“Enveri vetë kishte dhënë porosi që të ndërtohej një shtëpi e re për të plotësuar më mirë nevojat e krijuara në familjen e Mehmetit”. Kështu e kujton ish kryehetuesi i diktaturës, Qemal Lame, kohën kur ishte dhënë urdhri për të ndërtuar një shtëpi të re për familjen e kryeministrit.

Në librin e tij “Miq dhe armiq”, autori flet edhe për gjendjen që ekzistonte në rrugët e Tiranës dhe veçanërisht në trotuarin pranë selisë së Komitetit Qendror të Partisë.

“Në çdo kohë të ditës dhe të natës nuk kishte njerëz që të ecnin apo të shëtisnin në atë drejtim. Ky drejtim i lëvizjes kishte kryesisht si qëllim që të garantohej më shumë siguria dhe ruajtja e selisë qendrore dhe e udhëheqjes politike të kohës. Vetëm në raste të veçanta mund të dukeshin njerëz të veçuar që kalonin nga trotuari në anë të Komitetit Qendror, por që pasi hidhnin ndonjë hap, detyroheshin të ndryshonin drejtimin me ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, sidomos kur kishte mbledhje, në ditët e festave etj”.

Nga Qemal Lame

KAPITULLI I DYTË SHTETI i DIKTATURËS SË PROLETARIATIT

Shqipëria ka një histori të saj të periudhës gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos pas Çlirimit, më 29 nëntor 1944, me vendosjen e pushtetit popullor, kalimin në sistemin politik të diktaturës së proletariatit deri më 9 maj 1990, kur me ndryshimin e Kushtetutës u vendosën parimet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë sipas parimeve të njohura të shteteve të demokracive perëndimore. Shteti i diktaturës së proletariatit, i sanksionuar në kushtetutë, është një realitet që vetë Enver Hoxha e ka dashur, i ka dhënë fuqinë kushtetuese, e ka theksuar me gjithë forcën e mendjes, të zërit e vendimeve në qëndrimet dhe deklarimet e tij publike, në konferenca dhe kongrese, në librat dhe veprat me emrin e tij. Me këto dëshmi kuptohet, vlerësohet e vetëpranohet me bindje edhe vetëcilësimi si diktator.

Udhëheqësi i një shteti që bazohet në sistemin politik të diktaturës është thjesht e konkretisht një diktator. Çdo person i zakonshëm arrin ta kuptojë këtë cilësim. Ky vetemërtim nuk mund të nënvleftësohet dhe as të anashkalohet me argumentet vlerësuese për kontributet e njohura si udhëheqës i Luftës Nacionalçlirimtare, i rindërtimit pas luftës dhe transformimeve të bëra në të gjitha fushat e ekonomisë, ushtrisë, artit e kulturës, mirëqenies, rritjes dinamike katër herë të popullsisë, me ritmet më të larta në Evropë, etj.

Qemal Lame (1)
Qemal Lame (1)

Vetëm Partia e Punës së Shqipërisë nën drejtimin e Enver Hoxhës ka arritur të sanksionojë në kushtetutë rolin udhëheqës të partisë-shtet dhe ta cilësojë sistemin politik si shtet të diktaturës së proletariatit. Shteti i Republikës Popullore u emërtua Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Marksi dhe Engelsi, filozofët dhe themeluesit e teorisë së komunizmit, në veprat e tyre fundamentale nuk kanë ide dhe as mendime për sistemin e ri politik të socializmit e të komunizmit me mekanizmin shtetëror të diktaturës së proletariatit. Vladimir Iliç Lenini dhe Josif Viserianoviç Stalini, udhëheqës të Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe ndërtimit të socializmit në shtetin e parë në botë, nuk kanë sanksionuar në kushtetutë shtetin e diktaturës së proletariatit. Rusia u emërtua Federata e Rusisë dhe më pas e ruajti këtë emërtim edhe në Bashkësinë e Shteteve Socialiste – BRSS. Shteti vlerësohej i punëtorëve dhe i fshatarëve, jo shtet i diktaturës së proletariatit.

Mao Ce Duni ruajti emërtimin Partia Komuniste e Kinës dhe shtetin e Republikës së Kinës. Nuk bëri sanksionim në kushtetutë të shtetit të diktaturës së proletariatit.

  1. Zhvillimi politik, ekonomik e shoqëror nuk i rezistoi kohës

Duke vlerësuar me objektivitet periudhën 45-vjeçare të ndryshimeve në vend dhe mobilizimin e gjerë të masave punonjëse për transformimin e vendit, për zhvillimin e industrisë, bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës etj., rritjen katër herë të popullsisë, infrastrukturën e re të qyteteve e fshatrave etj., këto na çojnë në përfundimin se një drejtim më shkencor do të kishte rezultate më të mëdha.

Ndër mangësitë kryesore përmendim:

Së pari, zhvillimi ekonomik është bazuar kryesisht në objektiva politikë dhe jo në kritere të mirëfillta ekonomike. Ndërtoheshin objekte të rëndësishme industriale pa u studiuar mirë kushtet reale të vendit dhe perspektiva e tyre në të ardhmen. Kombinati metalurgjik ishte me të vërtetë një arritje në kushtet e Shqipërisë, por pa perspektivë. Nevojat e ekonomisë kombëtare ishin më të pakta krahasuar me aftësitë e mëdha prodhuese industriale. Prodhimi industrial nuk kishte mundësi të konkurronte në tregun e jashtëm për arsye se nuk kishte tregje të garantuara për shkak të konkurrencës së madhe dhe cilësisë së lartë të industrisë së vendeve të zhvilluara. Lëndët e para që mungonin, sidomos qymyri koks për furrnaltat, ishte e domosdoshme të bliheshin në tregun ndërkombëtar me çmime të larta dhe me valutë në krahasim me kleringun e zbatuar nga shtetet ish-socialiste. Pagesat direkte me monedhën e huaj, kryesisht dollarë, rëndonin buxhetin e shtetit. Në tregun e jashtëm kërkohej kromi, kobalti etj., por nuk kishte siguri në vazhdimësi, pasi ndryshonte shumë dhe shpesh koniuktura dhe binin çmimet duke ulur dukshëm të ardhurat valutore.

Te moszbatimi i parimeve të efektivitetit ekonomik duhet kërkuar një nga arsyet e rënies e falimentimit të ekonomisë në krizë të thellë menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik.

Së dyti, politika për zhvillimin ekonomik e shoqëror ishte bazuar kryesisht në ndihmat nga vendet e tjera të kampit socialist. Zhvillimi ekonomik e shoqëror, financat etj. mbështeteshin nga “ndihmat” “internacionaliste” të Bashkimit Sovjetik e shteteve të tjera të Evropës Lindore dhe më pas të Kinës. Në shumën e përgjithshme të investimeve kapitale për periudhën 1950-1980 rreth 50 për qind e zinin “ndihmat e kreditë” internacionaliste që përfaqësonin kryesisht makineri dhe pajisje.

Vetëm Kina llogaritet se ka dhënë ndihma në shumën 3 miliardë dollarë. Çdo vit prej saj vinin 250 milionë dollarë ndihma, nga të cilat, 200 milionë dollarë materiale lëndë e parë e pajisje industriale dhe 50 milionë dollarë në llogarinë bankare të Bankës së Shtetit Shqiptar.

Së treti, u shfrytëzuan me ritme të larta burimet natyrore, sidomos kromi, hekur-nikeli, nafta, bakri etj. U dëmtuan rezervat strategjike për brezat e ardhshëm. Ndryshimi i sistemit politik u bë në kushtet e paralizimit të shtetit dhe shkatërrimit tërësisht të ekonomisë, industrisë, bujqësisë etj. Në këto drejtime kanë ndikuar disa shkaqe të brendshme dhe të jashtme:

– Rënia e perandorisë sllavo-komuniste të Lindjes dhe gjithë strukturave ekonomike të marrëdhënieve ndërkombëtare, si falimentimi i KNER-it etj.

– Ekonomia e ndërtuar jo mbi bazë të efektivitetit ekonomik. Objektet e mëdha industriale që kërkonin subvencione nga buxheti i shtetit nuk mund të financoheshin më tej. Në këto kushte u vërtetua se ato ishin planifikuar dhe ndërtuar me ide politike e ekonomike të shteteve të mëdha, pa u bazuar në ekonominë kombëtare dhe të ardhmen e tyre. Në vitin 1979 u bë edhe tufëzimi i bagëtisë që u hoqi fshatarëve edhe mishin, qumështin, vezët.

– Transformimi i ekonomisë e bujqësisë nga parimet e centralizmit në ato të ekonomisë së tregut u zbatua sipas teorisë “zero”.

Transformimi u bë me modelin më të keq të shkatërrimit total të ekonomisë. Fatkeqësisht mungesa e njohurive shkencore të ekonomisë së tregut, paraliza ekonomike, nevoja për transformim dhe rigjallërim të shpejtë të ekonomisë e financave u shoqëruan dhe nuk mund të mos shoqëroheshin edhe me gabime e mangësi, si privatizimi pa studime i industrisë e fermave bujqësore, trajtimi i të drejtave të pronësisë, privatizimi i tokës sipas ligjit 7801 etj. Bonot e thesarit, të mbivlerësuara, të shpërndara për ndarjen e pasurisë si “letra me vlerë”, u kthen në “letra pa vlerë” apo “letra me vrimë”. Edhe ato pak objekte industriale që mbetën iu nënshtruan privatizimit kriminal nga klasa e re e oligarkëve që grabiti pasuritë shtetërore dhe u pasurua në mënyrë të kundërligjshme. Këto u favorizuan nga korrupsioni i hapur nga politikanët. Pasuria kombëtare u përvetësua nga një grup i vogël politikanësh dhe biznesmenësh. Grabitja e thesarit të shtetit mbetet fajësi e dyshuar nga

politikanët. Shteti akoma nuk ka studiuar dhe llogaritur dëmet kolosale. U shkatërrua industria e naftës, kromit, bakrit me cikël të mbyllur. Makineritë dhe pajisjet industriale, përfshirë dhe ato me teknologji bashkëkohore të viteve 1982-1989, u grabitën nga keqbërësit vendës e të huaj dhe u shitën për skrap në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi etj. Me paralizimin e shtetit dhe falimentimin e ekonomisë, u shkatërruan edhe forcat e armatosura, duke e lënë vendin pa mbrojtje. Studiuesit kanë llogaritur një dëm ekonomik prej afro 130 miliardë dollarësh. Ekspertët ushtarakë llogarisin dëm në shumën 150 deri 200 miliardë dollarë. Kjo përbën edhe tradhtinë më të madhe të udhëheqjes politike të asaj kohe ndaj kombit shqiptar. Armatimi dhe municioni, si dhe objektet industriale e kombinatet ushtarake u shkatërruan, u grabitën dhe u shitën nga kriminelë shqiptarë në bashkëpunim me të huaj për skrap në Greqi, Jugosllavi etj. Faktet tregojnë se shumica e armatimit dhe municioneve u shitën në tregun e zi nga pushtetarët në bashkëpunim të fshehtë me persona dhe biznese fantazmë të huaja nga shtete partnere. Në medie janë publikuar dëshmi për këto armatime të dërguara në Afganistan dhe shtete të tjera ku zhvilloheshin konflikte të armatosura. Këtë e dëshmoi publikisht edhe katastrofa në fabrikën e vdekjes në Gërdec, ku punonin pa u siguruar, pa asnjë rregull teknik fëmijë e gra dhe vdiqën 36 persona nga shpërthimi i predhave.

Ndikimi i hapur dhe i fshehtë i veprimtarisë sabotuese e diversioniste i agjencive që kanë punuar për shkatërrimin e shtetit shqiptar, sidomos greke dhe jugosllave. U shkatërruan me barbarizëm uzinat, kombinatet, fermat e kooperativat bujqësore, plantacionet e ullinjve e portokajve, rrugët e objektet e tjera strategjike për të paralizuar e asgjësuar tërësisht ekonominë, imponuar kushtet e papunësisë e varfërinë, deri edhe me urinë e popullit. Idealet e komunizmit dhe praktikës së socializmit shqiptar, që propagandoheshin me krenari, argumentoheshin me pasione dhe mbështeteshin në teorinë e Marksit e të Engelsit, si dhe në praktikën revolucionare të Leninit dhe Stalinit. Praktika tregonte të kundërtën. Ato ishin demaskuar dhe demitizuar nga lufta e ashpër klasore, katastrofa ekonomike dhe financiare që kishte marrë përmasa kërcënuese për popullin dhe cinizmi për përjetësimin e pushtetit në udhëheqjen e lartë të parties-shtet. Komunizmi i idealizuar nuk kuptohej, pasi dhe vlerësohej si shpresa për një të ardhme më të mirë në rendin e ri shoqëror që kishin propaganduar ideatorët e tij. Shqiptarët vlerësojnë Marksin, Engelsin, Leninin e Stalinin, por nuk njohin sa duhet çfarë kanë menduar dhe bërë ata për Shqipërinë e shqiptarët. Ata kanë bërë disa vlerësime për origjinën e kulturën, por në raport me çështjen shqiptare nuk kanë pasur mendime pozitive. Ndikimi i Leninit në historinë dhe fatet e Shqipërisë është shumë i madh. Kjo i dedikohet denoncimit publik që Lenini i bëri “Traktatit të Londrës” të vitit 1915, që ishte një marrëveshje e fshehtë e nënshkruar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e Italisë në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Marksi dhe Engelsi me teorinë e tyre të një shekulli e gjysmë më parë do të njolloseshin me mjegullën e frikshme të pseudoteorisë dhe praktikës së diktaturës së klasës punëtore të socializmit shqiptar. Pushteti absolut i mitizuar tek udhëheqësi i klasës punëtore kishte mundur të sundonte për afro një gjysmë shekulli me anë të diktaturës dhe krimit të organizuar politik, sipas shembullit sovjetik të sistemit politik socialist diktatorial të Stalinit. Fantazma e komunizmit solli pasoja të rënda në të gjitha shtetet e Evropës Lindore dhe kudo ku u mbështet e praktikua. Populli shqiptar ishte zhgënjyer dhe kishte filluar me kurajë të distancohej nga udhëheqësi i idealizuar dhe sistemi politik. Mendimet për ndarjen me të kaluarën filluan të marrin formë më të argumentuar me prishjen e marrëdhënieve me Kinën, me krizën ekonomike e financiare, fajësisë direkte të udhëheqjes kryesore politike dhe shtetërore të regjimit në fuqi. Në Shqipëri u zbatuan metodat e Revolucionit të Tetorit që propagandoi luftën e proletariatit në aleancë me fshatarësinë kundër borgjezisë, industrialistëve apo çifligarëve të pasur. Nga Kina u mor metoda e internimeve e dëbimeve masive të zbatuara edhe gjatë Revolucionit Ideologjik e Kulturor. Shqipëria me prapambetjen shoqërore pas Luftës së Dytë Botërore zbatoi me militantizëm luftën e klasave të tipit stalinist e maoist, megjithëse nuk kishte trashëguar klasën e borgjezisë, nuk kishte klasë punëtore të mirëfilltë, kishte vetëm një shtresë pronarë tokash dhe bujq. Ndërtimi i socializmit u shoqërua me krijimin e klasës punëtore, por pa kontradikta, pasi nuk kishte shtet borgjez. Për këto arsye, u propagandua lufta e klasave që në realitet ishte dhuna shtetërore për mbrojtjen e pushtetit personal të  udhëheqësit, karriges së udhëheqësit. Së katërti, ndalimi i lëvizjes së lirë. Kjo masë drastike kishte për qëllim ruajtjen e pushtetit autoritar duke mbajtur popullin të izoluar nga bota e jashtme, moslejimin e depërtimit të ideologjisë e modelit të përparuar të zhvillimit perëndimor, imponimin e propagandës për përpunimin e transformimin e ndërgjegjes së njerëzve dhe instalimin e sistemit terrorist të diktaturës. Izolimi ishte në fakt veçim nga shtetet fqinje dhe qytetërimi perëndimor me kufirin me klon me tela me gjemba dhe me vrasjen e cilitdo  që guxonte të kalonte, duke e cilësuar si tradhtar e armik të atdheut. Izolimi, hermetizimi i vendit nga shtetet e tjera ishte ndarja tragjike e kombit të copëtuar padrejtësisht në shtetet fqinje nga gjeopolitika evropiane, si dhe me diasporën në Evropë, SHBA, Kanada, Australi e shtete të tjera që vlerësoheshin si armike të regjimit.

  1. Forcat e armatosura dhe fortifikimi i Shqipërisë janë një rast unik në botë

Shqipëria krijoi dhe kishte në gatishmëri luftarake Forcat e Armatosura të një korparmate me brigada e divizione, oficerë e ushtarë të aftësuar me të gjitha armët e shërbimet dhe pajisjet me teknologji të lartë kineze. Aftësia mbrojtëse e ushtrisë vlerësohej si më e fuqishmja në rajon dhe dallohej si një nga më të aftat në Evropë e në botë. Fortifikimi i gjithë vendit lindi si ide dhe u realizua si vizion për të mbrojtur vendin dhe socializmin nga agresioni i imperializmit dhe revizionizmit modern, një ide imagjinare e fiksuar që kishte marrë rëndësi

në mendjen e udhëheqësit dhe në politikën zyrtare. Në vitet shtatëdhjetë u realizua plani gjigant i fortifikimit dhe bunkerizimit të Shqipërisë. Pas goditjes së grupit komplotist të Beqir Ballukut, plani i fortifikimit, i miratuar nga Këshilli i Mbrojtjes, i shpejtoi ritmet. Plani strategjik i fortifikimit është kërkuar të studiohet nga specialistët më të aftë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në përfundim është miratuar nga Këshilli i Lartë i Mbrojtjes. Fortifikimi i plotë me përmasa gjigante në të gjithë territorin e Shqipërisë i kushtoi shtetit dhe popullit vlera të jashtëzakonshme financiare, ekonomike, materiale dhe pune kolosale direkte të ushtarëve e të vetë popullit, të pamundura për t’u llogaritur.

Fortifikimi masiv, fatkeqësisht, ka pasur edhe pasoja shumë të rënda për jetën dhe shëndetin e ushtarakëve që punuan direkt në terren për fortifikimin xhenier. Mijëra ushtarë e oficerë të Armatës së Forcave të Armatosura punuan për realizimin e fortifikimit strategjik për Forcat e Armatosura dhe vendstrehimet e shtetasve në qendrat e banimit, nga të cilët disa qindra ushtarë e oficerë u viktimizuan duke u aksidentuar me vdekje, plagosje të rënda dhe dëmtime apo lëndime të tjera trupore, mendore etj. gjatë punimeve fortifikuese. Në Ministrinë e Mbrojtjes, në bazë të të dhënave zyrtare, janë evidentuar 379 aksidente me pasojë vdekjen dhe plagosjen e ushtarakëve, të cilët punuan dhe u aksidentuan në fortifikimin xhenier të Shqipërisë, në periudhën e viteve 1970-1980.

  1. Udhëheqësit e diktaturës me nivel të jetesës në kontrast të thellë me popullin

Sa herë që dilja për shëtitje, për të shkuar në shtëpi ose kur shkoja për në Universitetin e Tiranës, si student dhe më pas si pedagog, natyrshëm vazhdoja rrugën duke ecur në trotuarin para kryeministrisë. Pothuajse të gjithë qytetarët ecnin po në këtë drejtin dhe shmangnin me dashje ose pa dashje atë para selisë së Komitetit Qendror. Në çdo kohë të ditës dhe të natës nuk kishte njerëz që të ecnin apo të shëtisnin në atë drejtim. Ky drejtim i lëvizjes kishte kryesisht si qëllim që të garantohej më shumë siguria dhe ruajtja e selisë qendrore dhe e udhëheqjes politike të kohës. Vetëm në raste të veçanta mund të dukeshin njerëz të veçuar që kalonin nga trotuari në anë të Komitetit Qendror, por që pasi hidhnin ndonjë hap, detyroheshin të ndryshonin drejtimin me ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, sidomos kur kishte mbledhje, në ditët e festave etj. Trotuari para selisë qendrore të partisë së vetme në pushtet ishte përherë nën ruajtjen e një ose dy ushtarëve në hyrjen kryesore dhe një oficer i Gardës Kombëtare qëndronte prapa derës. Ky vend qëndronte pothuajse i bllokuar dhe i ndaluar për qytetarët e zakonshëm. Po kështu edhe zyrtarët e njohur të këtij institucioni nuk lejoheshin të kalonin lirisht në drejtim të hyrjes kryesore. Punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror kufizoheshin në lëvizjen e tyre dhe detyroheshin të shkonin direkt te hyrja e caktuar, e ruajtur dhe e kontrolluar nga oficerët e Sigurimit të Shtetit të Drejtorisë së Sigurimit të Udhëheqjes, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën vartësinë direkte të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Hyrja kryesore e ndërtesës më të rëndësishme të kohës dihej se ishte në përdorim të përditshëm të Enver Hoxhës. Bëhej përjashtim për kryeministrin dhe anëtarët e Byrosë Politike, kur ata kërkoheshin prej tij ose shkonin për në mbledhjet e planifikuara dhe të lajmëruara. Edhe shëtitja e mbrëmjes bëhej nga populli po në pjesën e bulevardit dhe trotuarit deri te kryeministria, ku ishte bërë zakon që njerëzit ktheheshin automatikisht për të vazhduar përsëri në drejtim të Sheshit Skënderbej. Një ditë, kur po kaloja si zakonisht, papritur më tërhoqi vëmendjen jehona e lehtë e zhurmës që shkaktohej në lulishten në krahun e djathtë të selisë së Komitetit Qendror. Po punohej për ndërtimin e një ndërtese të re banimi. Nuk kisha dëshirë të pyesja ndonjë zyrtar që mund të më jepte shpjegime konkrete, pasi nuk e kisha në natyrë kuriozitetin e të dhënave dhe problemeve që nuk publikoheshin në format e njohura të komunikimit apo të medies.

Më vonë mësova se atje po ndërtohej vila e re e kryeministrit Mehmet Shehu. Flitej se familja e tij ishte zgjeruar, djali ishte martuar dhe kishin fëmijë. Po edhe djemtë e tjerë kuptohej se pritej të martoheshin së shpejti. Enveri vetë kishte dhënë porosi që të ndërtohej një shtëpi e re për të plotësuar më mirë nevojat e krijuara në familjen e Mehmetit. Në rrethe më të ngushta shoqërore kjo interpretohej si një masë për të balancuar dhe ulur sadopak ndryshimet në krahasim me udhëheqësin, që jetonte në ish-vilën e Shefqet Vërlacit, të konfiskuar dhe të kaluar në pronësi shtetërore pas vendosjes së pushtetit popullor. Pranë vilës së restauruar të udhëheqësit kryesor ishte ndërtuar një ndërtesë trekatëshe ku banonin tre fëmijët e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb