Nga: Marsela KARAPANÇO

TIRANË- Pas dy vitesh mosgjetjeje të një dakortësie, PS e PD sot gjetën gjuhën e përbashkët për të miratuar një deklaratë me rekomandime në mbyllje të mbledhjes dyditore të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Por si u arrit në këtë dakordësi?

“BalkanWeb” zbardh prapaskenat që çuan në një mendje të majtët e të djathtët, duke vënë në krye interesin e Shqipërisë për integrimin.

Burimet nga Kuvendi i thanë “BalkanWeb” se pas diskutimeve të hapura për median, ku anëtarët e këtij komiteti këmbyen replika dhe akuza që nga vjedhja e votës e deri te droga, u kërkua një pushim.
WhatsApp Image 2018-02-13 at 10.01.50

WhatsApp Image 2018-02-13 at 10.02.23

WhatsApp Image 2018-02-13 at 10.02.36

WhatsApp Image 2018-02-13 at 10.28.53
Me daljen e mediave jashtë, për 1 orë e 45 minuta në një nga zyrat e Kuvendit, u mblodhën pa zhurmë kryetarja e delegacionit të komisionit parlamentar të stabilizim asocilimit BE-Shqipëri Monica Macovei, eurodeputetët Edurad Kukan dhe Vladimir Urutchev, ekspertët europianë, me kryesuesin e delegacionit shqiptar Taulant Balla dhe kryesuesin e deputetëve opozitarë në komitet Genc Pollo. Me bërjen të qartë në këtë takim të idesë nga zyrtarët europianë, Komisioni Europian do të japë dakordësinë dhe negociatat do të çelen, asnjë nga palët me sa duket nuk dëshiroi të bëjë rolin e penguesit.

Pavarësisht kësaj, në takimin që u mbajt larg syrit të mediat, saktësojnë të njejtat burime, thuhet se janë diskutuar amendamentet që më pas morën miratim. Ndër të tjera, PD nguli këmbë te rekomandimi për ndalimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike ndaj gazetarëve. Propozim që nuk u mirëprit në takim dhe që u pasqyrua më pas edhe në votimin pa media, ku PS dhe europianët, kryesisht ata të spektrit të së djathtës europiane, ishin bashkë në një mendje.

Një tjetër pikë e diskutimeve, mësohet të ketë qënë ajo për nenin që përfshinte emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mësohet se Balla nuk e ka pranuar shabllon, duke kërkuar modifikime për rekomandimin, që ndryshoi me idenë se përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. “BalkanWeb” mësoi gjithashtu se Macovei ka qenë tejet e ashpër dhe e drejtpërdrejtë me të dyja palët, kur u ka kërkuar bashkëpunim dhe lërjen mënjanë të kundërshtive, për hir të integrimit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb