Zbulimi i 4 rasteve të reja me koronavirus në një fasoneri në Krujë ka ndodhur që të hënën, por qeveria nuk i ka raportuar rastet. Ky përfundim faktohet nga zhvillimet e sotme në Krujë, të cilat u paraprinë nga një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën.

Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ka ngritur shqetësimin e infkesionit përmes fasonerive dhe ka kërkuar mbylljen e tyre. Kjo kërkesë, e përsëritur rregullisht në publik nga Basha që prej shpërthimit të epidemisë, u refuzua nga kryeministri Rama edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare para dy ditësh.

Të njëjtat burime konfirmojnë se Basha ka këmbëngulur duke iu referuar rasteve konkrete. Ai ka përmendur infektimin e disa personave nga punonjësja e fasonerisë në Shkodër, i bërë publik të premten e kaluar, si dhe ka folur për vatra të reja infektimi në Krujë.

“Sot kemi 3 raste në një fasoneri në Krujë, çka tregon se po kthehen në rrezik perhapjeje- mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën. Por informacioni që kreu i opozitës i dha Këshillit të Sigurisë u mohua nga qeveria.

Mbyllja e fasonerive ka qenë një nga pikat e propozuara nga Basha në planin fillestar të PD për masat antiCOVID, sapo u komfirmua rasti i parë i infektuar, në 9 mars.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb