Sot që Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin e “vettingut” u bë e ditur se një prej anëtarëve të kësaj trupe, Sokol Berberi ka dhënë dorëheqjen. Mësohet se letra e dorëheqjes nga gjyqtari Berberi është depozituar në 15 shtator pranë Gjykatës Kushtetuese dhe pasi është pranuar unanimisht në seancë iu është vënë në dispozicion edhe Presidentit të Republikës dhe Parlamentit.

Por burime zyrtare pranë Gjykatës saktësojnë për “BalkanWeb” se në fakt Berberit i kishte mbaruar mandati si anëtar i kësaj trupe qysh në muajin prill 2016. Në respekt të Kushtetutës dhe ligjit që përcakton se gjyqtari që i ka mbaruar mandati duhet të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e anëtarit zëvendësues, Berberi qëndroi 6 muaj si pjesë e kësaj gjykate deri ditën që vendosi të dorëhiqej.

“BalkanWeb” ka mundur të mësojë një pjesë të tekstit të dorëheqjes që Sokol Berberi ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera sqaron se: “Në zbatim të Kushtetutës, duke konstatuar mungesë vullneti nga ana e institucioneve qëndrore për të zgjedhur anëtarin zëvendësues, vendosa të jap dorëheqjen. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë më jep një afat të arsyeshëm për të qëndruar në detyrë pas përfundimit të mandatit. Në opinionin tim ky afat ka përfunduar për aq kohë sa nuk shoh vullnet nga institucionet e ngarkuara për përzgjedhjen e anëtarit zëvendësues, ndaj dhe vendosa të dorëhiqem”, – mësohet të ketë qenë në thelb teksti i largimit që Berberi ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese.

Të njëjtat burime zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë gjithashtu me dije për “BalkanWeb” se edhe një tjetër anëtar i kësaj Gjykate, Vladimir Kristo prej muajit prill 2016 i ka mbaruar mandati. Por ai vijon të qëndrojë në detyrë me një argument krejt ndryshe nga Berberi. Konkretisht, Vladimir Kristo refuzon të japë dorëheqjen pasi sipas tij “kushtetua më detyron të qëndroj në detyrë derisa të emërohet anëtari zëvendësues”.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë po funksionon me 8, për shkak të dorëheqjes së Sokol Berberit. Ky fakt e ka futur në ngërç institucional, jo vetëm për faktin se Kushtetuta përcakton që trupa gjykuese përbëhen nga 9 anëtarë por edhe për faktin se pikërisht numri tek (9) i gjykatësve është përcaktuar për të shmangur pikërisht ndarjen e barabartë të votave gjatë vendimarrjes. Konkretisht nëse për një çështje të caktuar Gjykata Kushtetuese, që aktualisht ka 8 anëtarë, do të ndahen në votim 4 me 4, atëhere kjo do të rrezikojë jo vetëm vendimarrjen por do të thellojë akoma më shumë ngërçin institucional, qoftë dhe në raport me zbatimin e ligjit themeltar të shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb