Nga Qemal Lama

Marrë nga libri “Miq dhe armiq”

Arkivi i Komitetit Qendror dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku janë të depozituara dokumentet e kohës, si dhe dosjet e hetuara e të gjykuara të personave të dënuar për krime të rëndësishme kundër shtetit, të njohura publikisht apo të mbetura të pasqaruara e të lëna me qëllim në harresë, kanë prova që hedhin dritë në veprimtarinë e Enver Hoxhës si kreu i shtetit që urdhëronte e miratonte vrasje të fshehta. Enver Hoxha ishte mbajtësi i pushtetit absolut dhe vendoste për jetën ose vdekjen gjatë gjithë veprimtarisë së tij në kohën e luftës në ilegalitet, si Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pas Çlirimit në kohën që kryente detyrën e Kryeministrit e të ministrit të Punëve të Brendshme dhe më pas kur hoqi dorë nga këto detyra dhe kreu funksionet e Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, Komandantit të Përgjithshëm, Kryetarit të Këshillit të Mbrojtjes e anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH.

Nga të dhënat e bëra të njohura pas ndërrimit të sistemit politik, në vitet 1991-1992, janë bërë akuza dhe dyshime me argumentime, se në Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe nga kuadro të lartë të Sigurimit të Shtetit ka pasur të dhëna konkrete se Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu kanë zbatuar urdhra nga Enveri për arrestimin, dënimin e vrasjen e kundërshtarëve politikë. Kështu kanë vepruar edhe ministrat e brendshëm të mëvonshëm Hekuran Isai, Simon Stefani etj. për urdhrat e Enverit e të Ramiz Alisë.

Dihej se Mehmeti gjatë e pas luftës ka qenë i njohur për ashpërsinë dhe vendosmërinë në goditjen e kundërshtarëve politikë pasi merrte më parë miratimin e Komandantit, Enverit, si dhe e vinte menjëherë në dijeni atë kur vendoste vetë në rastet që nuk kishte pasur mundësi të merrte miratimin e tij. Lufta vëllavrasëse dëshmohet në masakrën në Golem të Lushnjës më 21 tetor 1943, pas prishjes së njëanshme të marrëveshjes kombëtare të Mukjes nga komunistët, me nxitjen e emisarëve komunistë jugosllavë Miladin Popoviç e Dushan Mugosha dhe pas Konferencës së Labinotit (4-8 shtator 1943), ku u shpall zyrtarisht lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar.

Brigada i sulmoi te kodra e Cen Hasanit forcat nacionaliste të komanduara nga Tefik Cfiri dhe Isa Manastirliu, dy komandantë të çetave të Ballit Kombëtar, që kishin marrë pjesë në luftimet kundër pushtuesve italianë bashkë me forcat nacionalçlirimtare: Tefiku në Mallakastër, në bashkëpunim me Mehmet Shehun, dhe Isai në luftën e përbashkët të Qafë Shtamës, nën komandën e Abaz Kupit, në 4-5 gusht 1943, një ditë pas Marrëveshjes së Mukjes. Në masakrën e 5 marsit 1944 në fshatin Peshk të krahinës së Martaneshit u mor forcërisht nga çdo shtëpi një mashkull dhe u vranë me egërsi 22 burra dhe djem. Zona e Çermenikës dhe Martaneshit njihej si mbështetëse e Luftës Nacionalçlirimtare, por u ndëshkua barbarisht.

Mehmet Shehu dhe Brigada i e drejtuar prej tij po udhëtonte drejt Dibrës. Në rrethana ende të paqarta, një partizan, i cili ishte pjesë e prapavijës së Brigadës, vritet në fshatin Peshk. Nga thëniet e pasqaruara, u dyshua se mund të kishte qenë ndonjë reagim nga fisi Biçaku, që njihej si antikomunist, por kjo e dhënë nuk u vërtetua kurrë. Ndërsa Brigada ishte në marshim, Shehu urdhëron të ndalin dhe në shenjë hakmarrjeje të pushkatoheshin 25 burra dhe të rinj. Dhjetëra partizanë nxituan të shkonin shtëpi më shtëpi që u dilte përpara dhe të rrëmbenin burra e djem. Të gjithë shprehnin habi, por urdhri ishte i prerë për këtë masakër. Pjesë e Brigadës ishte edhe një banor i këtyre zonave, Hysni Peshku, që e kundërshtoi këtë urdhër, duke deklaruar se ata që u vunë pas murit për pushkatim janë baballarë e vëllezër të partizanëve dhe se nuk kanë asnjë lidhje me pjesën reaksionare.

Pikërisht pse kundërshtoi, Shehu dha urdhër që edhe Hysni Peshku të rreshtohej pas të tjerëve dhe të pushkatoheshin në vend. Numri që kishte kërkuar Mehmet Shehu për t‘u pushkatuar kishte qenë 25 veta, por një partizan ishte shprehur se tre të rinj i kishin vrarë rrugës, pasi kundërshtuan. Në kohën që u zhvilluan luftimet për çlirimin e kryeqytetit, nga data 8 deri në 12 nëntor 1944, del se janë arrestuar 800 deri 1200 persona të dyshuar si bashkëpunëtorë me nazizmin. Në masakrën e Tiranës, më 14 nëntor 1944, në bodrumin e Hotel Bristonit u vranë 14 intelektualë.

Në Plenumin e Beratit Sejfulla Malëshova e kritikoi këtë vrasje. Sejfulla Malëshova e Gogo Nushi pranuan fajësinë. Edhe nga Enveri u pranua se ishte gabim. Pas Çlirimit, Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe ushtruan hapur terror për të eliminuar kundërshtarët e mundshëm politikë dhe frikësuar popullin. Në vitin 1947 u godit grupi i deputetëve të Legjislaturës të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që u përfshinë në këtë gjyq tërësisht të falsifikuar. Nga të gjykuarit, 15 prej tyre dënohen me vdekje në litar dhe para togës së pushkatimit.

Enver Hoxha si kryeministër dhe Mehmet Shehu si ministër i Brendshëm akuzohen për aksionin e tipit terrorist të realizuar nga Sigurimi i Shtetit për shpërthimin e një bombe në ambientet e jashtme të ish-Ambasadës Sovjetike në Tiranë, më 26.02.1951. Pas këtij, u veprua më tej me arrestime, burgosje dhe pushkatime të shumë intelektualëve, si dhe të shtresave të larta të shoqërisë në Tiranë. Që të gjithë u akuzuan për “terrorizëm dhe propagandë kundër pushtetit”. Rreth 300 persona u arrestuan, nga të cilët u vranë 22 intelektualë të njohur, të dyshuar si kundërshtarë të regjimit.

Ata u pushkatuan pa gjyq dhe u groposën në një varr të përbashkët në fshatin Mënik të Tiranës, të lidhur këmbë e duar me tela me gjemba. Nga të arrestuarit për këtë ngjarje 80 persona vuajtën dënime të gjata me burg. Ndërsa pjesa tjetër u mbajt në qeli deri më 3 mars dhe më pas u lanë të lirë, pasi ata u kërcënuan se nëse flisnin, i priste ekzekutimi. Terrori i udhëheqësve shqiptarë nuk mbështetej as nga shtetet e tjera komuniste të kampit socialist, të cilat kishin filluar të distancoheshin nga eliminimi i nacionalistëve si dhe nga dënimet politike të maskuara me luftën klasave me pasoja të rënda në popull.

Udhëheqja politike e Bashkimit Sovjetik, me anë të ambasadorit të saj në Tiranë, dënoi ngjarjen dhe masat e marra nga udhëheqja shqiptare. Më vonë Nikita Hrushovi është shprehur konkretisht kundër vrasjes së personave të akuzuar për ngjarjen e pasqaruar dhe pa u zhvilluar një procedurë e rregullt ligjore. Enver Hoxha me funksionin e Kryeministrit dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, nëpërmjet ministrit të Brendshëm Koçi Xoxe, zëvendësministrit Mehmet Shehu, etj. drejtonte dhe kontrollonte konkretisht ndjekjen, arrestimin, hetimin, gjykimin e dënimin e tradhtarëve e kriminelëve të luftës.

Vrasja e Kryeministrit Kostaq Kote

Në kohën e goditjeve që iu dhanë bashkëpunëtorëve të nazifashizmit kudo në Evropë, edhe në Shqipëri u veprua me rreptësi dhe mjetet e mundshme për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Kësaj praktike iu nënshtrua edhe kryeministri Koço Kota. Qëndrimet e tij tregojnë se ai ishte kundërshtar i nacionalistëve fqinjë antishqiptarë që synonin marrjen e trojeve dhe viseve shqiptare. Kostaq Kote nuk e ndoqi mbretin Zog në mërgim, por shkoi dhe qëndroi në Greqi duke treguar se nuk ka qenë dakord me të. Ai jetonte në Selanik në shtëpinë e vjehrrit të tij. Kishte kohë që bënte jetën e ilegalit sepse ishte shpallur armik nga qeveria e Shqipërisë, nga qeveria e Greqisë, si dhe nga qeveria e Jugosllavisë.

Në vitin 1945 një komando e forcave speciale e përbërë nga tre persona janë paraqitur befasisht në derën e shtëpisë ku ai jetonte në Selanik. Një prej tyre ishte shqiptar, agjent i sigurimit të shtetit shqiptar me emrin Anton Çeti, i dyti ishte një rus, agjent i KGB-së, dhe i treti një agjent i shërbimit sekret grek. Çuditërisht, të tre këta persona flisnin shqip! Në fillim ata janë paraqitur me mirësjellje duke i kërkuar Kostaqit të vinin me ta në Shqipëri. Sipas tyre, kishin porosi direkte nga Enver Hoxha që Kostaqi të kthehej në Tiranë për të marrë një post të lartë shtetëror. Madje që ai do të rimerrte sërish detyrën e kryeministrit që kishte lënë më 7 prill 1939.

Kostaqi e ka kuptuar që kjo ishte një grackë vdekjeprurëse agjenturore dhe nuk ka pranuar. Por pas këtij refuzimi të tre agjentët sekretë nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori, sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të gruas. Edhe ata e kundërshtuan marrjen e Koços, por përpjekja e tyre ishte e kotë. Menjëherë pranë shtëpisë mbërriti një furgon dhe Koçon e tërhoqën dhe e futën në të. Prej Selanikut e sollën në Tiranë dhe nga Tirana në burgun e Burrelit. i gjithë operacioni ishte i drejtuar dhe komanduar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe. Ai ishte armiku numër 1 i Kotes. Xoxe ishte një armik i betuar i të gjithë atyre që ishin shprehur sidomos kundër bashkëpunimit me komunistët sllavë.

Gjyqi special për Kostaq Koten drejtohej nga Koçi Xoxe. Prokuroria kërkoi dënim me vdekje, por gjykata speciale e dënoi me 30 vjet heqje të lirisë, me burg. Ka rëndësi të kuptohet përse nuk pranoi gjykata kërkesën e prokurorisë dhe përse nuk e dënoi me vdekje si bashkëpunëtorët e tjerë të pushtuesit nazifashist?

Së pari, është me vend të referohemi me të drejtë në argumentimin e bërë nga një prej të afërmve të tij, sepse jo për 30 vjet, por për asnjë ditë nuk kishte prova. Kote ka thënë në sallën e gjyqit pak a shumë se: “Më 7 prill 1939 qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se ne. Pikërisht atë që s’e bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar.” Ky arsyetim është i drejtë!

Së dyti, theksojmë se dënimi i bashkëpunëtorëve të pushtuesit nazifashist përbënte politikën kryesore për konsolidimin e pushtetit popullor. Dënimet ishin pothuajse me vdekje për çdo të akuzuar. Hetuesia dhe gjykata kuptohet se nuk kanë pasur prova të mjaftueshme për fajësinë e akuzat në ngarkim të tij. Në vlerësimin e përgjithshëm ka ndikuar edhe reagimi i tij i kujdesshëm, jo kundërshtues, si dhe shpjegimet me objektivitet për veprimtarinë dhe qëndrimet e tij si kryeministër dhe arsyet e largimit për në Greqi.

Pas dënimit me 30 vjet, Koçon e dërguan në burgun e Burrelit. Këtë burg ai e kishte firmosur për ta ndërtuar vetë kur ishte kryeministër. Kryeministri Kota ka firmosur për ndërtimin e bulevardit të Tiranës, për ndërtesat e ministrive dhe shumë vepra të tjera, rrugë, shkolla e ura. Shteti ka edhe burgje. Natyrisht do ndërtonte edhe burgje. Pikërisht aty gjeti edhe vetë vdekjen. Koçoja iu nënshtrua praktikës së rreptë të eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe do të vdiste. Ka disa variante për vdekjen.

E para, nga torturat. Nga të dhënat zyrtare dhe thëniet e të dënuarve, del se ai në fillim është futur në qelinë numër 7 të burgut. Më pas u zhvendos në qelinë pa numër. Aty gjithçka ka qenë në kufijtë e së paimagjinueshmes. E kanë lënë pa bukë e ujë, i jepnin kripë, e godisnin. Të burgosurit kanë treguar se dëgjonin për orë të tërë fjalën bukë, bukë, bukë, derisa kjo erdhi duke u zbehur dhe më pas nuk dëgjohej asnjë zë. U varros në oborrin e burgut, në atë vend që quhet e famshmja qershi. Më pas ia zhdukën edhe eshtrat. Sot ai është një nga kryeministrat e vrarë të shtetit shqiptar që nuk ka varr.

E dyta, përmendet edhe legjenda sikur e kanë hedhur nga një lartësi e madhe dhe e kanë shënuar në procesverbal si aksident. Por nuk argumentohet me dëshmitarë dhe as të dhëna dokumentare. Frika nga regjimi ka imponuar faktin që familjarët të mos kërkojnë dhe të mos bëjnë përpjekje për të gjetur eshtrat! Koçoja la dy fëmijë, Nuçin dhe Teftën. Të dy ikën në SHBA. Nuçi ka vdekur, ndërsa Tefta jeton ende. Ata kanë fëmijë dhe jetojnë në SHBA. Persekutimi ka vazhduar edhe me pasardhësit e Koços. Ata dhe të tjerë në Shqipëri ende rrojnë me një frikë të natyrshme mbi atë që ka ndodhur. Një pjesë prej tyre janë dënuar dhe internuar. Një pjesë ndërruan deri mbiemrin për të mos pasur asnjë lidhje.

Kjo ka sjellë që jo vetëm eshtrat të mos ia kërkojnë, por të mos kenë asnjë interes për t‘u marrë me tragjedinë e tij edhe tani që ka afro 30 vjet që komunizmi ka rënë. Institucionet shtetërore dhe ato të drejtësisë është e domosdoshme të sqarojnë paligjshmërinë e dënimit dhe misterin e vdekjes dhe të gjetjes së varrit të Kostaq Kotes. Ai është një nga personalitetet me kontribute si pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, dy herë kryeministër, kryetar i parlamentit, ministër i brendshëm, deputet, sekretar i Kongresit të Lushnjës.

Kostaq Kote nuk u dënua nga gjykata me vdekje, por kjo u realizua gjatë vuajtjes së dënimit në burg. Koço do të “hante dhe”! Koço do të çohej në “halenë e gomarëve”! Kështu thuhej rëndom nga udhëheqësit e diktaturës që vendosnin për fatin e kundërshtarëve të tyre politikë. Këto gjykime barbare i kanë dëshmuar ata vetë në praktikën e veprimtarisë së tyre të fshehtë, si edhe në mbledhje, konferenca etj.

Në procesverbalet e arkivuara janë hequr me paramendim këto fjalë për të mos lënë dëshmi për egërsinë e pushtetarëve. Në veprat e Enverit, Mehmetit, Hysniut, Ramizit është treguar kujdes nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste që udhëheqësit të përjetësoheshin ashtu si duhet të kujtoheshin dhe jo si ishin në realitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb