TIRANË-Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e cilëson shqetësues largimin e shqiptarëve drejt vendeve të BE. E pranishme në konferencën “Transformimi i Madh: 25 vjet përvoja shqiptare e tranzicionit dhe demokratizimit” Kodheli theksoi se lëvizja e lirë e njerëzve nuk presupozon qëndrimin me synim jetesën në vendet e Europës Perëndimore. Megjithatë ajo u shpreh se Shqiptarët që kërkojnë Perëndimin, me gjithë shqetësimin e madh që krijojnë, janë një shembull shumë më i mirë se ai grusht njerëzish që shkojnë drejt lindjes fanatike fundamentaliste.

“Në fakt, shpesh herë pranohet lehtësisht se krizat ekonomike, ideologjike dhe shoqërore, i shtyjnë njerëzit drejt ideologjive apo veprimeve të ekstremit. Por ne shqiptarët, megjithëse eksperimentuam shumë politikisht, asnjëherë nuk u dhamë të drejtë përfaqësimi ekstremeve. Dhe kjo është një vlerë të cilën duhet ta mbajmë fort afër vetes madje ta ruajmë dhe zhvillojmë.

Do të doja të ndalesha pak edhe në të mirat e të këqijat e lëvizjeve migratore të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, si procese thelbësisht të lira, por për fat të keq të ndikuara nga kushtet e vështira ekonomike të shoqërisë. Nëse deri para 25 vjetësh, lëvizja brenda vendit ishte e kontrolluar, kurse jashtë ishte e pamundur, në 1991 gjithçka iu la në dorë rrëmujës që akoma na karakterizon. Dhe të gjithë të lëvizurit, ndihmuan ekonomikisht familjet që kishin lënë pas. Nga veriu në jug. Një trend gjithëpërfshirës dhe human deri në detaje.

Sot, ky fenomen po bëhet shqetësues, pasi lëvizja e lirë e njerëzve nuk presupozon qëndrimin me synim jetesën në vendet e Europës Perëndimore. Por më lejoni të bëhem pak kontroverse dhe të vë në dukje faktin se drejt cilit rajon synojnë instinktivisht shqiptarët (?) Shqiptarët që kërkojnë Perëndimin, me gjithë shqetësimin e madh që krijojnë, janë një shembull shumë më i mirë se ai grusht njerëzish që shkojnë drejt lindjes fanatike fundamentaliste.

Unë mendoj se shprehja e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB, që vlerësonte evoluimin hap pas hapi të Shqipërisë, përveç kujdesit diplomatik të kohës dhe kontekstit të thënë ndaj personave të një prej diktaturave më të egra, nuk mjafton.

Im bir ka lindur, është rritur dhe bërë burrë duke ndjerë, perceptuar e dëgjuar fjalën tranzicion.
Detyrimi ynë si pushtetarë sot është të flasim me gjuhën e rezultateve, për ta bërë Shqipërinë një vend të aftë që të shfrytëzojë zotësitë e veta dhe t’i transformojë ato, në histori suksesi ekonomik dhe shoqëror, me qëllim që fëmijët e djalit tim fjalën tranzicion ta gjejnë vetëm në librat e historisë.”- u shpreh Kodheli.
Sa i përket situatës së vendit ministrja theksoi se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç asaj të të bërit shtet, të largimit një orë e më parë nga rruga e gjatë e tranzicionit, për t’u bërë një vend i drejtë, normal, i begatë e i mirëqenë dhe po ashtu i sigurt.

Në fjalën e saj, Kodheli tha se Shqipëria duhet marrë si një shembull më shumë se pozitiv në rajon, pasi në një panoramë të përgjithshme, vendi ynë ka dalë nga krizat e viteve ’90, me një nivel të rafinuar demokracie, i paprekur nga konfliktet etnike, nacionaliste apo fetare, gjatë tranzicionit të gjatë nëpër të cilin Shqipëria kalon kemi parë që disa sisteme, në vend që të ngriheshin duke funksionuar sipas një modeli perëndimor, ose degraduan rëndë, ose u karaketerizuan nga një kalbëzim sistematik, akoma pa u ndërtuar mirë.

Sipas saj, me sisteme si ai i drejtësisë apo i shtetit të së drejtës, me trashëgiminë kulturore apo pasuritë tona nën e mbi tokë, jo vetem që u abuzua, por kjo u justifikua si një gjë e bërë në emër të tranzicionit, të shkeljes në rrugë të paditur e shpesh herë në emër të disa fjalëve inflacioniste si: demokraci, popull, liri etj.

“Çdo njëri prej nesh duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe pjesën e vet të detyrimeve. Të asaj që shkoi dhe të asaj që vjen. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç asaj të të bërit shtet, të largimit një orë e më parë nga rruga e gjatë e tranzicionit, për t’u bërë një vend i drejtë, normal, i begatë e i mirëqënë dhe po ashtu i sigurtë”, deklaroi Kodheli.

Në këtë frymë, shtoi Ministrja, “reforma vazhdon të mbetet një fjalë kyçe, pa të cilën nuk do mund të shkojmë shumë larg. Por të mos harrojmë se një reformë e shtyrë në kohë bën më dëm se një reformë e pa nisur. Pasi çdo gjë që i lemë pasardhësit dhe shoqërisë është një akumulim që kërkon kosto gjithmonë e më të larta”.
(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: