Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Gjyqi politik për eliminimin përfundimisht të kryeministrit

Enver Hoxha arriti të vihej në krye të Partisë Komuniste dhe të drejtonte luftën e më pas shtetin si kryeministër. Më pas ai do t‘ia kalonte këtë detyrë Mehmet Shehut me arsyetimin se do të përqendrohej në drejtimin e Partisë. Me anë të udhëheqjes së Partisë Enveri vazhdonte sundimin absolut të tij në Parti dhe në shtet sipas modelit të partisë-shtet. Ky ndryshim bëhet sipas praktikës së udhëheqësve të Kampit të Lindjes Komuniste.

Kreu i shtetit do të ishte Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe do të drejtonte gjithë sistemin politik me mekanizmit e tij shtetëror. Partia mbi shtetin. Partia ishte konkretisht shteti diktatorial. Në atë kohë propagandohej dhe dihej se Mehmeti dhe Enveri kanë bërë marrëveshje për miqësi të përjetshme. Mehmeti i qëndroi besnik kësaj marrëveshjeje deri në fund të jetës së tij. Ndërsa Enveri e eliminoi kur e ndjeu veten të rrezikuar, si dhe për të përjetësuar pushtetin te një tjetër më i besuar.

Mehmeti, me qëndrimin e tij besnik, në fakt do të vetëdënohej. Ai do të përdorej për interesat e pushtetit absolut të Enverit. Kur ai të vlerësohej i padobishëm ose i rrezikshëm, do të eliminohej si kundërshtar dhe dëshmitar që duhej t‘i mbyllej goja dhe të asgjësohej për të mos u gjetur më gjurmë e provë prej tij. Dihet se në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare marrëdhëniet midis Enverit dhe Mehmetit nuk ishin miqësore. Ato ishin zyrtare. Besimi i Shtabit të Përgjithshëm, ku Enveri ishte komisari, ndaj Mehmetit për drejtimin e Brigadës së Parë Sulmuese bëhej kryesisht për aftësitë që kishte Mehmet Shehu.

Zgjedhja e Mehmet Shehut si kryeministër ka qenë ide dhe vendim i Enver Hoxhës. Nuk mund të realizohej kalimi i pushtetit ekzekutiv te një person që nuk kishte besimin e tij absolut. Dokumentet e publikuara të CIA-s tregojnë për të dhëna agjenturore, se Mehmeti është zgjedhur kryeministër me urdhër të Moskës. Në udhëheqjen politike të Shqipërisë në atë kohë dalloheshin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku. Me goditjen e Beqir Ballukut mendohet se u prish ekuilibri i ndikimeve sovjetike dhe perëndimore në udhëheqjen politike të Shqipërisë.

Pasi u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha vazhdonte politikën e tij, duke lënë të kuptohej në marrëdhëniet ndërkombëtare se ishte distancuar nga Lindja, por edhe nuk ishte afruar me Perëndimin. Më qartë: ishte ndarë me Moskën, kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me Pekinin, nuk bashkëpunonte me shtetet e Evropës Perëndimore dhe vazhdonte armiqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, që i vlerësonte të rrezikshme për pushtetin e tij, duke u maskuar me luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit modern.

Eliminimi i Mehmetit kuptohet se vështirësonte edhe pozitën e Enverit në marrëdhëniet ndërkombëtare ku dominonin amerikanët dhe sovjetikët, ndërsa kinezët ishin në periudhën e ngritjes graduale si superfuqia e tretë e botës. Ngjarjet historike ishte bërë traditë që të dëshmohej për rezultatet e ndërtimit të socializmit dhe të kontributit të udhëheqjes politike në Shqipëri. Festimi i ditës së klasës punëtore më 1 maj 1981 nga tribuna qendrore, ku rreshtohej tradicionalisht udhëheqja më e lartë e Partisë së Punës dhe e shtetit, ishte edhe demonstrim para popullit dhe politikës ndërkombëtare me mitin e Enver Hoxhës si udhëheqësi i madh i Partisë së Punës dhe i popullit.

Qemal Lame (1)

Me gjestin e bërë nga vetë Enveri, duke mbajtur dorën të bashkuar dhe të ngritur lart me Mehmetin, u synua të riprovohej edhe mesazhi i miqësisë konkrete dhe të përhershme midis tyre. Ky moment i fiksuar në medie dhe në sytë e njerëzve do të ishte edhe shfaqja e fundit e kësaj miqësie të gabuar, të rreme, që në fakt nuk kishte qenë asnjëherë e sinqertë. Personi që propagandohej e veçohej si shoku dhe miku më besnik që nga Lufta Nacionalçlirimtare do të humbiste besimin dhe do t‘i nënshtrohej rregullit të rreptë të ndëshkimit politik, dënimit nga drejtësia dhe eliminimit fizik si armik. Koha tregoi se pothuajse të gjithë miqtë u deklaruan dhe u dënuan si armiq nga vetë Enveri për të ruajtur pushtetin deri në fund të jetës së tij.

Masat përfundimtare në tri faza: takimet dhe 2 mbledhjet e Byrosë Politike

Del se masat përfundimtare janë realizuar në tri faza:

Faza e parë, bisedat e Enverit me çdo anëtar të Byrosë Politike. Enveri ka thirrur në takime të veçanta të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Ai i ka vënë në dijeni të dokumenteve që kishte me të dhënat për Mehmetin si poliagjent në shërbim i CIA-s, KGB-së, UDB-së etj. Fejesa e djalit të tij me një vajzë nga familje armike është në kundërshtim me normat e Partisë. Mehmeti kryen veprime që dublojnë rolin e Sekretarit të Parë të KQ, pra të Enverit. Ai është bërë i rrezikshëm për fatet e Partisë. Për këto arsye kryesore ai nuk mund të vazhdojë të tolerohet dhe është e domosdoshme të shkarkohet nga funksionet politike dhe shtetërore që ka. Ramizi ka shpjeguar se: Siç mësuam në atë kohë, para mbledhjes së Byrosë Politike, Enver Hoxha kishte shkuar me pushime. Aty kishte thirrur disa nga anëtarët e Byrosë për t‘i përgatitur për mbledhjen e Byrosë Politike, për ta vënë me shpatulla pas murit. Dy herë kishte kërkuar Mehmeti ta takonte Enver Hoxhën kur ai ishte me pushime, por në asnjë rast ai nuk kishte pranuar.

Faza e dytë, mbledhja e fshehtë me të gjithë anëtarët Byrosë Politike, pa u vënë në dijeni Mehmeti. Mosnjoftimi dhe shmangia me qëllim e Mehmet Shehut për të mos marrë pjesë në mbledhje. Kjo mbledhje e fshehtë e Byrosë Politike është faktikisht paragjykimi dhe dënimi i Mehmet Shehut. Mbledhja është zhvilluar vetëm me anëtarët e Byrosë Politike. Është përjashtuar prania e personelit ndihmës për mbajtjen e protokollit me shkrim. Nuk është lejuar as marrja e shënimeve me anë të skenografisë.

Punët e këqija zakonisht është preferuar që të kryhen natën, në fshehtësinë, misteriozitetin dhe ankthin e rrethanave që krijon dhe imponon vetvetiu natyra, të cilat u përshtaten më shumë edhe karakterit dhe qëllimeve të personave që ndjekin me dëshirë dhe plane të paramenduara realizimin e synimeve të tyre të fshehta, të paligjshme dhe shkaktojnë me bindje dhe dëshirë të hekurt pasoja kriminale për persona të caktuar dhe shoqërinë në përgjithësi. Kështu ndodhi edhe në natën e datës 16 dhjetor 1981.

Udhëheqja politike e Partisë së Punës të Shqipërisë, që sundonte prej katër dekadash dhe i thurte kurorë fitoresh vetvetes, jo ditën dhe jo për punë në shërbim të popullit, por natën dhe për të manipuluar dhunën shtetërore, do të mblidhej fshehurazi në Pallatin e Brigadave. Ishte e njëjta ndërtesë simbolike madhështore e trashëguar nga monarkia, ku ishin ideuar dhe planifikuar edhe punët e këqija shtetërore dhe prapaskenat politike që patën pasoja aq të rënda për fatet e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në tërësi.

Në mënyrë të fshehtë u lajmëruan pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike për një mbledhje të pazakontë në Pallatin e Brigadave. Larg nga Blloku dhe Pallati i Ëndrrave, ku drejtohej dhe imponohej me vullnet të hekurt, u mblodhën po me atë forcë të pushtetit politik të gjithë të lajmëruarit, me përjashtim të Mehmet Shehut që ishte vendosur të gjykohej dhe të viktimizohej. Është e drejtë të argumentohet se personi që ka pasur të drejtë të transmetojë urdhra dhe porosi në emër të Enverit ishte Ramizi, që më në fund ishte dëshmuar dhe pranuar faktikisht si pasardhësi i tij.

Takimi sekret në orët e errëta të asaj nate në kodrën që qëndron si kurorë mbi qytet bëhej për të komunikuar vullnetin dhe vendimin përfundimtar të udhëheqësit kryesor për eliminimin e viktimës së radhës, kryeministrit, që nuk kishte besimin e tij. Me këtë mendim është publikuar për herë të parë edhe e dhëna për këtë mbledhje e zbuluar afro tri dekada më vonë. “Ky fakt u bë publik vetëm 29 vjet më pas, në vjeshtën e vitit 2010, si pasojë e një shënimi të mbajtur nga Sigurimi i Shtetit, ku shënohej vendosja e masave më të mëdha të sigurisë në ish-Pallatin e vjetër të mbretit. Ka gjasë që njeriu që u ka telefonuar gjithë anëtarëve të Byrosë njëri pas tjetrit të ketë qenë ai që do të bëhej pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia. Ndër anëtarët e Byrosë mungonte vetëm Mehmet Shehu, kryeministri që do të gjykohej e do të dënohej me rreptësi të nesërmen, njëlloj si edhe tradhtarët e tjerë të udhëheqësit.

Mbledhja e fshehtë ishte faktikisht gjykimi dhe dënimi në fshehtësi dhe pa qenë i pranishëm për të dhënë mendimet e tij vetë numri dy në piramidën e partisë-shtet. Gjykim dhe eliminim faktik me gjithë forcën e autoritetit të pushtetit absolut. Në shërbim të njohjes dhe për të ndihmuar sa mundem për zbulimin e këtij misteri, bëj me përgjegjësi edhe publikimin e të dhënave që kam arritur të kem për këtë prapaskenë të politikës së asaj kohe. Nga biseda të ndryshme dhe në kohë të ndryshme me disa anëtarë të Byrosë Politike kam mundur të mësoj zhvillimin në përgjithësi të kësaj mbledhjeje sekrete.

Mbi bazën e këtyre të dhënave kam përgatitur me kohë edhe zhvillimin e kësaj mbledhjeje të fshehtë, pa pretenduar se ky është i gjithë realiteti i atij gjykimi të bërë në fshehtësi dhe në mungesë për Mehmet Shehun. Pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike jetojnë akoma. Do të dëshiroja që ata të shprehen konkretisht për këto probleme që të zbardhet enigma e këtij misteri për mbledhjen dhe eliminimin e Mehmet Shehut nga politika dhe më pas fizikisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb