Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Plani për eliminimin e kryeministrit do të vihej në zbatim me akuzat politike për goditjen e figurës dhe masat e egra kundër familjes së tij. Ndodhi, ngjarje të njohura, pëshpëritje e thashetheme ordinere do të hiperbolizoheshin dhe do t‘u jepej artificialisht përmbajtje armiqësore politike. Me qëllime të paramenduara, çështjet e thjeshta do të bëheshin me arrogancë dhe egërsi edhe objekt i akuzave politike të inskenimit të kryekomplotit të drejtuar nga kryeministri. Këto dukuri tipike të ndodhura rëndom ndaj kundërshtarëve politikë të periudhës 45-vjeçare të diktaturës jemi munduar, sa kemi mundur, t’i analizojmë me njohuritë e deritanishme dhe të japim me përgjegjësi profesionale e morale përfundime sa më të drejta duke u referuar me objektivitet në ngjarjet, dhënë mendime dhe mbajtur qëndrime vlerësuese, por edhe kritike për të njohur kuptimin e interpretimin e përmbajtjes të së vërtetës në dokumentet zyrtare, kryesisht në dosjen hetimore e gjyqësore, artikujt, emisionet, njoftimet në medien e shkruar dhe atë elektronike.

Detyrimi i kryeministrit për prishjen e fejesës së djalit të tij

Dashuria dhe përfundimi i saj me fejesë dhe martesë janë normalisht plotësimi i dëshirave të dy personave që njihen, kanë ndjenja, mendime e interesa të përbashkët dhe vendosin të krijojnë familje e të përjetësohen me fëmijët trashëgimtarë të tyre. Jeta dhe shoqëria e politizuar në periudhën pas vitit 1944, përforcuar në vitin 1966 me luftën e klasave dhe në vitin 1973 me luftën kundër liberalizmit, vunë në pah dhe sanksionuan faktikisht ndarjen e klasifikimin e shtetasve sipas bindjeve dhe qëndrimeve politike.

Me fillimin e luftës së klasave në vitin 1966 kjo u bë normë morale me detyrim zyrtar të pranuar me imponim. Me luftën kundër liberalizmit, pas vitit 1973, kjo normë morale u bë efektivisht sunduese, e detyrueshme dhe me pasoja të rënda për familjet e anëtarëve të Partisë së Punës. Ndëshkimet do të ishin të rënda për secilin person, pa dallim, që guxonte të mos i respektonte. Në rastin e familjes së kryeministrit do të ndodhte tragjedia më e madhe e kohës në udhëheqjen e periudhës së socializmit.

Fejesa e djalit të përkëdhelur do të bëhej shkaku i rënies dhe likuidimit të kryeministrit. Pas vrasjes së cilësuar si vetëvrasje, ajo u bë edhe episodi me rëndësi i hetimit të komplotit. Në medie janë publikuar shkrime për të sqaruar dallimet midis qëndrimeve politike e rrethanat e lidhjes së dy të rinjve, fejesën, reagimet politike e shoqërore dhe marrjen e vendimit për ta prishur lidhjen e djalit të kryeministrit.

Fejesa e djalit të kryeministrit do të ishte në kushtet e asaj kohe si një lidhje e natyrshme e dashurisë midis dy të rinjve. Por ajo krijonte rastin e padëshiruar dhe të dënueshëm të lidhjeve midis familjeve me qëndrime të ndryshme politike. Për këtë arsye nuk do të pranohej dhe do të ndëshkohej nga ideologjia politike zyrtare që kishte imponuar kriterin e qëndrimit politik për personat që dashuroheshin, si dhe të rrethit të tyre familjar. Dashuria e dy të rinjve do të vlerësohet nga vetë diktatori dhe partia-shtet që ai drejtonte si një akt politik i armiqësisë dhe tradhtisë së kryeministrit ndaj Enver Hoxhës.

Qemal Lame
Qemal Lame

Me këtë motiv u ngjallën armiqësitë e vjetra që zienin në ndërgjegje dhe mbuloheshin me hipokrizinë e shokut, mikut, bashkëluftëtarit dhe u hodh në veprim frontal të hapur me skenarin makabër të eliminimit të njeriut më të besuar për të ruajtur interesat e pushtetit absolut në agoninë para vdekjes. Fejesa midis Skënder Shehut dhe Silva Turdiut u pranua nga prindërit e tyre dhe u realizua duke plotësuar dëshirën e dy të rinjve. Më pas pati reagime në udhëheqjen politike dhe dolën në plan të parë interesat politikë, të cilët imponuan marrjen e vendimit për të ndryshuar qëndrimin pa u pyetur dhe pa respektuar vullnetin e të fejuarve.

Në medie dhe në mendimet që shkëmbehen në bisedat e ndryshme, kur ndodh të kujtohet dhe diskutohet ngjarja e vdekjes së kryeministrit, rikujtohen e përmenden akoma tablo që kanë zanafillën e tyre në të dhënat dhe komentet e bëra në gazeta dhe televizione. Përgjithësisht mendimet, diskutimet dhe analizat u referohen thënieve të personave të familjes që mbijetuan. Ato marrin edhe formën e versionit më të plotë pas vitit 1990 me thënie direkte nga Skënder Shehu dhe Silva Turdiu. Me vlera dokumentare dhe akuzuese për rolin e diktatorit mbeten dëshmitë në hetimin e çështjes së grupit të fundit komplotist.

Pikërisht në këtë burim hetimor zyrtar është e domosdoshme që ato të vlerësohen duke u krahasuar me të dhënat direkte dhe ato indirekte që lidhen me ngjarjen. Kjo është e domosdoshme pasi opinioni publik ka mësuar dhe është bindur për falsifikimet e qëllimshme të bëra për të fshehur të vërtetën për vdekjen misterioze të kryeministrit, gruas dhe djalit të tij të madh. Të dhënat e dokumenteve dhe publikimet e deritanishme dëshmojnë se njohja dhe vendimi për fejesë midis dy të rinjve janë të lidhura ngushtë me zhvillimet e ngjarjeve të pasqyruara me fakte dhe rrethana duke u bazuar në dokumentet e dosjes në hetuesi, analizohen disa publikime të dosjes hetimore si dhe të dëshmive, interpretimeve, komenteve e debateve në media.

Këto të dhëna kanë edhe ndikimet e mëvonshme nga plotësimet e bëra me deklarimet që ndikohen nga kushtet e gjendjes së izolimit, të hetimit, gjykimit, dënimit, të vuajtjes së dënimit e të rrethanave politike dhe familjare të personazheve kryesore të familjes Shehu që u viktimizuan nga politika dhe nën ndikimin e saj edhe nga drejtësia. Në vendimet e marra për fejesën respektohet tradita e marrjes së mendimit dhe të vendimit të prindërve. Për vetë rëndësinë që do të kishte qëndrimi i kryeministrit për djalin e tij, si dhe për pozicionin që ai kishte si kreu i qeverisë dhe pasardhësi i afirmuar i udhëheqësit, të rinjtë kanë pritur me shqetësim se si do të vendosej për fatin e tyre. Ata bazoheshin në dashurinë e tyre, në kushtet e familjeve dhe reagimet politike për vetë pozitën shoqërore të ndryshme që kishin.

Ata do të detyroheshin të prisnin me interesim sidomos qëndrimet dhe vendimin përfundimtar që do mbante edhe vetë udhëheqësi kryesor. Ishte bërë rregull dhe respektohej si normë e etikës së familjeve të Bllokut, që udhëheqësi të vihej më parë në dijeni, të merrej mendimi dhe të respektohej pa diskutime vullneti i tij. Udhëheqësi do të kishte kurdoherë rolin e tij edhe në marrjen e vendimeve përfundimtare nga familja dhe fëmijët që do të krijonin familje të re.

Për familjet e nomenklaturës së lartë politike e shtetërore dhe komunistët në tërësi ishte bërë rregull që të veprohej në bazë të normave rigoroze të politikës zyrtare dhe zakoneve e riteve familjare të krijuara në kushtet e politikës e ideologjisë komuniste për shoqërinë e familjen, ku kërkohej të dominonin interesat shoqërorë të socializmit në krahasim me ndjenjat personale emocionale të të rinjve. Po të merrej guximi për të vepruar ndryshe, secili do të ballafaqohej me përgjegjësinë e rëndë. Ai që deklarohej si deviator, tradhtar apo liberal e zbutës i luftës së klasave do të vihej në shënjestër të organeve të partisë dhe të drejtësisë, si dhe do të nxitej në forma të ndryshme ambienti mbytës shoqëror.

Edhe kur nuk arrihej që provokimet të shkaktonin reagimin për t’u krijuar kushtet për t’u dënuar e tipizuar politikisht, personi që nuk respektonte normat e partisë do të ndëshkohej moralisht e do të përgojohej e nënvleftësohej e deri në ofendime të hapura me fjalor ordiner në opinionin shoqëror njëlloj si armiqtë e tradhtarët e njohur të partisë e të pushtetit popullor. Njohja dhe dashuria e rastësishme e dy të rinjve, siç ndodhte shpesh në kohën e socializmit. Për vetë rëndësinë dhe interesimin që ka pasur në opinionin publik, Skënderi e ka bërë të njohur publikisht në përgjithësi historinë e njohjes së tij me vajzën që do të lidhej përjetë. Pasi kishte ardhur për pushime nga Suedia, ku vazhdonte studimet, ai sqaron se kishte vendosur të njihej me vajzën e ëndrrave të tij. Kështu, ka parë dhe ka vendosur.

“Duke shkuar me shokët në ndeshjet e volejbollit të skuadrës së vajzave të ‘Dinamos‘, më pëlqeu Silva, një nga volejbollistet e kësaj skuadre. Edhe fëmijët e Hysniut e të Enverit ma lavdëruan atë. Unë e dashurova Silvën dhe m‘u mbush mendja për t‘u fejuar me të. Zgjedhja e Silvës bëhej në një kohë kur ai kishte pasur interesime serioze për t‘u njohur dhe për të krijuar bindje edhe për vajza të tjera që tërhiqnin vëmendjen e të rinjve për vetë vlerat e tyre të bukurisë, dijeve dhe bindjeve për jetën. E ndiqja skuadrën e Dinamos ngado që shkonte për të luajtur. Kur isha në Suedi për studime dhe skuadra e volejbollit e Dinamos shkoi në Gjermani për një ndeshje kupe, unë së bashku me Gani Kodrën shkuam nga Suedia në Gjermani. Kur ikëm me Ganiun nga Suedia në Gjermani, ai nuk dinte asgjë për qëllimin tim. Ganiut nuk i kisha thënë gjë për këtë vajzë. Në Gjermani takova të gjitha lojtaret e Dinamos. Takova edhe Silvën, por aty nuk i thashë asgjë rreth asaj që kisha menduar.”

Propozimi për martesë

“Kur u ktheva në Shqipëri, e takova disa herë Silvën, duke i shprehur edhe qëllimin tim, por ajo në fillim nuk deshi që të më takonte. Më tha që të shikoja punën time. Silva i kishte treguar me sinqeritet gjatë kësaj kohe për njerëzit e arratisur, të cilët diheshin, por që u propaganduan me aq pasion politik dhe masa drastike hakmarrëse për eliminimin e babait të tij. Kur insistova dhe nuk iu ndava, Silva më tha se kishte njerëz të arratisur, kurse unë isha djali i kryeministrit. Përsëri unë nuk iu ndava. Një ditë e kapa vetë dhe bisedova me të, duke i thënë troç se doja të fejohesha me të. Për këtë fakt i thashë edhe Kreshnik Tartarit, që ishte trajner i skuadrës së Dinamos. Ai më tha se‚ si vajzë ishte shumë e mirë nga të gjitha anët, por ka të afërt të arratisur‘. Unë sërish ngula këmbë. E kam takuar Silvën disa herë në rrugë. I kam propozuar për fejesë, por ajo ka refuzuar për njëfarë kohe, por, pas këmbënguljes sime, më në fund pranoi.”

Në rastet kur nuk kishte njohje direkte të mëparshme, pritja në rrugë, takimet e rastësishme, propozimi për dashurinë dhe këmbëngulja në marrjen e përgjigjes kanë qenë tipike për atë kohë. Prandaj nuk mund të arsyetohet se është bërë presion, apo është dhënë pëlqimi në kushte të sforcuara të ndikuara nga pozita shoqërore e shtresës së lartë të Skënderit dhe ajo e Silvës. Silva me sjelljen e saj radhitej në elitën e vajzave të kohës dhe kjo përforcohej edhe me mendimin e mirë si vajzë Tirone dhe nga një familje me emër të mirë në opinionin shoqëror. Emri i saj modern që njihej në shoqërinë perëndimore kristiane nuk përshtatej me mbiemrin e njohur të familjes që jepte kuptimin mysliman. Po kështu, edhe Shehajt kishin emërtimin me të njëjtin besim. Por feja dhe dallimet midis besimeve ishin mënjanuar me kohë dhe shoqëria nuk bënte dallime të tilla.

Në shoqërinë e kësaj kohe ishte bërë e zakonshme dhe parapëlqehej që prindërit të zgjidhnin me kënaqësi dhe në mënyrë të ndërgjegjshme emrat kristianë. Pas një periudhe të gjatë prej afro tri dekadash të heqjes së fesë dhe të shpalljes së Shqipërisë si vendi i vetëm ateist në botë, vetvetiu po nxiteshin ndjenjat e identitetit kombëtar dhe të kujtimit të origjinës pagane të shqiptarëve. Në këtë drejtim ka pasur ndikim pozitiv edhe propaganda perëndimore te njerëzit që dëgjonin, ose që iu tërhiqnin vëmendjen dhe komentonin kur shihnin në orët e vona të natës emisionet e huaja televizive të ndaluara. Problem kryesor mbetej nëse do të tregohej tolerancë për prejardhjen klasore të mbiemrit që përfaqësonte një botë të ndaluar, pasi mallkime besimesh nuk i shkonte njeriu në mendje se mund të ndodhnin.

Skënder Shehu ka shpjeguar edhe publikisht se: “E pata vështirë sa më pranoi Silva.” Kjo e ka shpjegimin me pozicionin dhe origjinën e familjes së tij të ndryshme nga ajo e Silvës, biografinë politike, sjelljet dhe mendimet për jetesën e familjen. Skënderi, një prej tre djemve të Mehmet Shehut, njihej në përgjithësi në opinionin shoqëror për vetë familjen që i përkiste, por edhe si i ri që identifikohej me sjellje jo aq normale për kohën. Ai llastohej në familje si “djali i babait” dhe “djali i mamasë”. Në opinionin shoqëror Skënderi, ose Neri, siç i thërrisnin shkurt me përkëdhelje, përmendej ndër moshatarët e tij si “Ner harrakati“, “Ner garipi”, më moskokëçarësi, personazh i jetës së natës të kryeqytetit, kryesisht në hotel Dajti, i rezervuar për të huajt dhe elitën qeveritare, përgojohej si qejfli femrash, njihej për pasionin për motorët etj.

Flitej me kureshtje nga qytetarët e Tiranës për xhirot e tij të pazakonta dhe intriguese me motorin “Yamaha”, të cilit kishte pasion t‘i jepte zbathur rrugicave të Bllokut, të Tiranës së Re dhe ndonjë mbrëmje vere deri edhe në plazhin e Durrësit. Papritur u mësua se Skënderi kishte rënë në dashuri dhe insistonte të martohej me Silva Turdiun, një nga më të adhuruarat e tij, megjithëse kishin diferenca të shumta origjine, sjelljeje, idealesh për jetën. Romanca e kësaj dashurie tërhiqte vëmendjen dhe shkaktonte diskutime, hamendje e thashetheme nga më të ndryshmet. Ato nxiteshin me të drejtë për vetë faktin se lidhja e krijuar ishte e pazakontë, tregonte për distancën e thellë politike e shoqërore midis familjeve, polet krejt të ndryshme të pozicioneve, ndarjet e rrepta nga bindjet politike, ideologjike e shoqërore, qëndrimet klasore diametralisht të ndryshme.

Lufta e klasave zhvillohej me ritmet dhe intensitetin më të lartë, për të çrrënjosur liberalizmin dhe goditur grupet e njëpasnjëshme armiqësore. Në zjarrin e kësaj beteje, që ishte aq me rëndësi për udhëheqësin dhe pasardhësin, po veprohej çuditërisht kundër normave që mbanin në fuqi sistemin autoritar. Djali u pozicionua kundër babait, kryeministrit të ashpër. Doli kundër i biri i pasardhësit, njeriut që ishte më i afërmi dhe më i besuari i udhëheqësit, njeriut që në kohën e Luftës Antifashiste për vendimet e ashpra kundër atyre që konsideroheshin si armiq nga Partia Komuniste, njeriut që zbatonte me bindje politikën drastike të Partisë së Punës për luftën e klasave. Djali la mënjanë të ardhmen e familjes së tij dhe u lidh me një volejbolliste me bukuri të rrallë, por nga një familje tjetër e mallkuar dhe e dënuar politikisht nga regjimi.

Po krijohej një tragjedi e re politike e shoqërore. Dy të rinj papritur dalin me misionin e ndërlidhësit, të ambasadorëve për afrimin dhe mënjanimin e ndarjeve klasore. Ata mposhtën zinxhirët e telat me gjemba të ndarjes klasore dhe po thyenin tabunë e ndarjes midis komunizmit dhe kapitalizmit, të familjeve të udhëheqjes me ato të vlerësuarat armike e tradhtare. Në Bllokun e Udhëheqjes, në shtëpinë e kryeministrit do të vinte nusja e re, bijë e fisit të Turdijve, të ndëshkuar nga lufta e klasave, mbesë e të arratisurit politik me veprimtari aktive kundër komunizmit, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Kureshtjet ishin edhe më të mëdha për ngjarjet që do të pasonin. Mirë që dy të rinj u lidhën kundër normave partiake, por si do të veprojë kryeministri i hekurt?! Do t’i mbante të mbyllur derën dhe t’i jepte një mësim të mirë që të mos fantazonte as në ëndërr për t’u bërë pjesë e familjes Shehu?! Do të reagonte kryeministri politikisht kundër Turdijve? Do të vinte në lëvizje mekanizmin e dhunës shtetërore, siç kishte vepruar vazhdimisht? Do të kishte ndonjë duel vdekjeprurës?! Problemi më madhor politik i luftës së klasave kishte hyrë në familjen e vetë kryeministrit. Qëndrimi që do të mbahej dhe vendimi që do të merrej për zgjidhje do të tregonte nëse do të demonstrohej militantizmi komunist diktatorial dhe do të vazhdonin të mbeteshin muret e hekurta ndarëse, apo do të ndodhte thyerja politike në majën e piramidës e do të lejohej me dhimbje liberalizmi, do të arrihej të bashkoheshin dhe të bashkëjetonin ndasitë e thella e të përgjakshme politike e ideologjike!

Shumica mendonte se Mehmeti do të reagonte ndryshe, ashtu siç njihej në gjithë veprimtarinë e tij në kohën e luftës dhe pas Çlirimit si ministër i Punëve të Brendshme dhe si kryeministër. Zhvillimi i ngjarjeve do të nxiste pa fund fantazitë e njerëzve, por edhe do të çante perden e hekurt të autoritetit fals të udhëheqjes dhe do të bënte më të qartë se kishte ardhur momenti që politika dhe ideologjia, institucionet dhe elita drejtuese, gjithë mekanizmi i diktaturës së proletariatit të viheshin në provën përfundimtare, të shkatërroheshin dhe t‘i nënshtroheshin vullnetit të popullit për një jetë të re dhe në bazë të parimeve të vërteta demokratike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb