Stadiumi “Elbasan Arena” ka qenë totalisht në kontrollin e shërbimeve sekrete izraelite. Gazetari, Jeton Selimi ka siguruar ekskluzivisht për “BalkanWeb” disa foto të një snajperi të MOSSAD-it dhe dy agjentëve të tij teksa monitoronin non stop me dylbi tifozët në stadium përgjatë 90 minutave të ndeshjes. Ndërkohë një tjetër snajper, që burime nga Policia e Shtetit pohojnë për “BalkanWeb” si i përkiste forcave shqiptare të sigurisë është fotografuar në pallatin ngjitur me “Elbasan Arena”.
Qysh para fillimit të ndeshjes çdo banesë dhe biznes afër stadiumit është kontrolluar imtësisht prej agjentëve të MOSSAD-it pavarësisht “krehjes” që i është bërë perimetrit afër stadiumit nga forcat shqiptare të sigurisë. Por kaq nuk ka mjaftuar. Agjentët e MOSSAD-it, kanë shoqëruar edhe brenda stadiumit ekipin izraelit duke mos preferuar ta lenë sigurinë e tij vetëm në duart e autoriteteve shqiptare.
Më herët është bërë e ditur se shërbimet izraelite kanë sjellë edhe qentë antieksploziv me vete nga Izraeli, kjo dhe për faktin se shërbimet secrete vendase dhe të huaja raportuan për mundësinë e planifikimit të akteve terroriste. Për këtë arsye u arrestuan në Shkodër disa persona, si të implikuar në këto akte që pritej të kryheshin gjatë ndeshjes në “Loro Boriçi”. “BalkanWeb” sjell foto ekskluzive nga masat e sigurisë në “Elbasan Arena”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb