Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Përmbajtja e mendimeve të diskutuara evidenton edhe taktikën e shfrytëzimit të mosmarrëveshjeve midis Vladimirit dhe Fiqiretit, që kuptohet lehtë se do të ndikonte në opinionet familjare edhe me dhënien e rolit dhe rëndësisë së veçantë të tij si person, për të diferencuar Vladimirin nga pjesëtarët e tjerë të familjes Shehu. Thjesht dhe qartë bëheshin diferencime, krijoheshin kushte për përçarjen familjare dhe lihej fajësia po brenda familjes për ngjarjet e mëvonshme. Të dhënat e publikuara nga pjesëtarët e familjes Hoxha dhe persona të tjerë pranë tyre evidentojnë se Enveri e ka bërë këtë veprim me paramendime të qarta të eliminimit të kryeministrit dhe ka shfrytëzuar thashethemet e opinionit të familjarëve të Bllokut që njiheshin edhe në rrethe më të gjera shoqërore. Ky fakt hedh poshtë pretendimet se Enveri ka reaguar i shtyrë nga fjalët e përhapura, se djali i madh ishte në konflikt me Fiqiretin dhe për këtë arsye kishte ikur të jetonte bashkë me gruan në Durrës, ku kishte qendrën e tij të punës në uzinën e televizorëve.

Reagimi me shpresë në familjen e kryeministrit pas takimit të djalit të tyre me udhëheqësin.

Kthimi i Vladimirit me familjen e tij për të banuar së bashku përsëri në familjen e babait, si dhe vënia në dijeni për takimin që kishte pasur me Enver Hoxhën, është vlerësuar si një lajm i mirë dhe ka krijuar natyrshëm gëzim dhe shpresë tek të gjithë. Ankthi do të largohej për disa çaste. Me qetësinë e tyre të sugjestionuar nga situata e krijuar, ata do të qëndronin pa shpresë përballë stuhisë vdekjeprirëse që po përgatitjej për t‘i eliminuar dhe për të marrë jetën e pjesës më të madhe të familjes, me vrasje, gjak dhe dënime të rënda me burg e internim. Bindëse janë edhe shpjegimet konfidenciale të gruas së Vladimir Shehut.

Përshkallëzimi i goditjes së figurës politike të kryeministrit

Njohja në detaje e situatave të veçanta që kanë pasur ndikim të madh në ngjarjet komplekse të zhvilluara krijon një përfytyrim më realist dhe më të gjerë për tablonë e dramës në familjen Shehu. Vlerësimi i drejtë i fakteve ndihmon edhe në mënjanimin apo zbutjen e ndikimeve nga gjykimet subjektive mbi ndodhitë në Bllokun e Udhëheqjes që qëndronte si një kështjellë e padepërtueshme dhe e ndaluar për t‘u njohur nga njerëzit e thjeshtë, megjithëse në pamje vizuale optike të jepte përshtypjen e një zone të qetë banimi. Deklarimet e personave që kishin mundësi të njihnin nga afër Enverin ndihmojnë të kuptohet e vlerësohet më konkretisht gjendja e asaj kohe.

Nga mjekët, sidomos nga Ylli Popa, jepen disa të dhëna me rëndësi për të kuptuar se çfarë ndodhte në shtëpinë e Mehmet Shehut para ngjarjes tragjike. Kuptimi dhe vlerësimi i ngjarjeve të asaj kohe bëhet disi më i lehtë po të analizohen me objektivitet të dhënat nga persona të njohur dhe me integritet që kanë pasur njohje më nga afër me personazhet kryesore të dramave misterioze në parajsën e ndaluar. Rëndësi të tillë merr edhe Ylli Popa.

Ai, për vetë aftësitë e tij profesionale dhe shkencore, ka qenë një nga mjekët e besuar për Enver Hoxhën si edhe për Mehmet Shehun. Nga shpjegimet e tij për situatën në të cilën zhvilloheshin ngjarjet kundër kryeministrit mësohet më shumë lidhur me personazhet e udhëheqjes, me të cilët ishte shumë i afërt dhe përjetonte situata që personat e tjerë nuk mund t›i imagjinonin se mund të ndodhnin në atë kohë. Si mjeku që i qëndroi mbi kokë Enver Hoxhës, ai ka vënë në dukje frikën dhe dyshimet që Enver Hoxha shfaqte ndaj mjekëve që e kuronin. Ylli Popa ka dhënë intervista me mendime, të dhëna dhe fakte inspiruese edhe lidhur me personazhet e rëndësishme të udhëheqjes së partisë dhe të shtetit diktatorial, me të cilët i ishte krijuar mundësia të ishte shumë i afërt, për shkak të profesionit të tij human.

Si mjeku që i qëndroi mbi kokë Enver Hoxhës, ai rrëfeu frikën dhe dyshimet që Enver Hoxha shfaqte ndaj mjekëve që e kuronin. Personazheve kryesore, Enverit dhe Mehmetit, ai iu ka këshilluar pushimin e nevojshëm për të rigjeneruar forcat, si edhe të shmangnin ngarkesat në punë, shkuarjen për vizita dhe takimet publike me popullin. Ylli Popa ka deklaruar momentet kur acarimi mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është bërë tejet i dukshëm. Pas prishjes së fejesës me vajzën e Turdijve, në shtëpinë e Shehut ka pasur tension që kuptohej lehtë nga personat e paanshëm dhe të painformuar për gjendjen dhe zhvillimet e ngjarjeve që po tronditnin kryeministrin dhe familjen e tij. Në ato kushte të rënda kanë ndodhur edhe shqetësimet që kanë pasur pasoja direkte në gjendjen shëndetësore.

Në kohën kur u prish fejesa e djalit të tij, Mehmetit iu shkaktua një krizë në zemër dhe pësoi një atak. Dy mjekët e shtëpisë së tij kanë thirrur për konsultë ish-profesorin e tyre, Ylli Popën, i cili gjatë vizitës së tij kupton, vlerëson dhe zbulon edhe tensionin mes dy familjeve të udhëheqësve. Për t’u parandaluar rëndime të gjendjes shëndetësore të kryeministrit, si mjek ai ka dhënë edhe këshillat e tij për t‘u ruajtur qetësia.

Vetë Ylli Popa ka shpjeguar se: “Në kohën kur u prish fejesa e djalit të Mehmetit, ky i fundit pati një krizë të zemrës dhe pësoi një atak. Që të dy mjekët e shtëpisë së tij që e ndiqnin nga afër ishin nxënësit e mi. Lidhur me këtë rast, ata më thirrën për konsultë. Shkova dhe e pashë kardiogramën. Kishte shumë ndryshime dhe ishte e dukshme që diçka nuk shkonte. E vizitova, i dhashë mjekimin dhe i thashë që duhej të bënte pushime. Mehmeti e kishte zakon që sa herë bëhej regjistrimi i kardiogramës, e merrte vetë dhe e hapte me një lloj nervozizmi, diçka tipike e tija, dhe e shihte. Ishte interesante, e njihte, dhe i dallonte fragmentet që nuk dilnin mirë.

Ramiz Alia ka kërkuar informacion për gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut dhe është njohur me diagnozën e terapinë, si dhe këshillat e mjekëve. Në respekt të këshillave mjekësore, Ramizi ka pohuar se nuk do t’i krijonin shqetësime Mehmetit. Atë ditë që e vizitova, kur zbrita poshtë te dhoma e së shoqes, Fiqiretit, që të plotësoja kartelën (ishte e rëndësishme të shënoheshin të gjitha rezultatet e vizitës), në kohën që po shkruaja bie telefoni aty afër dhe më thonë që po më kërkonin mua. “Ju kërkon shoku Ramiz në Komitetin Qendror”, më thanë. Donte informacion për sëmundjen e Mehmetit. Shkova atje. Po më priste. Ia shpjegova hollësisht gjendjen shëndetësore të Shehut, dhe i thashë që duhet ta linin në qetësi, të mos merret me punë dhe të mos e ngacmonin me telefonata. “Jo, – më tha, – nuk do ta ngacmojmë”.

Midis pjesëtarëve të familjes Shehu ndihej një lloj tensioni i brendshëm në ndërgjegjen e tyre. Personat që shkonin për vizitë i konstatonin lehtë shqetësimet dhe reagimet e shtresuara dhe tensionuara në familjen Shehu. Shpjegimet e natyrshme të vizitorëve ndihmojnë për të kuptuar dhe hyrë në brendësi të mendimeve dhe gjendjes së brendshme, në ndërgjegjen e pjesëtarëve të kësaj familjeje. Mjeku i caktuar për ndjekjen e gjendjes shëndetësore të Mehmetit ka shpjeguar publikisht mendimet dhe përshtypjet e tij të sinqerta: “Pas kësaj u ktheva sërish në shtëpinë e Mehmetit. Sapo hyra, vjen drejt meje Fiqireti. Kishin një lloj tensioni brenda në familje. Ishte e dukshme. Shkova të plotësoja recetën dhe pas 2-3 minutash më thanë se po më kërkonin sërish mua në telefon. “Ju kërkon prapë shoku Ramiz”, – më thanë.

“Do të shkoni bashkë te shoku Enver. Ai do të më pyeste për shëndetin e Mehmetit. Më ngjante pak i çuditshëm ky interesim i Enverit dhe i Ramizit. Shkuam tek Enveri. Mbaj mend se Ramizi më hodhi dorën në qafë. Kur u futëm në zyrën e tij, ai u ngrit. E kishte zakon. Nuk rrinte ulur që të priste të shkoja unë te tavolina ku ishte. Ai ngrihej kur ishte mirë, vinte drejt derës të më takonte. Hymë atje dhe nuk e mbante mend që unë kisha hyrë në zyrën e tij më përpara për t’i matur tensionin. “Ja, more Pope (kështu më thërriste gjithmonë), se nuk ke qenë ndonjëherë këtu ti. Unë kam hapësirë këtu. Partia më ka krijuar kondita”.

Kjo gjuhë është përdorur gjithmonë në ato rrethana me ta. Në fillim kjo gjë më bënte përshtypje. “Ju më rekomandoni që të bëj lëvizje. Dhe unë ashtu bëj. Ja këtu kam hapësirë. Pastaj shkoj në një dhomë tjetër dhe shëtis, zbatoj porositë tuaja”. Ndërsa fliste për këto gjëra, unë po pyesja veten se pse nuk po dilte në temë. Ai më kishte thirrur për të më pyetur për Mehmetin.”. Enver Hoxha është interesuar dhe ka biseduar me mjekun dhe i ka kërkuar që Mehmet Shehu të ishte në gjendje shëndetësore që të paraqitej patjetër në Kongresin e 8-të të PPSH-së. Insistimi për të marrë pjesë në Kongresin e 8-të tregon se më pas nuk kishte më rëndësi. (Më pas ndodhën menjëherë situatat e rënda dhe ngjarja e rëndë e eliminimit të tij.)

Ylli Popa shpjegon se kur hyri bashkë me Ramiz Alinë, Enveri nuk e mbante mend që unë kisha hyrë në zyrën e tij më përpara për t’i matur tensionin. Konstatohet një disorientim substancial dhe në kohë në mendimet që shfaqte. Fliste për kushtet që i kishte krijuar partia dhe se zbatonte këshillat e mjekëve për të lëvizur. Ndërsa fliste për këto gjëra, mjeku po pyeste veten se pse nuk po dilte në temë. Ai e kishte thirrur për ta pyetur në të vërtetë për gjendjen shëndetësore të Mehmetit.

“Pastaj shkuam në një tavolinë të madhe. Enveri ishte në krye të tavolinës, në krah të majtë isha unë dhe pas meje Ramiz Alia. Atë moment nuk e vura re që Ramizi kishte përpara një manjetofon. Vazhdoi muhabeti, dhe unë i thashë këshillat që duhet të respektoheshin për zemrën. Duhet treguar pak kujdes, i thashë unë. Po, më tha, se tani është edhe kongresi. Nuk më kujtohet ekzaktësisht se i sati kongres ishte. “Duhet ta shëroni më shpejt, duhet të paraqitet patjetër në kongres. Mungesa e tij do të bëjë përshtypje, – thoshte Ramizi. Kishin filluar përplasjet lidhur me problemin e fejesës së shumëpërfolur. Ato ditë do të bëhej edhe inaugurimi i Muzeut Historik Kombëtar. Iu thashë se po të shkonte gjatë inaugurimit të Muzeut, mund të lodhej e të përkeqësohej.

“Atje mund të mos jetë, tha Enveri, por në Kongres përpiquni ta sillni. Aty Enveri filloi të fliste për Mehmetin. “E kemi shok të ngushtë, bashkëpunëtor të vjetër…”. Dhe filloi të qajë. Unë e pashë dhe u habita. Po mendoja me vete se mos isha gabim me përshtypjen që kisha krijuar për këto marrëdhëniet e fundit, dhe që i kisha interpretuar sikur nuk ishin të mira. Të qajë për tjetrin se është sëmurë m‘u duk e çuditshme!!! Por Enveri ishte artist në këtë drejtim.”

Enver Hoxha aktronte në situata të caktuara për të tërhequr më shumë vëmendjen dhe për të lënë mbresa që mendonte se ndikojnë tek të tjerët, për të krijuar dhe inskenuar me mjeshtëri situata dhe nxitur ndjenja në favor të tij. Njerëzit që e kanë njohur nga afër dëshmojnë edhe për improvizimin e situatave dramatike, duke vënë në dukje qëndrime, veprime, thirrje apo raste që lotët nuk kanë qenë të sinqertë! Ylli Popa përshkruan situata të tilla artificiale me qëndrime të çuditshme për çdo njeri, por që bëheshin akoma më të pabesueshme kur ndodhnin nga një kryetar shteti:

“Do t’ju tregoj një ndodhi që ma ka thënë Llambi Peçini, e njihja që në Elbasan. Ai e kishte shtëpinë te lagjja “Shën Koll”. Pas Çlirimit për disa vjet ai ka qenë në ambasadën tonë në Paris. Ndërsa më vonë ai ishte në rrethin e njerëzve që punonin për sigurimin e udhëheqjes. Ngjarja që më tregoi lidhet me një vizitë që Enver Hoxha bëri në Tropojë, nëse e mbani mend atë fotografinë e realizuar në kohën e vizitës së tij atje, i ulur gju më gju me popullin. Llambi Peçini e shoqëronte gjithmonë dhe thoshte për këtë vizitë: “Kur e shoqërova, shkuam në një kasolle të vjetër, ku u fut Enveri. Atë ditë frynte shumë erë jashtë dhe po prisnim që të mblidhej populli. Kur e pashë që ishin grumbulluar njerëzit përqark, i thashë: Shoku Enver, kanë ardhur njerëzit. Merreni këtë shallin dhe vëreni se jashtë fryn shumë erë. E mori shallin dhe e vuri. Tani mund të shkojmë, – i thashë.

“Mirë, – më tha, – por shko ti përpara”. Doli pak momente më vonë. Kur doli, ishte duke qarë, që ta shikonte populli. U drejtua drejt një lisi të madh, ku ishin disa pleq. Binte në sy aty mes tyre, sepse Enveri ishte trupmadh dhe bukurosh. Ai qau derisa u takua me popullin. Pati sukses të madh sigurisht.”

Farsa e preokupimit të Enverit në ato momente për Mehmet Shehun dhe qëndrimet e sinqerta të Fiqiretit që vlerësonte prekjen, deri edhe lotët e Enverit, tregonin për dy botë dhe dy këndvështrime, karaktere dhe sjellje diametralisht të ndryshme. Pas keqardhjes së simuluar do të pasonte stuhia e fshehur e reagimeve vendimtare vdekjeprurëse që po përgatitjej për të shpërthyer me egërsi. Mjeku që kishte njohur jo vetëm gjendjen shëndetësore, por edhe karakteret e pacientëve të tij.

Për këtë dramë që luhej me familjen e kryeministrit, thekson se: “Nuk duhet të harroj një moment. Në kohën kur unë i shpjegoja Enverit sëmundjen e Mehmetit, Ramizi shtypi sustën e manjetofonit dhe të gjitha ato që unë i thashë Enverit për Mehmetin janë të regjistruara. Duhet të jenë patjetër diku në ndonjë arkiv, se çdo gjë ruhej në atë kohë. Më vonë, kur unë u ktheva në shtëpi te Mehmeti, sepse lashë kartelën pa shkruar dhe duhej ta mbyllja, sapo hyra në shtëpi, më dolën njerëzit përpara, oficerë, doktorë, gruaja e Mehmetit, Fiqiret Shehu. Të gjithë më pyesnin në ankth se çfarë donte shoku Enver.

“Shoku Enver u preokupua shumë, thashë unë, madje qau kur dëgjoi për sëmundjen e Mehmetit. Kjo gjë iu bëri përshtypje të madhe. Atëherë e kuptova që nuk ishin punët mirë. Derisa Fiqireti e shkretë u preokupua dhe i bëri aq shumë përshtypje që shoku Enver qau sepse i erdhi keq për Mehmetin, domethënë se kishte akoma shpresa. Atëherë unë u binda se diçka do të ndodhte midis tyre.” Këto bindje mbeteshin në ndërgjegje, pasi përgjegjësia ishte e rëndë në rast se nuk dëshmohej besnikëri dhe bindje. Edhe shënimet për të fiksuar momente të ndryshme të takimeve dhe të rezultateve ishin të rrezikshme, pasi nuk lejoheshin.

Për këto situata para ngjarjes Ylli vë në dukje se: “Nuk mund ta them me data. Unë nuk mbaja shënime. Na kishin thënë të mos mbanim dhe shumë data i kam humbur. Nuk i mbaj mend. Por afër asaj kohe… “

– Mehmeti ka marrë mendime në radhë të parë nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Kjo mënyrë veprimi e papritur do të vlerësohej se ishte e paimagjinueshme, e pafalshme në krahasim me praktikën tradicionale që në radhë të parë të merrej miratimi nga udhëheqësi kryesor. Mehmeti ka qenë aktiv në marrjen e mendimeve dhe arritjen e një përfundimi sa më të drejtë për fejesën e djalit të tij me një vajzë me probleme politike. Për këtë qëllim bisedon hapur dhe shoqërisht me njerëz që ai ka pasur besimin se janë të drejtë dhe të besueshëm në mendimet e tyre.

Nga të dhënat e këtyre personave del se Mehmeti nuk i ka realizuar këto biseda në pozitat që kishte nga raportet zyrtare, por nga marrëdhëniet shoqërore, nga ndjenjat e tyre njerëzore. Megjithëse fragmentare, ato japin indicie për t‘u futur sadopak edhe në botën e brendshme të shtresës më konservatore që dominonte marrëdhëniet shoqërore të kohës. Bisedat do të dilnin nga korniza e rregullave dhe ritualeve të rrepta ideologjike. Ato tregojnë se si edhe pjesëtarët e lartë të udhëheqjes së kohës po fillonin të kishin interesim dhe të vepronin për të afirmuar normat e reja të shoqërisë, një shoqërie socialiste më të drejtë dhe më humane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb