DURRES- Fotografi italian Luca Turi është vlerësuar me titullin ‘Qytetar Nderi’ i Durrësit për kontributin e dhënë në dokumentimin e ngjarjeve të eksodit të vitit 1991 me anë të fotove. Vendimi për dhënien e titullit në fjalë është marrë nga këshilli bashkiak në 30 maj të këtij viti, ndërsa sot është zhvilluar ceremonia në Durrës. Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako duke i dorëzuar titullin u shpreh se jam shume i kënaqur që këshilli bashkiak i akordoi këtë titull Luca Turit pasi ai ka bërë një vepër konkrete që dëshmon historinë Durrësit në vitet 90.

Vete fotografi Luca Turi është shprehur se ndihet i vlerësuar me këtë titull. “Me të vërtetë kam qenë në Shqipëri kur ajo kalonte një periudhë të vështirë dhe probleme të llojeve të ndryshme. Unë kam besuar se Shqipëria mund të jetë diçka më e mirë që në atë kohë. Unë jam i dashuruar me Shqipërinë dhe me të vërtetë kam krijuar këtu miqësi të vërtetë me shumë njerëz”.

Motivacioni i titullit është: Për meritën e veçantë që si njëri prej atyre që e përjetuan në fatin e tyre tronditjen e ikjes masive të rinisë së pashpresë shqiptare në një kohë dilemash të mëdha, e ktheu këtë ngjarje në kujtesë historike në librin e tij, ku një brez i tërë do të shohë vetveten dhe ata që do të vijnë si të njohin të pabesueshmen.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb