Bojkoti i ndërmarrë nga Liga Profesioniste është në hapat e fundit, zgjidhje që mori formë menjëherë pas takimit që presidenti i FSHF-ës Armand Duka zhvilloi me Kryeministrin Rama. Një nga zërat e parë që ka qenë kundër vendimit të marrë nga Liga, për të bojkotuar sezonin, ka qenë Safet Gjici, presidenti i nderit i klubit të Kukësit. Në një intervistë për “BalkanWeb”, Gjici theksoi edhe një herë se forma e zgjedhur nga Liga nuk ishte ajo e duhura, pavarësisht se kishin dhe kanë të drejtë me kërkesat e tyre. Gjici i bën apel presidentëve të tjerë të Ligës të rikthehen sa më shpejt në fushë për të mos thelluar edhe më shumë krizën që ka sjell bojkoti:

“Që ditën kur u takuan presidenti i Federatës me Kryeministrin natyrisht ka pasur një mirëkuptim të plotë dhe nga kryeministri edhe nga qeveria edhe nga federata dhe shumë shpejt është premtuar se do të zgjidhjen problemet e Ligës, natyrisht duke i diskutuar pikë për pikë. Unë besoj që kjo gjë ka marrë rrugën e duhur për zgjidhje dhe i bëj thirrje Ligës që të filloj futbolli sa më shpejt sepse është një dëm i madhe që i shkaktohet futbollit por dhe tifozët shpresojnë sa më shpejt që të shohin futboll”.

“Realisht është një problem i pazgjidhur, i mirëkuptuar në fakt edhe nga qeveria. Pa diskutim dhe Liga ka kërkesa të drejta për ta normalizuar një herë e mirë problemet e futbollit në Shqipëri por siç e kam thënë në krye të herës, unë kam qenë kundër bojkot por për tu ulur në tavolinë për ti zgjidhur gjërat”.

“Realisht kjo tregon se bojkoti i gjatë nuk zgjidh problemet por i ndërlikon , prandaj them se duhet të kishim filluar futbollin. Liga duhet të kishte filluar dhe paralelisht duhet të ishin zgjidhur dhe kërkesat që janë pranuar edhe nga qeveria edhe nga palët negociuese që janë marrë me këtë temë. Natyrisht katër kërkesat e Ligës edhe pas negociatave edhe pas konsultimeve me ekspertët e financave i ka kryeministri në tavolinën e vet për ti dhënë zgjidhje. Unë besoj se në këtë pikë nuk duhet të vonojmë asnjë sekondë fillimin e sezonit sepse është një ngjarje shumë e rëndë që gjithë bota ka futboll dhe Shqipëria jo”.

“Unë mund ti jap një mesazh edhe presidenteve të tjerë por mund ti jap një mesazh të qartë klubit të Kukësit si president nderi por dhe si kryetar bashkie. Klubi i Kukësit duhet të jetë pro për të filluar futbollin, edhe kolegeve të tjerë i them se nëse nuk duan të shkatërrojnë futbollin dhe të shkaktojnë më shumë dëme ekonomike duhet të fillojnë pasi besoj se pas takimit të presidentit të FSHF-ës me kryeministrin kërkesat e ligës do të zgjidhen”.

“Donin ta përdoronin fillimisht politikisht, për hir të së vërtetës, jo të gjithë, një pjesë, ato që u futën rishtas në Superligë, për të zgjidh ndoshta hallet dhe problemet e veta por Liga nuk mund të përdoret politikisht nga askush pasi liga është futboll dhe futbolli nuk mund të përdoret politikisht. E rëndësishme është dhe këtë e kam thënë që në krye të herës se kërkesat e Ligës kanë qenë dhe janë të drejta. Ne kemi Kosovën që i ka dhënë zgjidhe futbollit, ka ardhur koha që edhe në Shqipëri ti jepet një zgjidhe relativisht të mirë. Për hir të së vërtetës kjo qeveri ka investuar shumë për sportin si asnjë qeveri tjetër, e ka mbështetur me 80 milion euro infrastrukturën sportive, së bashku me FSHF, siç po bëjnë edhe me stadiumin e Kukësit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: