E moshuara Merita hajdari, e cila jeton me mbledhje kanoçesh në kosha, por që rezulton milionere e inceneratorëve, flet për gazetarin e “News4” dhe “BalkanWeb”, Igli Çelmeta.

Jeni paraqitur dje në SPAK? Pse?

Jam paraqitur se parmbrëmë në darkë njerëzit e mi më kanë parë në televizor që unë kam dalë biznesmene me dokumente false. Shkova dje te rajoni 3 dhe i thashe “çështë kjo gjë që më ka dalë në tv”. Ata më thanë shko te drejtoria e madhe dhe ua sqarova. Më thanë “nuk ke lidhje”. Unë u thashë që emri im diskutohet në tv. Më çuan te drejtoria te ministria e jashtme. Më dhanë ca letra me foto. i mora dhe shkova te SPAK. Më thanë ‘nuk ke lidhje se nuk është mbiemri jot’. Unë dua drejtësi. Jam pa shtëpi, jam invalide. Kam bërë dokumentet për shtëpi në Bashki.

Me çfarë jeton?

Punoj nëpër shtëpi. Shkoj te fruta perimet, seleksionoj atje. Më japin nga një ushqim. Punoj nëpër lokale dhe pastroj. Jam debitore nëpër banka. Në 2019 më plasi bombula megjithë djalin. Shteti nuk më dha asnjë ndihmë që unë u dogja. Nuk u interesuan fare. Isha në spital në gjendje kome. Çfarë i kam bërë unë shtetit që dal biznesmene? Unë nuk kam të ardhura. Të shohin nëpër banka në qoftë se kam ndonjë të ardhura.

Ke marrë kredi në bankë?

Unë nuk kam ta paguaj se nuk kam lekë. Ose të mi japin këto biznese dhe të rregulloj fëmijët e mi. i lutem shtetit të më ndihmojë.

Me emrin tënd ka edhe persona të tjerë. Pse shkove ti në SPAK?

Unë shkova se pashë emrin tim dhe shkova u interesova.

Çfarë do u thoje prokurorëve?

Do tu thoja të më tregojnë kush i ka bërë këto falsifikime. Një fukara të dalë me miliarda lekë? Unë dua të më hiqet emri se kam marrë një njollë shumë të madhe. Më thonë njerëzit “hajde o miliardere”.

Ke dëgjuar për inceneratorët?

Nuk e di fare çfarë janë. Nuk marr vesh se nuk kam shkollë.

Të ka kontaktuar njeri më parë?

Jo asnjë, vetëm kur e kam parë në televizor.

Ta ka kërkuar njeri kartën?

Jo. Kartën e kam humbur në votimet e kaluara. Kam shkuar në lagje dhe u kam thënë nuk kam kartë. Ma kanë bërë ata pa lekë. Ma nxorrën kartën tjetër ata. Këtë kartë kam Akoma. Nuk kam takuar asnjë njeri. Vetëm kur kam marrë kredinë në bankë kam vënë firmë.

E njeh Klodian Zoton?

Nuk e njoh kush është. Unë nuk di të shkoj nëpër zyra. Shkoj vetëm kur më duhet ndonjë certifikatë. Edhe në Bashki jam interesuar për punën e shtëpisë. Më kanë thënë që të ka humbur emri.

Po në QKB ke shkuar ndonjëherë?

Ku e di unë kush është QKB-ja.

Po Gjyste Serrmin e njeh?

Nuk njoh asnjë njeri. Njoh vetëm familjen time. Jetoj me fukarallëkun tim.

Ku dyshoni?

Unë këtë dua të di, kush e ka marrë kartën time dhe ka bërë këto gjëra. Prandaj shkova dje dhe u ankova. Ose të mi japin këto biznese, të rregulloj fëmijët e mi.

Me çfarë merresh tani?

Pastroj. Shkoj te pallatet te deputetët dhe i pastroj. Nuk më merr njeri në punë mua se jam sakate, nuk i komandoj dot duart. Vetëm 70 mijë lekë më jep shteti. Një vit kam që e marr invaliditetin. Ma hoqën edhe ndihmën ekonomike.

Ndonjë person ua ka kërkuar kartën?

Jo asnjë. Vetëm kur e humba ma kanë bërë te lagjja 10. Atë kartë e kam. Të vjetrën ma kanë vjedhur në autobuz.

Kurrë në jetën tuaj nuk keni firmosur?

Jo, vetëm kur kam shkuar në bankë. Ju lutem gjeni drejtësinë se jam duke u çmendur nga stresi.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb