Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

ZBATIMI I PROCESIT TË ELIMINIMIT TË KRYEMINISTRIT

Zhvillimet politike të kohës tregojnë për përshkallëzimin e acarimit deri në bërjen të njohur të distancimit dhe reagimit me të gjitha mundësitë që kishte Enveri për dëmtimin e figurës së kryeministrit dhe vënien në zbatim të planit të hershëm për likuidimin e tij.

Kundërveprimi i gjithanshëm dhe i fuqishëm i udhëheqësit

Kundërveprimi me anë të reagimit dhe qëndrimit zyrtar të Enverit shënon fillimin e skenarit për të realizuar eliminimin e Mehmetit dhe manovrat për afirmimin përfundimisht të pasardhësit të tij, e konstatojmë edhe në Ditarin e tij personal. Enveri, që ishte në dijeni të çdo problemi, e paraqet veten si të painformuar mirë dhe merr të dhëna më të gjera nga Ramizi e Kadriu etj.!?

Më 3 shtator 1981 ka qenë vizita e fundit që Enver Hoxha ka bërë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Në bisedën me Ramiz Alinë, mëngjesin e 8 shtatorit 1981, të dokumentuar nga vetë Enveri, është fiksuar se ai është befasuar nga të papriturat tronditëse që ka mësuar për biografinë e papërshtatshme të nuses që kishte kapërcyer rishtas portën e Bllokut të udhëheqjes! Është interesuar dhe ka marrë dosjen me biografinë e krushqisë së re të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Pastaj e ka thirrur në zyrë dhe ia ka vënë në dukje vetë problemet politike.

Pas tri takimeve konfidenciale me Mehmetin, më 11, 12 dhe 13 shtator të vitit 1981, Enveri ka vepruar analizën e çështjes me drejtuesit e lartë të partisë e të shtetit, duke dënuar biografinë e vajzës që ishte futur nuse në Bllok, si dhe arsyet që e kishin motivuar Mehmet Shehun të bënte krushqi me armiqtë e partisë. Vënia në dijeni dhe diskutimi do të kishin faktikisht qëllimin e nxitjes e mbështetjes së padiskutueshme të anëtarëve të tjerë të ushëheqjes për skenarin e paramenduar prej tij për eliminimin e kryeministrit.

“E martë, 8 shtator 1981.

Bisedova me shokun Ramiz. Ai e dinte fejesën e djalit të Mehmetit me çupën e Turdiut dhe më tregoi mbi përbërjen me plot armiq të familjes Turdiu dhe të Pipajve.”

E premte, 11 shtator 1981.

Thirra Mehmetin nga Korça që ta pyesja për fejesën e djalit të tij me vajzën e familjeve me plot kriminelë lufte, të pushkatuar e të arratisur. Kjo çështje zien në gjithë Tiranën, por unë e mora vesh indirekt. Mehmeti e kishte bërë këtë fejesë me plot dijeni. Ky është një gabim i rëndë politik nga ana e tij. Bisedova me të, është në dorëshkrim në kasafortën time.

E shtunë, 12 shtator 1981.

Bisedë me Mehmetin për problemin e koklavitur të djalit të tij, Skënderit. Biseda me të është në dorëshkrim në kasafortën time. Thirra Sekretarët e KQ, shokët Ramiz, Hekuran dhe Simon, për t’ua bërë të ditur gabimin e madh politik të shokut Mehmet, fejesën e djalit të tij me një vajzë të Turdijve dhe për t’u marrë mendimin për këtë gjë. Simoni nuk ishte. Hekurani e dënoi ashpër këtë veprim, Ramizi po ashtu […] Thirra Kadriun dhe e pyeta nëse dinte gjë për veprimin e Mehmetit. Më tha se e kishte mësuar dhe shtoi se kishte për të treguar shumë gjëra edhe për djalin tjetër të Mehmetit, Bashkimin, i cili, bashkë me gruan e tij, nuk është në rregull. Njerëzit, më tha ai, flasin keq për ta.

Biseda e shokut Enver Hoxha me shokët Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, më 12 shtator 1981.

Shoku Enver Hoxha i vuri në dijeni shokët Ramiz Alia dhe Hekuran Isai mbi kritikën e rreptë që i bëri shokut Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave, për fejesën e papërshtatshme të djalit të tij, Skënder Shehu, me vajzën e një familjeje me qëndrim shumë të keq politik.

Enver Hoxha: Dua t’ju vë në dijeni se Mehmetin e ndalova të vazhdonte punën në Korçë dhe ai u kthye. Kështu, dje në mëngjes e thirra në zyrë për sa jeni në dijeni. Thirra dhe Kadriun të vinte, po ndodhet me punë në Fier. Qëllimi që ju thirra është t’ju vë në dijeni për bisedën që pata me Mehmetin për këtë çështje, se me ju isha konsultuar më parë, më informuat dhe ju informova për sa dija. Tani, si qëndron puna? i thashë, more shoku Mehmet, kë pyete ti që fejove djalin me vajzën e Qazim Turdiut? Je informuar për qëndrimin politik të tij dhe të familjes së tij? Po, m’u përgjigj ai, jam plotësisht i informuar. Kam pyetur për këtë çështje shokun Feçorr Shehu, i cili më solli curriculum vitae, sikurse i thonë, dhe më tregoi se babai i vajzës qenka njeri i mirë. Ne jemi përpjekur ta bëjmë atë agjent, me qëllim që nëpërmjet tij të ndikonim te një vëlla i tij ballist dhe i arratisur, që të mos vazhdojë të punojë kundër nesh. Më vonë Qazimin e hoqën nga lista e agjenturës. Tani ai i ka prerë marrëdhëniet me të vëllanë. Një vëlla tjetër, – vazhdoi Mehmeti, – gjatë kohës së luftës ka qenë në Itali për studime, pastaj pas Çlirimit, meqenëse nuk i kish mbaruar studimet, pushteti ynë e çoi në Jugosllavi dhe kur ne u prishëm me Jugosllavinë, ai mbeti andej. Vajza, – i paska thënë Feçorri Mehmetit, – është e mirë, e ndershme, e zgjuar, i ka të gjitha cilësitë.

Po e dëgjoja Mehmetin me vëmendje kur më fliste. Po tjetër gjë nuk të kanë informuar për këtë familje? – e pyeta. Jo, – u përgjigj ai, – tjetër gjë nuk më kanë thënë. Po dua të të tregoj edhe një gjë, – shtoi pastaj, – djali im nuk ka pasur sjellje të mira, shkonte me një çupë që përbërjen politike të familjes e ka të mirë, po vetë nuk qëndron mirë moralisht, është kurvë, e njohur si e tillë në gjithë Tiranën. E ndërpreva dhe në parantezë i thashë se, për fat të keq, këto që po më thua unë nuk i di, se nuk të lija pa të thënë që të merrje masa në kohë.

Këto m’i kanë thënë përnjëherë ditët e fundit, bile më kanë treguar edhe të tjera dhe do të t’i them të tëra Mehmeti vazhdoi të më tregojë se ka qenë shumë i shqetësuar për djalin dhe e këshilloi t’i priste marrëdhëniet me atë vajzë të përdalë dhe e vërteta është se i ndërpreu, – më tha ai. Tani kujdesu që të martohesh, – e kishte këshilluar Mehmeti. Kështu, kur djali shkoi në Stokholm, marrëdhëniet me atë vajzë jo të mirë i kishte prerë. Më në fund, një ditë pasi ishte kthyer nga jashtë, Skënderi shkoi e i tha Mehmetit: Baba, e kam gjetur një vajzë për t’u fejuar. Cila është kjo? – e kishte pyetur ai dhe djali i tregoi emrin. Pastaj Mehmeti e pyeti më tej: Është e mirë? – Babanë e ka profesor, – ishte përgjigjur djali, i mirë është.

Ka ndonjë pjesëtar jo të mirë nga njerëzit e familjes, po ai i ka prerë marrëdhëniet me ta. Thirra pastaj Feçorrin, – vazhdoi Mehmeti, – dhe më tha ato që të tregova më parë. Kështu, tok me Fiqiretin gjykuam ta përfundonim këtë fejesë, mbasi i ati i vajzës nuk kishte ndonjë gjë negative, lidhje nuk kishte me të arratisurin, vetë vajza gjithashtu ishte e mirë, prandaj vendosëm dhe i thamë djalit që ne jemi dakord që të fejohesh. Me rastin që Feçorri i kishte çuar informacionin, Mehmeti e kishte pyetur këtë të fundit: Feçorr, ti je shoku ynë, po vihu një herë në këmbën time. Sikur të të ndodhte një ngjarje e tillë me djalin tënd, çfarë do të bëje? Dhe Feçorri i qe përgjigjur se, po të ishte për çupën, do ta merrte. Për të tjerat do shkonte e do të pyeste Mehmetin. Përgjigje e zgjuar kjo nga ana e Feçorrit.

Pasi mbaroi tregimin Mehmeti, iu drejtova me pyetjen: E thellove përgjigjen që të tha Feçorri? Sinjali që të dha ai donte të thoshte se ti duhej të shkoje e të pyesje një shok tjetër. Natyrisht, në këtë situatë kë do të pyesje? Duhej pra, të vije e të më pyesje mua në radhë të parë.

Ramiz Alia: Dhe në fakt, Feçorri tërthorazi ashtu i tha.

Hekuran Isai: i ka folur shumë bukur Feçorri.

Enver Hoxha: Po, po. Pse nuk e bëre ti këtë? – e pyeta unë. – Cila ka qenë arsyeja që ti deshe të lidheshe me këtë familje? Çfarë ka pas bërë Qazim Turdiu që ta lante këtë të kaluar kaq të keqe të familjes dhe të vetë qëndrimeve të tij? – shtova unë. Nuk më sqaron një çikë?! Qazim Turdiu njihet se ka qenë profesor pas Çlirimit, por ka mbajtur qëndrim indiferent, kurse gjatë luftës ka qenë ballist.

Ramiz Alia: Nga Balli Kombëtar ka ardhur ai.

Enver Hoxha: Pak të duket ty, Mehmet, që ky njeri të ketë dy vëllezër të arratisur politikë? – i thashë.

Hekuran Isai: Dhe bile, njëri prej tyre me aktivitet kundër vendit tonë. Tani, një njeriu të tillë me një veprimtari armiqësore të vazhdueshme, nëpërmjet të vëllait që ka këtu, ne t’i lutemi të mos ushtrojë aktivitet kundër vendit tonë.

Enver Hoxha: Po, këto i thashë unë Mehmetit. Shoku Enver, e shoh që kam bërë gabim, – m’u përgjigj ai. Mirë, more shok, pse ta bëje këtë gabim ti që hiqeshe shumë parimor, – iu drejtova unë. Të lejohet ty, Mehmet, anëtar i Byrosë Politike, të bësh një gabim të tillë politik? Ne kemi përjashtuar nga Partia Komuniste të tjerë për hiç gjë. Pastaj, në raste të tilla vetë ti ke qenë i pari që ke ngritur zërin. Po dhe shoqja Fiqiret, për shkak se një profesor në Shkollën e Partisë mori një vajzë për djalin që e kishte xhaxhanë nuk e di se ku në djall, bëri gjithë atë zhurmë kundër tij në shkollë.

E diel, 13 shtator 1981.

Bisedë me Mehmetin dhe Fiqiretin për çështjen e djalit. Asistonte edhe Nexhmija. Biseda me ta është në dorëshkrim në kasafortën time.

E enjte, 24 shtator 1981.

Bisedova me Mehmetin mbi disa qëndrime jo të mira në publik të djalit të tij, Bashkimit dhe së shoqes, Marjetës. Erdhi m’i raportoi këto të dhëna ministri i Brendshëm, Feçorr Shehu. Mehmeti, sigurisht u trondit, se po i ndodhnin ngjarje të rënda në familje dhe më tha se do të marrë masa”.

Takimi midis Enverit dhe Mehmetit pasoi përfundimisht ndarjen e hapur dhe fillimin e zyrtarizimit e përshkallëzimit të marrëdhënieve të hershme miqësore, por edhe të armiqësisë. Biseda e padokumentuar akoma midis Enverit dhe Mehmetit dëshmon për deklarimin qartë dhe konkretisht të pikëpamjeve, mënjanimin e etiketimeve të miqësisë ku fshihej në fakt urrejtja e akumuluar prej kohësh dhe ndarja përfundimtare nga Kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb