Blloku i udhëheqjes megjithëse në pamje të parë i qetë, nga brenda ziente për jetën luksoze, xhelozitë për daljen jashtë shtetit të disa prej fëmijëve të liderëve komunistë apo edhe veshjet eksituese të vajzave.

Ish kryehetuesi i kohës së diktaturës, Qemal Lame, shkruan në librin e tij “Miq dhe armiq” se “Blloku i Udhëheqjes ishte bërë edhe më misterioz e mitik me karakteristikat e reja si skena e reklamës së modës së fundit perëndimore, e bukurisë së vajzave që arrinin të bëheshin të dashura dhe nuse të familjeve të elitës së diktaturës, të festave e jetës së natës në mjediset me drita blu, veshje eksituese etj”.

Nga QEMAL LAME

Komiteti Qendror njihej edhe si godina më e rëndësishme politike që drejtonte gjithë jetën e vendit pas Çlirimit dhe në periudhën e gjatë të socializmit, që realizoi edhe zhvillimin e vrullshëm e bashkëkohor të vendit. Njëkohësisht, kjo ndërtesë gjigante e kohës quhej si selia e Komitetit Qendror. Simpatitë apo urrejtja për udhëheqjen politike ndikonin edhe në cilësimin e emërtimit të ndërtesës. Nga kundërshtarët politikë dhe ata që nuk kishin simpati për udhëheqjen komuniste kjo ndërtesë vlerësohej edhe si arena e teatrit të dramës politike të shtetit dhe të popullit.

Selia e Komitetit Qendror dhe Blloku, apo Stabilimenti, siç thoshin banorët e tij të privilegjuar (emërtim i mbetur që nga koha e zbatimit të modelit të shtetit nga Bashkimi Sovjetik), përbënin një oazë të fshehur me misterin e vendit nga vinin mesazhet shpresëdhënëse për zhvillimin e vendit, por edhe për intrigat politike dhe agjenturore që propagandonin, shoqëronin dhe maskonin metodën e drejtimit unitar, të udhëheqjes me dorë të hekurt, të eliminimit me egërsi të personaliteteve që deklaroheshin armiq dhe tradhtarë.

Udhëheqësi i madh dhe i hyjnizuar nga propaganda nuk do të mund të vazhdonte më tej të mburrej me besimin e mbështetjen nga populli dhe unitetin në udhëheqje. Për çdo qëndrim të tij ai nuk do të arrinte që në çdo kohë dhe deri në fund të jetës të kishte kurdoherë bështetjen e popullit. Në opinionin shoqëror ishte imponuar mendimi për thjeshtësinë dhe modestinë e jetesës së udhëheqjes. Personat me funksione të larta politike dhe shtetërore idealizoheshin për thjeshtësi dhe lidhje të ngushta dhe gju më gju me popullin. Por realiteti ishte krejt ndryshe dhe mbahej i fshehur me frikën e dhunës. Shtëpitë luksoze të asaj kohe nuk mund të shiheshin lirshëm nga populli, mbuloheshin nga hija e mjegullës së pushtetit dhe prania e dukshme e rojave, të cilat natyrshëm shtonin edhe më shumë kuriozitetin e njerëzve të thjeshtë. Po kështu, mbeteshin misterioze edhe standardi më i lartë i jetesës së përditshme, fundjavat e pushimet verore e dimërore e në çdo kohë të udhëheqjes që të mos tërhiqnin vëmendjen dhe të mos nxitnin xhelozinë e pakënaqësinë te njerëzit e thjeshtë.

Përherë e më shumë dallohej dhe komentohej me tone pakënaqësie në rritje se personat e idealizuar të udhëheqjes, familjet e tyre, sidomos fëmijët, dilnin jashtë shtetit dhe visheshin me modën moderne perëndimore, megjithëse zyrtarisht ajo ishte e ndaluar dhe dënoheshin ata që e reklamonin. Propaganda zyrtare kritikonte e ndalonte modën e huaj, ndërsa vetë udhëheqësit reklamoheshin me veshjet e shtrenjta të tyre dhe veçanërisht të fëmijëve, me modën moderne të botës borgjeze dhe revizioniste. Çuditërisht, disa fëmijë të udhëheqjes, të cilët dilnin jashtë shtetit, filluan të tentonin të imitonin dhe të jetonin realisht një model të ndaluar perëndimor. Këto ndryshime binin menjëherë në sy dhe tërhiqnin vëmendjen e opinionit shoqëror. Krijoheshin pakënaqësi edhe ndërmjet familjeve dhe të afërmve të Bllokut që nuk kishin mundësi për të dalë lirisht jashtë shtetit. Ata që ishin idealizuar si komunistë të thjeshtë që jetonin njëlloj si populli, ishin në realitet ndryshe. Shembulli i tyre nuk mund të tolerohej nga populli që kishte nivel të ulët jetese.

Blloku i Udhëheqjes me standardet e larta të jetesës, modën e veshjeve perëndimore dhe bukurinë e nuseve

Blloku i Udhëheqjes ishte bërë edhe më misterioz e mitik me karakteristikat e reja si skena e reklamës së modës së fundit perëndimore, e bukurisë së vajzave që arrinin të bëheshin të dashura dhe nuse të familjeve të elitës së diktaturës, të festave e jetës së natës në mjediset me drita blu, veshje eksituese etj. Personeli i shërbimit i familjes së kryeministrit ka shpjeguar se Bashkimi e Marjeta frekuentonin tavernat e hotel “Dajtit” dhe ato të 15-katëshit. Ata rrinin vonë në këto lokale. Kur ktheheshin në shtëpi, hynin nga dera e jashtme për të mos i diktuar Mehmeti, nga i cili kishin frikë. Marjeta Shehu ka shpjeguar vetë se: “Mehmeti më foli një herë shumë keq, kur i kishin thënë se unë frekuentoja natën tavernat, por më doli në mbrojtje Fiqireti. Fiqireti na shikonte që visheshim me rroba ekstravagante dhe që vinim vonë në shtëpi, por nuk na thoshte gjë. Qëndrimi i saj na nxiste, kurse nga Mehmeti kishim frikë”.

Frekuentimet e lokaleve të natës nga Marjeta dhe Bashkimi bënin kaq zhurmë në atë kohë, sa flitej kudo nën zë. “Unë shkoja në taverna, ndërkohë që në shumë raste vinte edhe shoqëria në shtëpi, ku rrinim deri natën vonë duke bërë llogje. Por kjo ndodhte vetëm kur nuk ishte Mehmeti në shtëpi, se Fiqireti nuk na thoshte gjë.” Sigurisht që flitet për kohën para fejesës plëngprishëse. “Kjo gjendje ishte para prishjes së fejesës së Skënderit, se pas kësaj prishjeje gjendja në shtëpi po bëhej gjithmonë e më e rëndë. Dita-ditës krijohej një situatë që erdhi një moment dhe u bë e padurueshme. Ngjante sikur kishte plasur zia dhe pritej shpërthimi i katastrofës. Se, që do të shpërthente katastrofa, unë e kisha të qartë. Për këtë gjendje i shkrova dhe francezit“, ka shpjeguar Marjeta, e cila ndiqej e dyshohej edhe për takimet me të huajt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb