Ekuilibrat ishin prishur prej kohësh, por sherri me zëvendësin e tij, Dritan Mehmetin, bënë që edhe besimi më i fortë i drejtuesve për ish-trajnerin e Torinos të thyej. Në heshtje ata kanë shpresuar te një përmirësim i situatës, rezultateve dhe marrëdhënieve, por në fund duket se janë dorëzuar.


Burime të sigurta për “Balkanweb” pranë klubit të kuq bëjnë me dije se Franko Lerda i ka orët e numërura, më saktë ditët, pasi sipas të gjitha gjasave, ai nuk do të jetë më në krye të ekipit me rifillimin e kampionatit pas shkëputjes dimërore.


Seria e gjatë e konflikteve, prishja e balancave në ekip dhe rezultatet nuk janë në favor të Lerdës, pavarësisht se Partizani ka kryesuar kampionatin prej 6 javësh. 7 fitore, 4 humbje dhe 4 barazime janë rezultate për një ekip që synon vetëm zonën europiane, por frenimet e njëpasnjëshme të të gjitha skuadrave e kanë mbajtur ekipin kampion në krye, që dje, vulosi disfatën e dytë radhazi.


Partizani nuk ka as sulmin dhe as mbrojtjen më të mirë, ndërsa vjet me Gegën dhe me një merkato jo kaq të bujshme, kryesonte renditjen me 34 pikë, 9 më shumë sesa sot dhe me një golavarazh 17-7, ndërsa tani pas 15 ndeshjesh ka 18 gola të shënuar dhe 12 të pësuar.

Tifozët kanë qenë gjithnjë skeptik ndaj Lerdës, që ka pasur gjithnjë mbështetjen totale të drejtor Olsi Rama dhe këshilltarit Dritan Dervishi, njeriu që e afroni tek ekipi i kuq, por që me punën e bërë deri tani, thjesht ka konfirmuar se është një vite dritë larg Skënder Gegës, qoftë në rezultatet në fushë, qoftë me sjelljet e tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb