Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Varri i Mehmet Shehut u ruajt përkohësisht me policë. Nuk mund të pretendohet se ruajtja nga shteti ka qenë një detyrë e shtuar për policinë. Ruajtja e varrit në Sharrë ka qenë një detyrim shtetëror simbolik, në krahasim me shërbimet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Varri është lënë pa ruajtje me qëllime të caktuara. Më vonë është konstatuar se kufoma apo eshtrat nuk gjendeshin në varrin e tij, në varrezat në Sharrë. Për më tepër, ai është zhvarrosur dhe për 20 vjet me radhë varri i ish-kryeministrit komunist shqiptar nuk kishte asnjë shenjë.

Ekzekutimi i fshehtë dhe zhdukja e kufomës ishin një dramë tjetër që tronditi familjarët dhe opinionin shoqëror, çdo njeri që e dëgjonte këtë fakt. Ndonëse zyrtarisht u tha se komunisti nuk mund të vrasë veten, edhe ceremonia ishte e tillë që nuk ishte ceremoni nderimi për të vdekur. Personalitetet e larta partiake dhe shtetërore që ishin “vetëvrarë” më parë ishin nderuar dhe varrosur me ceremoni të organizuar sipas protokollit shtetëror. Në historinë e Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të shtetit të diktaturës së proletariatit kishin ndodhur edhe raste të tjera që personalitete të larta të Partisë dhe të shtetit ishin deklaruar zyrtarisht se kishin vrarë veten.

Njihen nga historia dhe nga opinioni publik ngjarjet e bujshme të vdekjeve të papritura, si e Omer Nishanit, Nako Spirut, Josif Pashkos etj. Për secilin ishte deklaruar zyrtarisht se “ka vrarë veten”. Pakënaqësitë, dyshimet dhe ndëshkimet në radhët e udhëheqjes kryesore për ngjarjet e rënda përfliteshin në rrethe të ngushta dhe nuk arrinin në opinionin e gjerë popullor. Në mënyrë të qartë dhe publikisht ngjarjet janë cilësuar dhe në disa raste komentuar zyrtarisht si vetëvrasje të dënueshme për komunistët. Në të vërtetë, siç mësohet nga të dhënat e kohës dhe ato të mëvonshme, ka pasur edhe dyshime dhe akuza për vrasje të dyshimtë dhe të qëllimshme. Por këto vlerësime të personave deri edhe në udhëheqjen kryesore nuk deklaroheshin hapur.

Qëndrimet zyrtare janë propaganduar duke u demonstruar me vlerësime nga organet më të larta të partisë, sipas meritave të personaliteteve. Në ceremonitë e varrimit janë zbatuar rregullat e parashikuara në ritualin e normuar në Protokollin Shtetëror. Kështu, Nakos, Josifit etj. u janë bërë nderime dhe ceremoni shtetërore varrimi, ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarët më të lartë të kohës, kryeministri, ministra, sekretarë të Komitetit Qendror të PPSH-së etj. Ata janë vendosur në Varrezat e Dëshmorëve. Më pas është përjetësuar kujtimi i tyre me emërtime uzinash, fabrikash, rrugësh etj.

Mehmet Shehu ka pasur kontribut më të madh krahasuar me ata. Megjithatë nuk u nderua. Është fakt që u poshtërua. Megjithëse kryeministër në detyrë dhe numri dy në hierarkinë e partisë dhe të shtetit, pa asnjë shenjë nderimi zyrtar nga partia dhe shteti, atij iu bë ceremoni e thjeshtë dhe u varros në varrezat qytetare në Sharrë. Ky qëndrim haptazi denigrues bëhej me qëllim distancimi prej tij, si dhe për zhvlerësimin politik të figurës së kryeministrit. Kryeministri në detyrë nuk u nderua sipas kontributit partiak, shtetëror dhe ushtarak.

Përkundrazi, edhe në varrezën qytetare në Sharrë ai u varros duke u vendosur në një vend jo të dukshëm, kur ishte bërë traditë që në parcelën e parë të saj varroseshin personalitete të njohura shtetërore, si dhe familjarë e të afërm të tyre, duke filluar nga vetë Enver Hoxha.

Poshtërimi i Mehmet Shehut në krahasim me nderimet e Hysni Kapos dhe më pas të Enver Hoxhës.

Ngjarja e manipuluar e vdekjes së Mehmet Shehut dhe qëndrimi i mbajtur ndaj tij bëhen më domethënëse nga krahasimi me vlerësimin dhe nderimin e lartë të bërë për Hysni Kapon dhe më pas për Enver Hoxhën. Këto tri personalitete më të rëndësishme të kohës patën edhe vlerësime të ndryshme. Mehmeti dhe Hysniu, dy personalitetet më të rëndësishme pas Enver Hoxhës, me kontribute të njohura për kohën e Luftës Nacionalçlirimtare dhe në periudhën e gjatë të socializmit, u vlerësuan në mënyrë krejt të ndryshme në fund të jetës së tyre. Mehmeti u ndëshkua dhe u përbalt si armik dhe tradhtar. Hysniu u nderua në shkallën më të lartë të mundshme dhe iu bënë nderime, pothuajse siç u veprua më pas me vdekjen e Enver Hoxhës.

Enver Hoxha u nderua si figurë kombëtare, komandanti i Luftës Nacionalçlirimtare, që realizoi çlirimin e vendit në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqësi i ndërtimit të socializmit në Shqipëri, i lëvizjes marksiste-leniniste në botë etj. Hysni Kapo u vlerësua, u nderua dhe vazhdon të mbetet i tillë edhe në periudhën e ndryshimit të sistemit dhe në këto dy dekada të vendosjes së demokracisë. Ai mbeti në varrezat e dëshmorëve. Mehmeti, i shpallur armik e tradhtar, u zhvarros në mënyrë të fshehtë dhe mbeti pa varr të njohur.

Populli shqiptar ka një fjalë të urtë: “Atë që i bën tjetrit, do ta pësosh vetë”. Kështu ndodhi edhe me Enverin që u zhvarros në mënyrë të fshehtë natën, më 5 maj 1992, u hoq nga Varreza e Dëshmorëve të Kombit, iu dorëzua djemve të tij dhe u vendos në varrezat e Sharrës nga familja.

Qëndrimi diskriminues dhe turpi shtetëror i kryer me paramendim për varrimin e padenjë dhe fyes të kryeministrit në detyrë.

Enver Hoxha veproi zyrtarisht në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin e protokollin shtetëror për nderimet dhe ceremoninë e varrimit të kryeministrit. Ai nuk ndërmori as edhe një gjest simbolik moral njerëzor që respektohet për të nderuar të vdekurin kur kaloi pranë shtëpisë së kryeministrit me të cilin bashkëpunoi gjithë jetën. Shqiptarët kanë shumë norma të mira zakonore të traditës së hershme dhe të kohës moderne në raste gëzimi dhe hidhërimi. Këto nuk u respektuan, por u shkelën me arrogancë dhe primitivitet në qëndrimin e mbajtur me njoftimin për vdekjen e kryeministrit. Enveri bashkë me Nexhmijen shkuan të parët për të uruar Mehmetin dhe familjen e tij me rastin e fejesës së djalit të tyre të dytë.

Kjo shkaktoi gëzim dhe mirënjohje në familjen e kryeministrit të shqetësuar dhe në prag të greminës, ku po i rrëshqisnin nga poshtë këmbët. Vdekja vlerësohet si ngjarje e rëndë për cilindo që merr dijeni, e cila shoqërohet me obligimin e natyrshëm moral për të shprehur ndjenjat e ngushëllimit në format e mundshme. Kjo do të ishte e natyrshme dhe aq më tepër për banorët në afërsi të banimit, posaçërisht për një familje gjitone. Brenda Bllokut të fortifikuar, pranë vilës së Enver Hoxhës, në vilën në afërsi, ku banonte kryeministri, kishte ndërruar jetë vetë kryeministri, një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë, tejet i bindur për çdo urdhër dhe për çdo sakrificë vetëmohuese që nga koha e luftës dhe në periudhën afro dyzetvjeçare të ndërtimit të socializmit, personi që drejtoi qeverinë për afro tri dekada, anëtari me kontribute të veçanta në Byronë Politike etj.

Është e pafalshme se si udhëheqësi kryesor nuk tregoi asnjë gjest njerëzor për të reaguar qoftë edhe formalisht për të marrë në telefon, apo dërguar një mesazh për të ngushëlluar gruan dhe fëmijët e shokut, mikut, bashkëpunëtorit, të vdekurit. Enveri kishte gjetur kohë për të biseduar me djalin e madh për gjendjen e babait, ndërsa nuk guxoi të thoshte një fjalë ngushëlluese, që do ta bënte çdo njeri i zakonshëm për vdekjen e babait të tij. Po atë ditë Enveri dhe Nexhmija do të kalonin pranë shtëpisë ku ishte akoma kufoma e Mehmetit, për të vajtur dhe ngushëlluar Hekuran Isain për vdekjen e nënës së tij. Shkuarja për ngushëllim te sekretari i Komitetit Qendror tregon për një qëndrim të drejtë, të pritshëm dhe human.

Por atë ditë udhëheqësi tregoi dhe dëshmoi dy qëndrime me standarde krejt të ndryshme njerëzore dhe morale. Në një kohë kur bashkëshortët Hoxha dhe truproja shoqëruese do të kalonin rrugën për të shkuar për ngushëllim në familjen e anëtarit të ri të Byrosë Politike, ata nuk i hodhën sytë nga shtëpia pranë e mikut të vjetër, nuk guxuan të shkojnë te njeriu që i kishte ndenjur pranë për dyzet vjet dhe ishte interesuar posaçërisht edhe për gjendjen shëndetësore, te shoku që tregohej i përkushtuar që Enveri të ishte sa më i qetë dhe ta lehtësonte në maksimum nga detyrimet e mëdha si kryetar i shtetit, kur në fakt nuk kishte më mundësi shëndetësore dhe fizike për shkaqet e njohura të avancimit të mëtejshëm të diagnozave të rënda, të cilat e bënin të pamundur vazhdimin e detyrave të larta dhe drejtimin e partisë e të shtetit.

Për një të sëmurë është i arsyeshëm vlerësimi human i gjendjes së tij dhe mirëkuptimi për pamundësinë e realizimit të detyrimeve që ai mund të ketë. Por për një udhëheqës situata është krejt ndryshe. Kërkohet të respektohen standardet e moralit qytetar duke u balancuar edhe me interesat e përgjithshëm kombëtarë. Enveri dihej se ishte i sëmurë në kohën që ndodhi ngjarja me Mehmet Shehun. Megjithatë vazhdonte të ishte në gjendje të drejtonte dhe të jepte zgjidhje për problemet kryesore. Ai dëshmoi armiqësinë dhe qëndrimin zyrtar për të mos shkuar për t‘i dhënë lamtumirën shokut të tij prej afro 40 vjetësh dhe për të ngushëlluar familjen.

Nuk respektoi as normat morale tradicionale të fqinjësisë me kryeministrin, me të cilin e ndante vetëm distanca prej afro 50 metrash ndërmjet dy vilave në të dyja anët e rrugës. Distancimin e tij e tregoi duke mos kthyer as kokën nga shtëpia e kryeministrit, ku ai gjendej i vdekur, kur kaloi dhe vajti për ngushëllim për nënën e Hekuran Isait, e cila kishte vdekur po atë natë. Më vonë u rëndua gjendja shëndetësore e Enverit. Në këtë kohë rritet roli i Nexhmijes dhe Ramizit që tregonin kujdes maksimal për të mbajtur të fshehur sëmundjen, pasojat e ndryshimeve kognitive, rënien e aftësisë mendore dhe mospasjen nën kontroll të plotë të qëndrimeve, të koshiencës dhe subkoshiencës, që kishin filluar të ndiheshin dhe binin në sy te personat që kishin kontakte me udhëheqësin.

Kështu ruhej figura dhe pushteti autoritar dhe parandaloheshin njoftimet që mund të krijonin shqetësime në drejtimin e partisë-shtet, pasoja që mund të vinin në rrezik fatet e vendit. Në “vetëvrasjet” e dy anëtarëve të Byrosë Politike, të ndodhura më parë, ishin organizuar ceremoni shtetërore sipas protokollit shtetëror. Për kryeministrin nuk u respektua protokolli, por nuk u lejua as pjesëmarrja e lirë për personat që do të dëshironin të shprehnin ngushëllime dhe të merrnin pjesë në varrimin pa ceremoni zyrtare. Ndërsa të mëparshmit u nderuan dhe u vendosën në varrezat e dëshmorëve, kryeministri u varros fshehurazi në varrezën qytetare dhe më pas iu zhduk kufoma dhe varri. Hysni Kapo, si një nga komandantët ushtarakë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe me kontribute në qeverisjen e vendit pas Çlirimit, u nderua me ngushëllimet e udhëheqjes e të popullit dhe me ceremonitë me madhështi për varrimin e tij.

Por ndaj Mehmet Shehut, që kishte kontribute edhe më të mëdha, nuk u tregua as respekti i nevojshëm njerëzor ndaj një njeriu të thjeshtë që të vejë në banesën e fundit me dinjitet. Tragjedia me kryeministrin do të vazhdonte pa mëshirë edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij. Qëndrimi i mbajtur për varrimin e kryeministrit shqiptar nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër në botë. Në Shqipërinë socialiste Mehmet Shehu u trajtua nga partia-shtet në mënyrën më diskriminuese të mundshme. Udhëheqja politike, që betohej për mbrojtjen e parimeve të komunizmit shkencor, demokracinë socialiste, drejtësinë e shtetit të diktaturës së proletariatit dhe pretendonte se udhëhiqte lëvizjen marksiste-leniniste në botë për të fituar të drejtat dhe liritë e proletariatit, dëshmoi nënvleftësimin e çdo norme politike, morale dhe njerëzore me qëndrimin ndaj eliminimit misterioz dhe varrimit të kryeministrit në detyrë, të njërit prej anëtarëve të saj të cilësuar si armik dhe poliagjent.

Ramiz Alia është personi tjetër me përgjegjësi të rëndë për fyerjen zyrtare në varrimin e kryeministrit. Si personi i zgjedhur si pasardhës dhe si njeriu që i qëndronte më pranë Enverit të sëmurë dhe Nexhmijes, Ramizi nuk dëshmoi përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë për qëndrimin që kërkohej të mbahej nga Byroja Politike për të nderuar dhe respektuar kryeministrin në detyrë me një varrim dinjitoz, qoftë edhe formalisht, në bazë të protokollit shtetëror, pa pretenduar dhe theksuar detyrimin për ta nderuar figurën e tij ashtu siç e meritonte. Qëndrimi i institucioneve më të larta të partisë dhe të shtetit shqiptar do të ishte një dëshmi e distancimit nga figura e Mehmet Shehut, duke treguar cinizmin e njohur ndaj kundërshtarëve politikë dhe viktimave të luftës për pushtet në radhët e udhëheqjes kryesore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb