë, e shohin si të mundur dhe besojnë se ka edhe prova për këtë.
Megjithëse, ish komandant lufte, Mustafa thotë se “Dialogu me Serbinë duhet të jetë përparësi e ndonëse Kosova nuk kishte asnjë borxh që të dorëzonte komandantë, krimet e luftës duhen lënë jashtë dialogut me Serbinë”.

Ai shpjegoi edhe njëherë një deklaratë të tijën që pati ngjallur reagime, sipas së cilës, kryeministri Albin Kurti (lideri i VV-së) mund të quhet veteran lufte. “Ai ka qenë pjesë e një zyre dhe ka punuar për Adem Demaçin. Të gjithë ishim pacifistë deri sa pamë që kjo mënyrë nuk ecte, por nuk duhen gjykuar ata që nuk morën armët”, thotë ai.

Në fund ai mendon se Kurti po trembet nga Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb